Kontratat e ndërtimit, trashëgimia historike e Rilindjes për Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në konferencën e sotme për mediat se modeli i ndjekur me Teatrin Kombëtar, do të ndiqet edhe për ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare dhe Kampusit të ri Universitar.
Nuk kemi lekë për t’i ndërtuar vetë. Si mendoni ju se do t’i ndërtojmë? Do ftojmë investitorët. Nuk mund të presim edhe një gjeneratë sa të mbledhim ne lekët
tha Rama.
Pra qeveria shqiptare nuk ka lekë për të ndërtuar një bibliotekë, një teatër dhe një kampus universitar. Por kjo qeveri, pra e njëjta, e ka shumë të lëshuar dorën kur vjen puna për të koncesionuar rrugë që i shpall si të klasit A. E ka shumë të kollajtë që projektin e rrugës Thumanë – Kashar të miratuar për 93 milionë dollarë, ta koncesionojë për 250 milionë euro, e ka shumë kollaj që të japë me 20 milionë euro/km në Unazën e Madhe, e ka shumë të thjeshtë ta bëjë rrugën Milot – Balldren me 200 milionë e më shumë euro dhe e ka po kaq të lehtë që një rrugë 14 km në Orikum ta japë për më shumë se 70 milionë euro.
Ka studime për këto rrugë? Ka studime për vëllimin e lëvizjes, për impaktin ekonomik dhe mbi të gjithë për kostot që krijohen për qytetarët?
Një qeveri që nuk ka lekë thërret në ndihmë privatin. Dakord. Por nuk duhet të harrojë se kjo nuk mund të bëhet duke ngarkuar me borxhe mbarë shoqërinë për breza të tërë. Kjo është një qeveri që mori një mësim te rruga Durrës-Kukës, kur u ngjeshi banorëve një faturë prej 5 euro në kalim dhe pas gurëve dhe zjarrit u kujtua se duhet të ndryshonte diçka.
Ndaj ky vullneti për të ndërtuar me çdo kusht dhe me nxitim nuk shpjegohet i dashur kryeministër. Borxhi që po krijon është më keq sesa mungesa e parave që pretendon se nuk i ke në buxhet. Po flasim për qindra milionë euro investime. Cilat janë këto kompani që i kanë këto kapitale? Cilat janë këto banka që do financojnë?
Duhet të përgjigjesh edhe pse nuk t’i bëjnë këto pyetje, pasi qeveria ka për detyrë jo vetëm të “lypë”, por edhe të sqarojë origjinën e parave. Nga ana tjetër ky qëndrim paralajmëron zhvillime të këqija. Zoti Rama dhe qeveria e tij nuk ka fuqinë të imponojë këto zhvillime, por mesa duket ajo do të bëjë atë që ka në dorë: do firmosë kontratat që mandej janë shumë të vështira për t’u rishikuar. Ky është dëmi më i madh që po i bëhet vendit.
Add new comment