Destabilizuesi i Shqipërisë
Ambicia “reformative” e udhëheqjes aktuale qeverisëse, improvizimet dhe diletantizmi në drejtimin politik të kupolës së PS ka krijuar në Shqipëri një pasiguri permanente jetësore, një deformim të pangjashëm të funksionimit të institucioneve shtetërore, ndërsa shoqëria, posaçërisht komunitetet e diskriminuara nga politikat e “rilindësve”, të lodhura nga presioni armiqësor i administratës, po boshatisin vendbanimet e tyre historike. Perspektiva europiane dhe perëndimizuese e vendit është vendosur në pikëpyetje, kohezioni i brendshëm identitar e kulturor gjendet në një brishtësi të atillë, sa mund të shkërmoqet nga çdo “pasha i huaj kapadai, interferues në jetën tonë të paformësueme shoqnore, me albanizim të pakryem. Pas më shumë se gjashtë vitesh të pushtetit të Edi Ramës, “mbretëria e tallavasë” është mbisunduese në çdo qelizë të jetës së Shqipërisë. Nuk mjaftoi otomanizmi dhe enverizmi, por do të duhej të ndërhynte edhe aventurizmi i “Liderit Suprem” për të vendosur në destabilitet institucionet kushtetuese, rrugën e mundimshme të kombit për formësimin e elementit përbashkues nacional, sendërtuar me aq kujdes në një kohë, nga krerët e kombit dhe shtetit, në vitet e stabilitetit dhe prosperitetit të orientuem.
Ka ardhur koha që sot, lojnat e Edi Ramës jo vetëm të thuhen dhe të shkruhen, por të përmbyllen. Njeriu i dhënë pas fjalëve dhe veprave të papërgjegjshme duhet tanimë të nxirret mënjanë, me një betejë politike serioze, që vendos në plan të parë dijen, arsyen dhe pastërtinë e figurës. KM po i rëndon publikut, jo vetëm më fytyrën e tij të vrerosur, ironinë, arrogancën sistematike, kthyer në metodë komunikimi, por para së gjithash me imazhin e shformuar të respublica-s që ai ka ekspozuar në publik. Aventurizmi i tij, modeli i shtetit kushinetë dhe pa identitet që ai promovoi në arenën ndërkombëtare, mungesa e maturisë së plotë në vlerësimin e mundësive të brendshme të shoqërisë multikulturore për të plotësuar në masën sa mban angazhimet strategjike të vendit, e kanë vendosur tanimë në shënjestër të “aksit të së keqes” territorin tonë shtetnor. Edhe kjo na duhej për t’i thanë lamtumirë Ilirisë dhe Arbnisë.
Një vlerësim i thjeshtë i veprimeve politike dhe administrative na bën të kuptojmë se Edi Rama dhe pasuesit e tij nuk patën kurrë një program të mirëfilltë shtetkorrigjues, bazuar mbi parime dhe mbi një sistem të përcaktuar për shkak të një vlerësimi të specializuar. Për të gjithë tanimë është e qartë se Edi Rama ishte veçse një drejtues aventurier radikal, një improvizues i vegimeve të tij të përçarta në politikë, i cili synoi rrafshimin e gjithçkaje me themel dhe më pas u ysht me egërsi në ndërtimin e pushtetit të tij personal, të çliruar nga vjegat e së shkuemes, që ai e përbuzte pa bërë asnjë seleksionim.
Rama synoi të themelojë një pushtet të përjetshëm të njerëzve të një ane të shoqërisë, të mësuar me komandë, me përçmim dhe diskriminim ndaj “anmikut” që ideuan me fanatizmin e tyre ideologjik, etërit “partizanë” dhe “çlirimtarë”; ai është arkitekti i themelimit të rrjetit të ri të marrësve të përgjegjësive ligjore për “djemtë e zgjuar”, që komandojnë çdo gjë në prapaskenën e jetës financiare, ekonomike dhe publike të vendit; ai është përgjegjësi i vendosjes në krye të çdo institucioni shkencor dhe kërkimor, nomenklaturë governative dhe parlamentare, në krye të çdo ekipi “reformator” të promovuar nga qeveria, të njerëzve të përzgjedhun me kujdes nga ish-”rrethi i kuq”, nga regjistri i fshehtë i agjentëve specialë të ish-Sigurimit, nga familjet besnike që u shërbyen organeve të diktaturës; ai na u shfaq që ditën e parë me kostumin e “reformatorit të madh” dhe “shpëtimtarit të shoqërisë”, por shpirti dhe mendja e tij kishin hapësira të pamjaftueshme për të dashur njerëzit e vendit të vet dhe për të përthithur teorinë e mirëfilltë reformiste.
