Shëngjini meriton më shumë vëmendje

Postuar në 17 Nëntor, 2019 15:47
Skerdilajd Zaimi

 

Për Shëngjinin flitet pak në mediat e Tiranës. Kur vjen fjala te turizmi, mediat i lëshohen me revan Jugut apo luginës së Valbonë dhe zhgarravisin apo kopjojnë shkrime me perla dhe xhevahirë. Shëngjini sillet në vëmendje për ndonjë sherr mes plazhistëve që qëllon që shpesh janë nga Kosova.

Gjiri i kësaj qyteze që shërben si liman i Lezhës, por edhe si njësi më vete, nuk ka të sharë. Nga njëra anë laguna e Kune Vainit, nga ana tjetër kodrat e mbjella me pisha që çojnë drejt një destinacioni më të përfolur si Rana e Hedhun apo Velipoja. Plazhi që lidh qytezën me Lagunën është i mbipopulluar në verë dhe rruga e rindërtuar në vitin 2013 ka zgjidhur disa probleme. Vetë zona e plazhit nuk është prekur nga ndërtimet e mëdha si në Durrës apo Sarandë, por shërbimet duhet thënë se lënë të për të dëshiruar.

Tjetër gjë konstaton në qytet. Nëse shkon në distanca mujore, syri të pak menjëherë ndryshimin. Godina të larta që shtohen, tabela që shkruajnë “shitet”, apo “jepet me qera”, të gjitha të grupuara rreth të vetmes rrugë mbi të cilën nuk është vënë dorë. Zona më e dëmtuar e këtij gjiri është ajo veriperëndimore. Aty ku lidhet porti me ish-bazën ushtarake detare. Një rrugë e keqe që kalon nëpër një kodër të mbuluar me pisha dhe ku vazhdon gërmimi dhe ndërtimi.

Baza detare e Shëngjinit ka qenë një nga më kryesoret. Sot aty ka vetëm ca anije të braktisura, një tunel i vetmuar që qarkohet nga hotele që sa vijnë dhe shtohen. Shqipëria po i çmonton me shpejtësi gjurmët e komunizmit, simbolet e tij dhe kjo ndodh edhe në këtu. Skaliera që zgjaten vit pas viti, plazhe private, rrethime përkrah godinave të vjetra që bartin ende shënimet e një kohe tjetër.

Edhe një ndër gjërat më të veçanta të këtij minipylli pishash, plantacioni natyror i shegëve të egra po ekzekutohet nga ndërtimet. Në nëntor syri kënaqej me ngjyrën e shegëve që e hijeshojnë me virgjërinë e natyrës një gji të invaduar në të gjithë drejtimet nga njeriu. Sot kjo ngjyrë po humbet gradualisht për t’u zëvendësuar me tulla dhe asfaltin. Kosto e pashmangshme e zhvillimit.

 

Me sy të lirë kuptohet se Shëngjini ka marrë një drejtim që nuk përligjet nga potenciali i tij. Aty investohet për turizëm, por peshkimi, laguna, natyra dhe rëndësia ushtarake që ka natyrshëm ky gji nuk do të mund të shpërfillen gjatë.

Në këtë zonë po hidhen para për një ofertë të njëanshme: pushimet sezonale, por në heshtje aty ka në përditmëri një pelegrinazh shumë interesant dhe shlodhës. Peshkimi sportiv. Nga Tirana dhe zonat përreth shkojnë përditë në gji për të peshkuar, afër lagunës që tashmë është rrethuar dhe dhënë me koncesion, në det dhe në zonën e ish-bazës ushtarake.

Ka një ekonomi modeste mbi këtë aktivitet, një zinxhir punësh që sepse të shkëput nga zhurma e Tiranës dhe kotësia e kafeneve të saj.

Në mëngjes herët makinat parkohen në lokalet që qëndrojnë hapur dhe aty blihet ushqimi. Me motorrë dhe makina janë përherë të gatshëm të shesin dhe të thonë se ku mund të gjuhet. Në Lagunë, në plazh, te skaliera, në port. Shëngjini është shumë i pasur me peshk dhe peshkimi aty është përherë një kënaqësi që ndërthuret me natyrën, më agimin e paqtë mbi det. Peshkohet edhe në lumë, në përrua me rrjeta artizanale që i ngjajnë hojeve të stërmëdha që qëndrojnë gati. Është ndër ato vende që kanë mundësi ekonomike të pashfrytëzuara dhe ca më keq të keqkuptuara.

Sëmundja e ndërtimit pa kriter ka prekur këtë rajon që duhet parë dhe shijuar për atë që ka kryesoren: peshkun, shpezët dhe natyrën. Plazhi është patjetër një pasuri, por strukturimi i ofertës turistike drejt një turizmi sezonal do të atrofizojë aktivitete që përndryshe janë shumë të dobishme.

Qeveria ka marrë masa që të ndalojë përdorimin e rrjetave afër bregut. Çdo gjë ka mbetur në letër si zakonisht. Qeveria po ashtu ka marrë masa që çdo produkt shtazor apo peshkimi të shoqërohet me etiketë. Kjo është padyshim një masë e mirë, por ajo përgatit rrugën drejt asgjësimit të tregut të vogël, atij që është jo vetëm mundësi ekonomike, por edhe afirimim tradite. Mishin e derrit që rritet shumë në Ultësirën Perëndimore njeriu do ta blejë me të njohur, sikundër peshkun e ble në liman drejtpërdrejt. Këto nuk duhen cenuar nga mania e hiperregullimit sepse do të vijë puna që edhe kosin do na e ndalojnë ta zëmë në shtëpi sepse nuk kemi për të gjetur qumësht të paskremuar.

Shëngjini meriton vëmendje tjetër sepse herët apo vonë ajo pasuri që i ka falur natyra që sot fle, apo shfrytëzohet keq do të marrë vlerën e vet. Njerëzit vetë, në një mënyrë apo tjetër kanë bërë sa kanë mundur. Në Shëngjin mungon dora e shtetit që të japë një drejtim dhe të fusë në shina një rajon që do të zgjidhte shumëçka për rrethinat.

Të kujtohet një thirrje e z. Berisha kur ishte kryeministër: Kombi drejt detit! Po, drejt detit, por jo me sëpatë dhe lopatë në dorë. Sepse e kemi parë se çfarë na kënë bërë këto gjetkë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.