Koha për ndryshim real, jo për të folur

Postuar në 16 Maj, 2019 02:46

Gjatë periudhës së fundit të qeverisjes së Fatos Nanos doli në skenë “problemi i partive të vogla”. Ky “problem” në fakt ishte krijuar nga vetë Fatos Nano, i cili ndonëse fitoi zgjedhjet në vitin 1997, për demagogji vendosi se duhet tq qeveriste me një koalicion. Kështu që koalicioni i së majtës shpejt u shndërrua në një lloj kënete poshtë së cilës gëlonte rivaliteti administrativ dhe elektoral, ku partitë e vogla fitonin terren apo projektonin fuqizimin e tyre përmes përfitimit të mundësive për punësim në administratë.

Në momentin që z. Nano iu desh dhe i kërkohej ndryshimi I qeverisë në vitin 2005, ai doli e u shpreh se “nuk kam numrat”.

Me kalimin në opozitë dhe ardhjen në krye të z. Rama, PS-ja vendosi ta zgjidhte këtë bashkëjetesë duke përqafuar idenë e ndryshimit të sistemit elektoral nga i përzier siç ishte, në proporcional rajonal.

Ideja për pastrimin e skenës nga partitë e vogla vinte sa nga nevoja e elitës socialiste për të patur dorë të lirë mbi paranë publike dhe në zona elektorale që përndryshe u rezervoheshin aleatëve, aq edhe nga kërkesa e aktorëve të ndryshëm të huaj që mendonin se me një skemë bipartizane marrëveshjet dhe lëvizjet politike do të ishin më të thjeshta.

Mirëpo historia e të majtës shqiptare të pas vitit 1990 mëson se asnjë prej partive aktuale nuk ka kapacitetin të qeverisë me efektivitet e vetme. Jo për shkak të burimeve njerëzore, as edhe ndonjë programi, por për shkak se të qenit vetëm në pushtet të rrëzon alibinë kryesore të tranzicionit shqiptar, atë për korrupsionin zyrtar.

Gjatë gjithë kohës që partitë e vogla kishin një farë peshe brenda së majtës ato ishin në gjendje për shkak të kryetarëve me profil të lartë në politikë, apo në botën akademike e intelektuale që të bënin herë oponencë ideologjike, apo organizative ndaj PS-së – rasti i PSD-së – herë opozitë të vërtetë në terren – rasti i LSI-së.

Z. Rama përdori momentumin e vet për të pastruar skenën duke krijuar me shfaqjen e vet dhe mesazhin e ndryshimit një kontrast të rremë mes të resë dhe të vjetrës. Kjo u lehtësua edhe nga sistemi elektoral që jo vetëm dënoi partitë e vogla, por krijoi kushtet për kalimin drejt partive elektorale dhe detyroi elektoratin të bëhej pragmatist.

Rezultati është i qartë: sot në Shqipëri ka vetëm tri parti reale, por të trija që kanë ekzistencë ose në një traditë politike dhe shtetërore që ushqen një inerci të vazhdueshme në mobilizim dhe identifikim siç është PS-ja dhe PD-ja, ose në lidhje të forta ekonomike të brendshme siç është LSI-ja, ose në lidhje me paranë publike siç janë të trija, ose në lidhjet me krimin e organizuar siç është kryesisht PS-ja.

Aleatët në këtë skemë nuk duhen për gjë veç për dekor, në ndryshim nga më parë kur të vegjlit kushtëzonin votën me amendamente apo edhe nisma ligjore.

Vizioni i një skene politike të thjeshtuar në funksion të operativitetit dhe efikasitetit të lartë në qeverisje u provua gjithësesi i gënjeshtërt. Dhe u provua i tillë pikërisht me z. Rama që e pati më në fund shansin ta testonte veten në këtë provë.

Sali Berisha nuk mendoi në asnjë rast as të tentonte të qeveriste i vetëm, ndoshta sepse nuk i kishte numrat, por edhe sepse përvoja e viteve 1992-1997 ia mësoi dobinë e të menduarit dhe vepruarit gjatë dhe jo shkurt. Ai bëri tri marrëveshje të mëdha: e para me Fatos Nanon në vitin 2002 që solli imponimin e konsensusit politik mbi Kushtetutën duke marrë prokurorin  e Përgjithshëm, larguar kryeministrin dhe shefin e Shërbimit Sekret dhe ndryshuar përbërjen e KQZ-së.

Marrëveshja e dytë është ndryshimi i Kushtetutës në vitin 2008, një atentat i pastër ndaj Republikës, që u kërkua dhe kushtëzua nga Edi Rama në dritën e problemeve të mëdha që krijoi për qeverinë Berisha ngjarja e Gërdecit.

Marrëveshja e tretë është ajo e vitit 2009 me LSI-në për bashkëqeverisje.

Dy të parat janë qartazi një Pazar që ka dëmtuar shumë demokratizimin e vendit duke ngatërruar nocionin e konsensusit dhe kompromisit me ndarjen e parave dhe të pushtetit. E treta kërkon shqyrtim historik se si duhet kualifikuar për arsye sepse z. Berisha ka mbrojtur përherë publikisht idenë se ai përmbushi objektivat programorë në dy mandatet e tij, çka na detyron të pranojmë se me LSI-në kemi të bëjëm me një Pazar, ai është i tillë që nuk peshon edhe aq në ecurinë e gjërave.