Kështu, gradualisht, javë pas jave, rrahagjoksi reformator, mbrojtësi i famshëm i Reformës në Drejtësi, i Reformës Universitare, i Reformës Territoriale, u bë gradualisht edhe çekuilibruesi i sistemit kushtetues dhe administrativ, varrmihësi i të drejtave të komuniteteve në shtet, zbrazësi i vendit nga populli, shkatërruesi i shumë qendrave universitare, që duheshin subvencionuar nga shteti, konsoliduesi i kastave universitare shtetërore dhe përkëdhelësi i pastruesve të parave në sistemin shkollor privat, mosvepruesi më i madh në plotësimin e reformave të idiotësuara, nga të cilat vuan sot vendi. Ai ndërhyri jo për ta përmirësuar Policinë e Shtetit, duke rritur profesionalizmin dhe pavarësinë absolute të organeve ligjzbatuese, por për ta shndërruar atë në polici politike, që vepron në mënyrë selektive në komunitet dhe në territor, një polici që u hap rrugën me sinjal të koduar ‘djemve të zgjuar’ dhe mbyt pa mëshirë shkelësit e vobektë të ligjit. Në vend të largimit në total të gjobëvënësve nga rrugët e qyteteve, nga portet, nga infiltrimi në sistemin e kreditimit, nga pengmarrja e industrisë, ai bëri të kundërtën: mbeti peng i gangsterëve, që financojnë “tërmetet elektorale” të burrave të fortë me kollare të PS anembanë Shqipërisë. Vendi sot ndodhet i kapërthyer nga banditizmi i promovuar nën rrogoz dhe kjo nuk është shpifje, por përjetim i çdo shqiptari të thjeshtë. Në shoqërinë e këtij vendi mbisundon bindja, se gjithçka e kanë në dorë njerëzit e këqij, ata që të vrasin me sicario të huaj, po u dole para në udhën e tyre të pandalshme të krijimit të zotnive të rinj. Media i bie vazhdimisht legenit për gjithçka të kotë dhe të plotë në këtë vend, por për ndyrësira të tilla nuk guxon të flasë asnjëherë.
Në pamje të parë, KM Rama ngjan si një predikues, që ka humb ekuilibrin dhe masën e veprimeve, por në anën tjetër kushdo e ka të qartë tanimë, se ai asht i vendosun të ecë në kundërkohë me Normën Kushtetuese, Traditën Themelonjëse, Parimet e së Mirës Publike, të Hierarkisë Drejtuese, balancës ndërshqiptare të ndërtimit të pushtetit etj. Ai sot po punon për të konsolidimin e sistemit të çmendur antishtet, që ai themeloi me një veprimtari të qëndrueshme, gradualisht dhe me vendosmëni të paepun. Ai është modeli i aventurierit pa ndjenja, që mashtroi duke u shfaqur si luftëtar për rregull e ligj, por që solli kaos dhe padrejtësi në çdo qelizë të sistemit të brishtë demokratik. Deri kur të jetë larguar vetvetiu, ai e ka ba damin më të pakthyeshëm në këtë vend. Madje, që sot ne kemi nji shoqni shqiptare të vendosun me kokë poshtë, të dorëzueme para veprimit të pandalun të “babaxhanit” ironik, me mjekër të bardhë dhe ushtarëve të tij me grada, që zbatojnë verbërisht urdhnat antikombëtarë të zhveshjes shoqnore të njerëzve të Shqipnisë. Brenda 6 viteve e gjysmë, ai ka ndërtue një shtet të atillë, i cili sot ndërhyn në mënyrë të pabesueshme brenda shtëpive, jo vetëm të gjykatësve dhe prokurorëve, por të të gjithë qytetarëve. Goditjen ma të randë ia dha klasës së mesme, në agimin e ardhjes në pushtet. Sot, vendi nuk ka një shtresë shoqërore të mendimit dhe veprimit indipendent, që mban kombin të lidhun me traditën dhe progresin, pa pasë frikë nga pushteti; ka veç individë dhe pak grupe që guxojnë, por jo një shtresë të gjanë intelektuale të lidhun nga parimet demokratike, pluraliste, që pengon, zmbraps dhe bën me pas frikë pushtetet kur cenojnë lirinë dhe të drejtat.
