Enverizmi, një formë e mënjanimit të mendimit filozofik në komunizëm

Postuar në 19 Nëntor, 2019 21:13

"Kultet e komunizmit” ishte tema e Konferencës së III Kombëtare për totalitarizmin, e mbajtur pak ditë më parë në një nga sallat e Fakultetit të Shkencave Sociale.

Studiues, profesorë të sociologjisë, shkencave politike, historisë dhe filozofisë në kumtesat e tyre analizuan ngritjen e kulteve të ideologjisë komuniste.

Sistemet komuniste si ai që u instalua në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, pashmangshmërisht kanë krijuar kultet e udhëheqësve dhe të partisë, dhe krahas tyre edhe kulte të tjerë, si kultet e klasikëve të marksizëm-leninizmit, të “njeriut të ri”, të dëshmorit, të heroit të punës socialiste etj.

Në Shqipëri, sidomos pas shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik, nisi të përvijohej enverizmi, si një prirje ideologjike e veçantë brenda marksizëm-leninizmit.

Sipas studiuesit Muhamedin Kullashi, kjo vjen në funksion të mënjanimit të filozofisë nga teoritë marksiste leniniste. 

Sidomos pas shkëputjes së marrëdhënieve të regjimit të Enverit me Bashkimin Sovjetik, atëherë do të jetë më e theksuar ambicia që në tekste dhe shkrime të dalë si ideologu kryesor i marksizëm-leninizmit. Logjika është shumë e ngjashme me regjime të tjera komuniste, në pikëpamjen që edhe aty pretendimi është se shefi i partisë dhe shtetit shpjegon se ç’është dija, ç’është njohuria, ç’është shkenca dhe çfarë duhet të jetë arti. Faktikisht është fjala e imponimit të skemave të varfra në këto fusha, qoftë në kërkimin shkencor, qoftë në kërkimin artistik. Kështu kemi edhe mënjanimin e filozofisë, sepse në manuale të tilla nuk do të gjejmë një mendim filozofik si duhet, por vullnetin e majës së pushtetit-parti që faktikisht mënjanon forma të dijes dhe krijimtaria e lirë, qoftë në filozofi, në shkenca ose në arte

thotë Kullashi për Tema TV.

Filozofia si mënyrë kritike e të menduarit nis të shkëputet nga manualet marksiste-leniniste.

Për studiuesin Kullashi, kjo nis që në vitet ’20 në Bashkimin Sovjetik, prej ardhjes së Stalinit në pushtet, për të vijuar në mënyrë progresive përgjatë dekadave deri në rrëzimin e këtyre sistemeve.

Shikoni ato manuale. Nuk ka filozofi dhe jo rastësisht. Nuk është thjesht pse ishte e vështirë, por e dinin shumë mirë se të menduarit e tillë kritik është i rrezikshëm për regjimin, për shtetin-parti, për regjimet komuniste, si një mënyrë që përsiat, që bën pyetje, që problematizon, që nuk merr asgjë të gatshme edhe në fund të fundit një mënyrë e të menduarit që supozon një shumësi të mënyrave të kërkimit, të studimit, të hulumtimit. Marksizëm-lenizimi i mënjanon këto, e mënjanon të menduarit filozofik dhe imponon si të vetmen suazë të mundshme të shpjegimit të shoqërisë. Manualet do të jenë gjithnjë e më të varfra, në vitet ‘50, ‘60 deri në rënien e regjimit kemi këtë varfërim të filozofisë

thotë Kullashi.    

TvT

Më poshtë, intervista e plotë: 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.