Protokollet e fundit: Si e përjetoi Stasi fundin e RDGJ-së
"Shumë sekret!" shkruhet në shkresën e zverdhur lehtë të 8 tetorit 1989 lidhur me "gjendjen aktuale të politikës së brendshme në RDGJ". Ditë ma parë regjimi komunist me kreun e shtetit dhe të partisë, Erich Honecker në krye kishte festuar 40 vjetorin e Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). Por në këtë raport prej gjashtë faqesh të Ministrisë për Sigurinë e Shtetit - shkurt Stasi -nuk bëhet fjalë për festën. Përkundrazi: në të shprehet droja, se "shteti socialist dhe rendi shoqëror në RDGJ ndodhen në rrezik serioz".
Se sa me vend ishte ky shqetësim, kjo u tregua një muaj më vonë: Më 9 nëntor ra muri i Berlinit. Fundi i RDGJ-së tashmë ishte çështje kohe, asnjë vit nuk kalon deri në ribashkimin e Gjermanisë më 3 Tetor 1990. Në këtë kohë Stasi i përkiste historisë. Kjo strukturë u shpërbë nën presionin e aktivitëteve të të drejtave të njeriut gjatë revolucionit paqësor. Ironia e historisë: Të dhënat për Exitus-in që po afronte gjenden në raportet sekrete të SED-së (Partia e Bashkuar Socialiste e Gjermanisë), të cilat tashmë janë përfshirë në librin "RDGJ në vështrimin e Stasi-t" për vitin 1989.
Në informacionin "Information Nr. 519/89" të 5 dhjetorit 1989 përshkruhet në mënyrë të detajuar, se si 50 opozitarë depërtojnë në zyrat e Stasi-t në qarkun e Leipcigut. Sipas këtij raporti ata e mbajnë të pushtuar objektin "në pikat nevralgjike të tij". Pasoja: "Zyra e qarkut nuk është e aftë të veprojë." Forcat aktive janë grupimet me emra programatikë si: Nisma për Paqen dhe të Drejtat e Njeriut (IFM), Forumi i Ri (NF), Fillimi Demokratik (DA). Emra, që në vjeshtën e vitit 1989 shfaqen gjithnjë e më shpesh në protokollet e Stasi-t.
Protagonistët përshkruhen në zhargonin tipik të Stasi-t. Bëhet fjalë për "funksionarë të kishës të njohur si reaksionarë dhe të tjera forca armiqësore opozitare". Njerëz si Peter Grimm, bashkëthemelues i IFM dhe redaktor i gazetës në ilegalitet "Grenzfall" (gjendja në kufi). Një ngjarje kyç për asokohe 24 vjeçarin ka qenë reagimi i RDGJ-së ndaj mposhtjes brutale të lëvizjes demokratike në Kinë: Sundimtarët në Berlinin Lindor u solidarizuan në mënyrë demonstrative me komunistët në Pekin.
Dita e ndryshimit
"Një përshkallëzim ishte i parashikueshëm", thotë Grimm 30 më pas. "Kush sillet në mënyrë iracionale, është i paparashikueshëm." Frika nga një reagim i ngjashëm i regjimit të RDGJ që ndodhej në vështirësi ndaj popullit të vet më 1989 është reale. Këtë e parashikon me sa duket edhe përgjegjësi i SED-së për qarkun e Drezdenit Hans Modrow. Në Perëndim të Gjermanisë ai konsiderohej si shpresëdhënës. Njëri, që sipas modelit të kreut të asaj kohe në Kremlin Michail Gorbaçov, mund të nxiste reformat në RDGJ.
Dhe vërtetë është Modrow ai, që katër ditë pas rënies së murit në Berlin ndjek një kurs të ri si kryeministri i ri në vend. Aktivistët e të drejtave qytetare e imponojnë atë të ulet në një tryezë të rumbullakët dhe që në shkurt 1990 të pranojë opozitarë në kabinetin qeveritar. përpjekja e Modrow-it për ta shpëtuar Stasi-n në epokën e re me emërtimin "Enti për Sigurinë Kombëtare" (AfNS) dështoi.
Asnjë fjalë për rënien e Murit të Berlinit: 40 vjet me radhë Stasi i plotfuqishëm në fund u paralizua prej dinamikës së ngjarjeve, aq sa rënia e Murit të Berlinit - hapja e kufirit më 9 nëntor në protokollet e tij nuk përmend me asnjë fjalë. Historiania Daniela Münkel hamëndeson edhe sot për arsyen e këtij boshllëku të pakuptueshëm në një strukturë që protokollonte gjithçka me pedantizëm për vitin 1989. Një shpjegim i mundshëm është, se rënia e murit u shfaq drejtpërdrejt në televizion. "Çfarë të raportosh?", mendon botuesja e serisë aktuale të librave me titullin "RDGJ në vështrimin e Stasi-t".
Stasi në Drezden
Në nëntor 1989 Stasi ishte i preokupuar vetëm me ruajtjen e ekzistencës së vet, thotë Daniela Münkel. Kjo përpjekje e dështuar pasqyrohet edhe në raportet e Ministrisë së Sigurimit të Shtetit. Kur muri qe i hapur prej pesë ditësh, në një raport Stasi shkruan për "gjendjen aktuale" duke bërë madje reklamë për çështjen e vet: "Në diskutime të shumëllojshme punonjësit e Ministrisë për Sigurinë e Shtetit shprehin vullnetin e tyre për të bashkëpunuar në mënyrë aktive për mbështetjen e kursit të ndryshimeve dhe rivendosjen e raportit të besimit mes partisë dhe popullit."
Por tashmë për këtë është tepër vonë. Kthesa është e pandalshme. Konkluzioni i historianes Daniela Münkel: "Në gjysmën e parë të vitit 1989 Stasi ende i ka të gjitha nën kontroll." Kjo ndryshoi, kur opozita e RDGJ-së u shndërrua në lëvizje masive. Stasi përpiqet të shpëtojë çfarë të mundet dhe në fund Ministria për Sigurinë e Shtetit kthehet në kronisten e dështimit të vet".
DW
Add new comment