PS pranon nisjen e debatit për ndryshimin e sistemit zgjedhor
Paralelelisht me tentativat që po bëhen për të shtyrë datën e zgjedhjeve lokale, mazhoranca duket se po bën lëvizjet e saj që ky diskutim të mos përfshijë zhvillimin në të njëjtën kohë edhe të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore që drejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari lëshoi një njoftim sipas të cilët mazhoranca është e hapur të nisë diskutimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor, çka nënkupton zhbërjen e marrëveshjes së 2008 mes Berishës e Ramës për ndryshimin e Kushtetutës.
“Deputetët u dakordësuan që brenda muajit Korrik të hapen konsultimet publike për çështjen e sistemit zgjedhor, nëpërmjet një tryeze gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e partive politike, partnerëve ndërkombëtar, shoqërisë civile dhe gjithë aktorëve të interesuar. Brenda 28 Nëntorit, komisioni do duhet të ketë përmbyllur edhe diskutimet mbi çështjen e sistemit zgjedhor”-theksohet në njoftim.
Ndryshimi i sistemit zgjedhor është edhe një prej propozimeve të bëra nga Lulzim Basha si pjesë e një dialogu kombëtar. Sipas njoftimit, Komisioni u dakordësua që brenda 31 Korrikut të ketë përfunduar dhe miratuar ndryshimet në kuadër të rekomandimeve bazë të OSBE/ODIHR-it, ndërsa brenda 30 Shtatorit do të përmbyllet shqyrtimi i çështjes së votës së emigrantëve dhe teknologjitë e reja në procesin e votimit. Sipas kalendarit, deri në 31 Tetor komisioni do të ketë një produkt për çështjen e financimit të partive politike, por pa specifikuar çfarë ndryshimesh propozon maxhoranca.
Add new comment