Seriali “Besëlidhja”, në pritje të episodit: Duke u lutur për shqiptarët e Mi!

Postuar në 17 Dhjetor, 2019 09:44
Shaptilografisti

 

Mirëmëngjes! 

Sot është dita e 22-të që nga tërmeti i 26 nëntorit. Rituali është kthyer. Edhe për ata që jetojnë në çadra. Ha bukë, fle, çohesh, lan dhëmbët, dëgjon muzikë, nisesh për punë. 

Lajmet mos i harro! Çfarë ka ndodhur sot? Ja ta hap pak cel apo radion në makinë. Pret të dëgjosh se çfarë është bërë. Fundja kjo ka rëndësi. 

Oferta që ke është predikim. Tashmë vëmendja po spostohet avash avash drejt theksimit të asaj që Thotë dovleti, jo asaj që bën. Atë që bën qeveria nuk e zbërthen mirë kush, as gazetarët keqdashës, as ata mirëdashës, as intelektualët që janë zhdukur si specie sepse evoluan drejt moralit të karriges. 
Ndaj punët e qeverisë janë çështje e qeverisë. Ne të hapim veshët e të dëgjojmë predikimin e sotshëm. Sot kryeministri ka thënë: 

Fjalët e Shenjta: Më mirë të jetoj sikur ka Zot dhe kur të vdes të dalë që nuk ka, se sa të jetoj sikur s’ka Zot dhe të më dalë përpara kur të vdes

Nuk e ka thënë as vetë një gjë të tillë. E ka thënë një shkrimtar francez, por ça rëndësie ka? Edhe prifti apo hoxha citon të tjerë, nuk thonë gjë nga vetja. 

Hapni veshët, hapni zemrën! Në punë, në makinë e në lokale. Në spitale dhe në burgje. Jetoni sikur ka Zot! Ka kush ua kujton këtë mësim edhe pse përvoja nuk ua mëson. 

Është mësuesi i madh që çdo mëngjes hap një faqe të re. Për Ne. Për të ardhmen. Gjushi, Damiani, Saje Qorri, Elisa, Beni, Iliri, janë dishepuj të një kohe tjetër. Janë dishepuj që nuk u bënë dot Apostuj. Ndaj Fjala e Mirë do përhapur ne vetë të parë. Mësuesi, me mjekrën e bardhë, teksa e ka luajtur si virtuoz, shqiptarçe dhe ’99-she detyrën e Kryeministrit që sepse na gënjejnë, apo gënjejmë veten që ia kemi ngarkuar Ne, tani i ka mbeshur vetes Misionin e madh. 

Të themelojë bashkësinë e shqiptarëve të mirë, të bëjë besëlidhjen me moralin e ri. Ai vetë. Është kudo, me kamera me vete, veshur thjeshtë. Kuptohet Ai nuk hyn në qytet me gomar, sepse nuk ka kohë. Kjo është një kishë e një lloji të ri: atë e paguajmë ne. Po zëvendësohet shkolla, familja, mësuesi, shoqëria. Po sfidohen nga zemra e hapur, nga dora bujare e dikujt që luan rolin e atij që ka pësuar një krisje të thellë shpirtërore. Mos të çuditemi kur një ditë të shohim foton me diçiturën: Duke u Lutur për Ju! Ose më guximshëm: Duke u lutur për shqiptarët e Mi! 

Mos të çuditemi, e as mos të flasim, sepse mund të na akuzojnë për farisej tani që ujku zgjodhi të veshë lëkurën e qingjit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.