Sikur qeverisja të vlerësohej si formular dekriminalizimi!
Opinioni i interesuar për politikën u njoftua dje me haberin e radhës: Kajmaku, kryebashkiaku socialist i Vorës ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Ai ka mbajtur emrin Jorgo Toto në Greqi. Dispozitat ligjore shqiptare e bëjnë të qartë: gënjeshtra në këtë rast të penalizon, pavarësisht se mund të mos kesh bërë asgjë në shkelje të ligjit.
Zoti Kajmaku mund të ketë të drejtën e vet, por ndërsa pas muajsh mohimi u detyrua të pranonte se dikur ka qenë edhe Jorgo në Greqi, sot ai e sheh veten edhe një lloj viktime të pafuqisë së partisë së tij për të përballur problemet që krijon vetë.
Pak ditë më parë, kryeministri Rama, ndoshta në dijeni të kësaj që po ndodhte me kandidatin e tij në Vorë, paralajmëroi se do të propozohet një ligj që dënon me burg ata që gënjejnë në formularin e dekriminalizimit. Mirëpo kjo është të lash duart si Pilati, sepse z. Rama përdor dy standarde. Ai shpall se distancohet nga një gënjeshtar siç mund të quhet tashmë Kajmaku apo Valdin Pjetri, por del dhe bën avokatinë për njerëz të akuzuar për korrupsion si Vangjush Dako, apo Tom Doshi. Të dy këta janë shpallu non grata nga SHBA me akuzën se janë përfshirë në akte korrupsioni, mirëpo në daljet e veta publike z. Rama ka deklaruar se “ai nuk e ka këtë informacion”. Duke u ndarë këtu nga miqtë amerikanë formalisht dhe thjesht në llojin e informacionit që disponon. Pra ne nuk dimë që Dako është i korruptuar, ai po gjykohet, apo po hetohet dhe mbi të vepron parimi i prezumimit të pafajësisë. Miqtë amerikanë, punë e tyre, kanë informacione të vetat.
Kushdo që është me një arsim tetë vjeçar e ka të lehtë të kuptojë se diçka nuk shkon në këtë sjellje. Se irritimi me gënjeshtrat e Kajmakut dhe Pjetrit janë një teatër sa kohë që Doshi dhe Dako, apo edhe Gjiknuri, merren në mbrojtje personale, madje në ndonjë rast edhe duke sqaruar hollësi proceduriale të tipit: përgjimi nuk është provë.
Dhe kjo anomali nuk gjurmohet me intuitën e dikujt që i stonon logjika laramane e kryeministrit; ajo konfirmohet me faktin se z. Rama është shfaqur si një dishepull fanatik i reformës në drejtësi, të cilën e mbron dhe promovon me kredencialin se atë e bëjnë amerikanët.
Për të kuptur manovrimet e kryeministrit me kësi gjërash mjafton një episod që qarkullon mes ministrave të tij. Para tre vitesh, një njeri shumë i afërt i tij në qeveri i përcjellë kryeministrit një raport shqetësues për një titullar të një enti qeveritar, duke nënvizuar korrupsionin e dukshëm. Sipas burimeve në fjalë, z. Rama reagoi: Mos u merrni me gra dhe budallallëqe grash!
Sigurisht që ky episod nuk verifikohet dot sepse është një bisedë, por ai merr kuptim tek përgjimi i famshëm i Shkodrës ku kryeministri fliste “për drejtorët që na nxjerrin bojën”.
Fakt është se denoncuesi i përmendur më sipër sot nuk është më afër kryeministrit, kurse titullarja në fjalë, është në kulmin e karrierës së vet. Për atë që punon në administratë e ka të qartë fare mirë se një mesazh i tillë nga Lart, qoftë edhe i shprehur ashtu në mënyrë “shoqërore” është urdhër për ta lënë atë mesele.
Theksojmë: kjo mund të jetë një ndër thashethemet e shumta që gëlojnë si zakonisht, por këtu nuk ka ndonjë vlerë vërtetësia konktrete, por fakti se ai tipizon atë sjellje që e shohim kudo. Të korruptuarit në Shqipëri ndahen në dy kategori: të korruptuar të cilëve nuk ke çfarë t’u bësh dhe të korruptuar që mund të shiten si mall teatri. Viktima të showt politik.
Kajmaku nuk është as i korruptuar, në kuptimin që ndaj tij nuk ka ndonjë akuzë të tillë. Ai thjesht e pëson nga një marifet i zakonshëm shqiptarësh në Greqi. Vënë përballë kësaj sjelljeje, apo mbrojtjes p.sh të paprecedent dhe të pashpjegueshme që z. Rama i bëri Elvis Roshit, z. Kajmaku është thjesht viktimë e pafuqisë së vet politike dhe impotencës së partisë që e ka zgjedhur për të menaxhuar një lojë politike që po prodhon shumë kosto. Një lojë e cila ka tradhëtuar çdo lloj demagogjie dhe parimi, ka prishur çdo standard normaliteti mbi të cilin mund të diskutosh apo gjykosh për fajësinë dhe përgjegjësinë, sepse sapo mbyllet një hesap, hapet tjetri.
Shikoni me çfarë lehtësie ish-ministri i Infrastrukturës, Gjiknuri argumenton atë që ndodhi në Dibër: Unë e kam tepruar me ndonjë fjalë aty. Përtej procedurës së ndjekur për përgjimet dhe lojës së pistë të PD-së, por edhe faktit se PS-ja i fitonte realisht zgjedhjet në Dibër, vallë vërtet fjalët e papërshtatshme të z. Gjiknuri mbeten si njollë? Shumëkush e di fare mirë se kjo nuk është e vërtetë. Por siç thamë ka disa “çuna problematikë” që nuk u hyn gjemb në këmbë dhe ka ca të tjerë që e hanë me një tiutll portali. Apo titull PD-je, meqenëse edhe PD-ja portal është.
Seriali i ngjarjeve si kjo e Kajmakut, ndonëse teknikisht nuk ka sjellë ndonjë gjë pozitive, veç largimeve të kandidatëve të zgjedhur në votimet e fundit, një gjë e ka sjellë. Ka shndërruar qeverisjen në një realitet artificial procedurash dhe formularësh ku raporti me të vërtetën përcaktohet jo nga punët e bëra apo arritja e objektivave, por nga biografia penale e personave të zgjedhur. Kjo është padyshim stampa më e ulët që një qeveri mund të ketë.
Debati për kësi temash nuk nxjerr asnjë fitues. Sepse askush nuk do të fitojë këtu. P.sh PD-ja deklaroi se ka edhe tetë raste të tjera me probleme si të Kajmakut dhe nuk po bën më publike asnjë. Ush vallë beson se pas dekriminalizimit ka një vullnet real të opozitës, është naiv. Aty ka vetëm një frikë për të ndalur një proces që pa dashur po zbardh shkallën e implikimit të politikës me kategori të papërshtatshme dhe paaftësinë e saj për të afruar njerëz apo vlera të tjera.
Ndaj edhe avokatia e z. Rama ngjan më shumë ndonjëherë si luftë personale për imazhin e vet apo pse jo hallet e veta. Në çdo rast, meqenëse kryeministri ka bërë shpesh avokatin këto kohë, do të ishte me interes të shihej sesi do ta plotësonte ai karakteristikën gjashtë vjeçare të qeverisjes së vet. Dhe nëse kjo karateristikë të vlerësohej me kriteret e formularit të dekriminalizimit, vallë z. Rama do të ishte i aftë të dilte pa asnjë mashtrim aty?
Re.Pu
Add new comment