Mediat serbe spekullojnë se SHBA po zbaton skenarin "Gruevski" ndaj Albin Kurtit

Postuar në 08 Tetor, 2019 11:44

Një lëvizje pas zgjedhore e Partisë Demokratike të Kosovës për rinumërim votash duket se njofton skenarë të mundshëm për të nxjerrë jashtë loje në formimin e qeverisë Lëvizjen Vetëvendosje. Së pari vetë kërkesa, ndonëse legjitime, hap spiralen e kontestimit dhe korrigjimit eventual të përqindjeve, ndërkohë që menjëherë sapo rezultati u u bë i qartë, nga Beogradi nisën intrigat dhe presionet.

Media të ndryshme nënvizuan faktin se për krijimin e qeverisë së re një fakto përcaktues është edhe Lista Serbe e cila me përkufizim kushtetues duhet të jetë e përfaqësuar në qeverisje. Mirëpo Serbia nuk duket e gatshme që të pranojë si opsion të parë një qeveri të drejtuar nga LVV-ja. Gazeta “Vecernje Novosti” spekullon sot përmes një shkrimi në të cilin referon burime diplomatike, se SHBA-të po presojnë për krijimin e një qeverie mes PDK-së dhe LDK-së, më saktë Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, një aleancë kjo që cilësohet si “një ndër tre kombinacionet paszgjedhore për formimin e qeverisë së re”.

Gazeta nuk sqaron se përse ky presion i SHBA-së, ndërkohë që pak ditë më parë, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i njohur si shakaxhi patologjik, deklaroi se ai e dinte që më parë rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Lista Serbe faktorizohet në këtë ekuacion përmes kushteve që zbardhen nga Beogradi: heqja e taksës mbi mallrat serbe, zhbllokimi i formimit të Asosacionit të Komunave Serbe dhe përmirësimi i gjendjes së komunitetit serb në Kosovë.

Këto kushte duken qartë se i vihen si një lloj ultimatumi Kurtit, i cili ka ndërtuar karrierën dhe suksesin politik mbi kundërshtimin e tyre. Ndonëse ai ka pranuar se do ta zëvendësojë taksën për mallrat serbe me reciprocitetin, për Asosacionin është diçka e paimagjinueshme që të premtohet a priori. Nga ana tjetër kreu i Vetëvendosjes njoftoi dje përmes një interviste për Top-Channel se do të niste një fushatë nga poshtë – lart për të bindur të gjithë aktorët në formimin e qeverisë së re. I pyetur për pajtimin me serbët, Kurti nënvizoi se ai është për integrimin e tyre, pasi pajtimi do të vijë në momentin kur Serbia, jo serbët e Kosovës, të kërkojë falje për krimet e bëra.

Teknikisht Kurti ndodhet në të njëjtën situatë që u ndodh Nikolla Gruevski, ish-kryeministri i Maqedonisë, i cili ndonëse doli parti e parë në zgjedhje, u refuzua në blok nga spektri politik shqiptar që deri në atë moment kishte bashkëqeverisur me të. Arsyeja e vetos ndaj tij, veto e cili shpërfilli edhe votën, ishte presioni amerikan, i ushtruar përmes Tiranës zyrtare, e cila shiti në opinion një marrëveshje bashkëpunimi mes partive shqiptare që koordinuan Jo-në e tyre ndaj Gruevskit.

A do të ketë Albin Kurti fatin e ish-kryeministrit maqedonas? Do të ishte padyshim një grusht shteti mbi logjikën elektorale dhe momentumin e krijuar nga vota e 6 tetorit në Kosovë. Sidomos po të mbahet parasysh se drejtuesi i PDK-së, Kadri Veseli, deklaroi kalimin në opozitë. Askush nuk ka të drejtë të kushtëzojë LVV-në me kërkesa të ekzagjeruara, të cilat edhe nëse do të pranohen, në fakt do të minojnë normalitetin e punës së një qeverie e cila nuk mund të mendohet pa Vetëvendosjen.

Ndaj spekullimet e mediave serbe për momentin duhet konsideruar diversione që lidhen me pasigurinë e madhe që krijon për pozitën e Vuçiç, por edhe të Edi Ramës, dalja si violinë e parë në Prishtinë e Kurtit, që do të thotë zhbërje e të githë planit të ndarjes së Kosovës dhe marketimit të tij si marrëveshje historike serbo-shqiptare.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.