Ekskluzive/Del në botim libri Shënime për opozitën
Burime nga Drejtoria e Komunikimit në Kryeministri bëjnë me dije për “Të Kripura” se së shpejti del në qarkullim vepra e radhës e z. Edi Rama, “Shënime për opozitën”. Titulli krijon tingëllime të ngjashme me librin “Shënime për Kinën” të Enver Hoxhës, por është lënë i tillë meqenëse aty ka edhe kritika, por edhe vëzhgime për opozitën.
Në një prononcim telefonik për “Të Kripura”, drejtori Endri Fuga, që ka bërë edhe redaktimin e tekstit, tha se vepra në fjalë sjell në formë të renditur përvojën e z. Rama në opozitë dhe vëzhgimet e tij për opozitarizmin e tanishëm të Partisë Demokratike. Teksti shoqërohet edhe me një shtojcë analitike që e vendos aktivitetin opozitar në Shqipëri në relacion me zhvillimet mbarëshqiptare në rajon.
Është padyshim një kontribut i vyer për politikën shqiptare, por unë do të thosha edhe për studentët e shkencave politike. Kuptohet jo si tekst mësimor, por si tekst alternativ. Mendoj se edhe Akademia Politike do ta konsiderojë atë në leksionet e veta
tha Fuga.
Teksti duhet thënë se është i veçantë në llojin e vet për shkak se rrallë ndodh që pushteti të gjykojë në proces opozitën, për shkak se distanca e komunikimit dhe ndërveprimit mes të dyve implikon subjektivizëm. Mirëpo Fuga mendon ndryshe:
Po flasim për Edi Ramën, jo ndonjë politikan të zakonshëm. Është padyshim kryeministri më i suksesshëm i historisë së shtetit shqiptar, i cili ka kaluar në të gjitha etapat politike. Unë personalisht do të çmoja edhe stilin e tij, pasi siç dihet z. Rama vjen nga publicistika. Libri është për mua një akt rithemelimi i politikës së ideve në këtë vend dhe simbolikisht kjo është pagëzuar nga vendimi i z. Rama për të shkruar dorëshkrimin me dorën e majtë
Mund të merret me mend se libri do të jetë një bestseller, një pikë referimi për bibliotekat e militantëve të PS-së dhe të drejtorëve të administratës publike që janë në pragun e politikës. Një mënyrë e mirë për t’i vënë ata të lexojnë diçka më shumë sesa statuset në Facebook, apo emailet e njoftimeve për prokurimet publike.
Shaptilografisti
Add new comment