Njerëzit e arsyeshëm nuk mund të ishin me revolucionin dhe shkatërrimin rilindës, sepse ai ishte një shkatërrim i tejzgjatur dhe i lajthitur, por ata nuk arritën të bashkohen për shkak të represionit të heshtur, diskriminues dhe të përzgjedhur të pushtetit nga paskuintave. Veprime të tilla të ngjashme aventureske, eksperimentuese në histori kanë shkatërruar dhe traumatizuar shoqëritë e vendeve, pa arritur të ripërtërijnë asgjë, veç duke përmbysur rendin e gjërave dhe kodet tradicionale, mbi të cilat është ndërtue jeta publike.
Ardhja e Edi Ramës në drejtimin me dorë të fortë dhe jo racionale të vendit ishte me të vërtetë një aksident në historinë e tranzicionit, por në fund fare shfaqja e tij ishte produkt i asaj çfarë një shoqëri e dobët dhe e paformësueme qytetarisht, nxjerr në krye si rregull përherë. Ai është një prej aventurierëve të përkohshëm të politikës, që zhveshja e Shqipërisë së mjerë në vitet 1990, e nxori në skenën e teatrit të saj dramatik të tranzicionit. Ai mund të qëndrojë akoma në pushtet për inerci, por Shqipëria, për hir të pushtetit të tij, do të jetë edhe më tutje në agoni. Problemet që qëndrojnë sot para nesh, janë paqartësia e modelit korrigjues të katrahurës, që ai krijoi në të gjitha aspektet shoqërore dhe shtetërore të vendit, radha e reformave stabilizuese, njëmendësia dhe thellësia e tyre, modeli i tranzicionit dhe bazat konsensuale të marrëveshjes stabilizuese, modeli i rikthimit të legjitimitetit të përkohshëm dhe afatgjatë të Parlamentit dhe pushtetit autonom vendor. Rreziku i një korrigjimi alla “xhonturk”, d.m.th., i një reformimi gjysmak të sistemit kushtetues, elektoral, administrativ dhe politik, i paralajmëruem dikur nga Arshi Pipa, qëndron sërish mbi fatet modernizuese dhe normalizuese të Shtetit në vitin 2020. Madje, në qoftë se në fillim të viteve 1990 ne kishim shanset e përmirësimit të sistemit me kalimin e kohës, sot çdo gabim dhe improvizim i propozuem me mendjelehtësi dhe me interes personal, çdo fjalë e hedhun kot në tregun e “mendimtarëve” dhe e kthyeme më pas në linjë politike amatore, mund të randojë shumë për të ardhmen në paqe të vendit. Unë sërish i përmbahem tezës së reformimit rrënjësor të Sistemit Kushtetues, duke kthyer bazamentin funksional të vitit 1998, ose duke marrë modelin gjysmëpresidencial me kontroll të dyfishtë nga dy organe sovrane, të pushteteve të pavaruna.
Kjo nuk do të thotë ndalje e Reformës në Drejtësi, përkundrazi, vijim i saj përmes korrigjimit të klauzolave, që detyrimisht të çojnë sot padrejtësisht në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e strukturave të vjetra të organeve të diktaturës së etërve socialistë (veprimi më sabotues ky për reformën). Metoda që kanë përdorur vendet me probleme të ngjashme të korrupsionit politik, që degradon shoqninë demokratike është Themelimi i Qeverisë Tranzitive, me pushtet të ngarkuem dhe të përshkruem nga Parlamenti (të cilit duhet t’i kthehet legjitimiteti i përkohshëm i 25 shkurtit 2019), për ristabilizim kushtetues dhe administrativ. Hapi i parë duhet të jetë korrigjimi i ndarjes antikombëtare administrative, vendosja e Shqipërisë në balancë, korrigjimi i sistemit elektoral, vendosja nën kontroll e financimit të partive politike, hapja e rrugës së mbi 2 milionë shqiptarëve anembanë botës për të votuar për fatet shtetërore qeverisëse dhe derilindizimi i administratës, diplomacisë dhe administratës së drejtësisë.
Panorama
Add new comment