Koncesionet, Banka e Shqipërisë: Asnjë bankë nuk financon dot projekte mbi 100 milionë euro

Postuar në 12 Shtator, 2019 19:49

Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë se po përdor të njëjtën skemë si ajo e Unazës së Re në rastin e koncensioneve për rrugët Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren. Në lidhje me këtë të fundit, kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se punimet i janë ngarkuar një firme që nuk ka kapitalin e duhur financues për projekte të tilla.

“Ajo çfarë votohet sot nga landfilli i republikës është një vjedhje me ligj. Sepse ky është një projekt i ardhur me propozim të pakërkuar, por i diskutuar në restorantin privat të kryeministrit dhe në disa restorante të tjera luksoze të oligarkëve përreth Kryeministrisë, të bërë gjoja në emër të një kompanie të vogël që, zyrtarisht, është në pronësi të familjes Kola, ish- deputetit të Partisë Socialiste, Ndue Kola dhe që për partner në punime ka klonimin e vetvetes përmes hapjes së një kompanie që nuk ka kryer asnjë punë deri më sot “Bardhi Konstruksion, sh.p.k”, e krijuar në fund të vitit 2018 me kapital 100 mijë lekë”, tha Basha.

Por si mund të financohen projekte të tilla me vlerë madhore, në kushtet kur kompania nuk ka kapitalin e nevojshëm? Opsioni kryesor është ai i kreditimit nga bankat. Në një përgjigje për Tema TV në lidhje me këtë mundësi, Banka e Shqipërisë sqaron se asnjë bankë e nivelit të dytë nuk e ka këtë kapital financimi. Bankat në vend mund të financojnë deri në 100 milionë euro, ndërkohë kostoja e rrugës Milot-Balldren është përllogaritur në vlerën 295 milionë euro.

Nëse supozojmë që ekspozimi do të jetë bruto, dhe i referohemi mundësive të financimit për projekte mbi 100 milionë euro, asnjë bankë e vetme nuk e kënaq këtë financim, po ti referohemi vetëm treguesit të ekspozimeve të mëdha, sipas të cilit nuk lejohen ekspozimet më të mëdha se 20% e kapitalit rregullatorthuhet në përgjigjen e BSH.

Banka e Shqipërisë po ashtu sugjeron se banka të huaja mund të financojnë, por deri më tani vetëm rruga Durrës-Kukës është financuar me kredi tregtare nga Deutsche Bank, ndërkohë që shumica e projekteve të tjera infrastrukturore nuk dihet të jenë financuar nga bankat.

Pas rrëzimit nga Parlamenti të dekreteve të presidentit Meta, Ligji për koncensionet për rrugët Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren hyn në fuqi, duke i hapur rrugë zbatimit të projektit. Por ajo që nuk merr përgjigje është pyetja: Me çfarë parash do të financohen?

TemA Tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.