Kryeministrin ndoshta duhet ta informojnë më mirë

Postuar në 07 Janar, 2020 10:45

Shkruan sot kryeministri Edi Rama në Facebook:

Deri javën e shkuar, për 30 vjet me radhë, për të marrë një DËSHMI PENALITETI, aplikohej në postë, me një pagesë 430 Lek. Aplikimi shkonte tek zyra e gjëndjes gjyqësore, ku bëheshin verifikimet për RRETH 15 DITË mesatarisht dhe më pas, dëshmia i dërgohej qytetarit prapë në postë, ku ai duhet të shkonte përsëri për ta marrë.

Çdo ditë kryhen mesatarisht 400 aplikime të tilla, pra 12 mijë qytetarë në muaj shkonin mbanin radhë në postë, një herë për ta kërkuar dhe një herë për ta marrë dëshminë.

Sot ky shërbim kryhet me ZERO LEKË, përmes smartfonit apo kompjuterit, duke hyrë në portalin e-albania, ku BRENDA 6 DITËSH vjen edhe përgjigja me vulë elektronike

Kuptohet ka edhe një video promocion.

Ky postim ilustron sesa i painformuar është ky njeri që është zgjedhur të qeverisë këtë vend.

Së pari kërkesa e dëshmisë së penalitetit me postë nuk aplikohet prej 30 vjetësh. Shërbimi në fjalë përmes postës u vendos gjatë qeverisë Berisha dhe në atë moment ishte një çlirim me të vërtetë i madh. Zotit Rama nuk i është dashur ndoshta dëshmia e penalitetit, sepse ndoshta – por ndoshta ama- ka përfituar kalimin e kufirit me statusin e hipiut apo bohemit siç përshkruhet me eufemizëm ai në qarqet e veshura mirë të Tiranës.  

Për të marrë dëshminë e penalitetit njerëzia dyndeshin te rruga e Kavajës dhe pranë një vrime që ishte institucion shtetëror shtyheshin dhe ngjesheshin deri sa u vinte radha. Më tej tërheqja te Ministria e Drejtësisë por me apel. Pra pa radhë. Ka dallim mes shërbimit në postë dhe radhës sepse ata që e kanë provuar e dinë shumë mirë se posta ka zgjidhur mjaft sëkëlldi në këtë drejtim.

Sot mundet që të jetë bërë një punë shumë e mirë që ta marrës këtë dokument përmes portalit, por sërish afati gjashtë ditor provon se Ministria e Drejtësisë thjesht merr aplikimin përmes portalit dhe përpunon atë duke ofruar një dokument që pajiset me vulë elektronike. Ajo nuk ka bazë të dixhitalizuar si Gjendja Civile p.sh e cila e ofron certifikatën në çast. Heqja e pagesës? Patjetër gjë shumë e mirë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.