Nëse analizojmë përciptazi dy përvojat e qeverisjeve në aleancë gjatë viteve 1997-2013 do të shohim disa dallime: aleancat e së majtës në një mënyrë apo në një tjetër i dhanë një dimension më social qeverisjes, ndonëse shtruan rrugën e korruptimit kapilar. Ato kultivuan, ose të paktën mbajtën gjallë një frymë debati dhe dialogu, një rivalitet konkurues që i bënte jehonë trashëgimisë politike të së majtës dhe duke lënë të pacenuar elektoratin e vet tradicional.

Aleanca e PD-së solli fuqizimin e qendrës si pol politik, ricikloi në pushtet parti me program historik, bashkoi në një lloj federate këto parti rreth PD-së me dy efekte paradoksale: vetë PD-ja nuk u rrit elektoralisht, ndonëse u riafirmua pas krizës së vitit 1997, nuk u zgjerua dot përtej profilit të Berishës dhe së dyti, ajo gjeneroi mundësi fuqizimi dhe zgjerimi për LSI-në duke ia toleruar asaj urinë për të përdorur hapësirën publike dhe institucionale në funksion të axhendës personale të Ilir Metës.

Por në finale të dyja këto skema politike korrigjuan deri diku problemin kronik të zgjedhjeve dhe instaluan standardin e dorëheqjes. Mirë apo keq ky është një hap përpara për kulturën demokratike në një vend si Shqipëria dhe për njerëz që kanë lindur dhe janë edukuar në një regjim tjetër.

Kopertina e këtij manuali politik ndryshon radikalisht me z. Rama. Kryeministri i tanishëm dhe ekipi i tij janë e kundërta e asaj që thonë dhe që premtuan se do të bënin. Dhe janë e kundërta edhe e asaj që shpresohej dhe që duhej bërë për të ecur përpara.

Z. Rama likujdoi atë frymë diskutimi të brendshëm që kishte PS-ja, atë demokraci publike formale për ta shndërruar atë në një strukturë memece që ngjan sot si zgjatim i tekave të tij. Ai konceptoi dhe miratoi çdo formë apo projekt që do të sillte likujdimin e “mizave të bezdisshme” si partitë e vogla duke luajtur në vitin 2009 bastin e fitores së gjithçkaje vetëm. Pasi dështoi në këtë përballje, z. Rama, i detyruar nga rrethanat likujdoi edhe atë që kishte mbetur nga partia e tij: zgjedhjet e brendshme. Aleanca e PS-së së drejtuar prej tij me partitë e vogla ishte reflektim i strukturës së të menduarit të tij në Bashki ilustrimin e të cilës e gjejmë tek aksioni kundër kioskave për të nisur punën me kulla e pallate. Z. Rama asgjësoi polet e një të majte tradicionale duke vrarë për çdo zgjedhje partnerët e vet. Marëveshja e vitit 2008 është mirëfilli politikë personale e tij në emër të frikës nga kontrolli prej të tretëve. Listat e mbyllura janë ide e sjellë prej tij, ndërkohë që emërimi, promovimi dhe mbyllja e karrierave mbi antipatitë dhe nevojat personale, pa dhënë llogari kujt, janë bërë parim pune.

Z. Rama e kërkoi timonin vetëm në vitin 2009 dhe nuk e mori dot. Në vend të kësaj ai zgjodhi Tepsinë me LSI-në në prill të vitit 2013 dhe me PD-në në vitin 2017. Të dyja akte marrëveshjeje hartuar nga premiza e asgjësimit të kundërshtarit duke e korruptuar dhe nga frika e humbjes së pushtetit.

Atëherë kur z. Rama ishte profesionuar në këtë zanat, ndodhi e papritura. Në vitin 2017 PS-ja fitoi më shumë mandate sesa priste kryeministri duke e detyruar të niste qeverisjen i vetëm. Ka kaluar diçka te dy vjet dhe skandalet nuk kanë të mbaruar, ndërkohë që protesta e studentëve evidentoi sesa shumë e ka polarizuar humorin e shoqërisë individi në fjalë. Mund të vazhdohej më tej me ekipet e sjella në krye nga kryeministri aktual, të cilët reflektojnë edhe në aspektet me elementare një mungesë dëshire dhe gatishmërie për të respektuar normat bazë të komunikimit dhe për të rritur standardin e tyre.  

Ky kalim i shpejtë vlen të mbahet parasysh tani që zotëria po përgjërohet për një marrëveshje të re, që thjesht do të njolloste përfundimisht opozitën edhe kështu të diskredituar të drejtuar nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Kryeministri e ka zakon të përsërisë se më të mirë se socialistët nuk ka, duke luajtur kështu si drejtues editorial dhe PR i televizionit të vet më shumë sesa si drejtues qeverie. Marrëveshja me këtë njeri është dënim me vdekje tani që koha po i ndërton me shpejtësi azilin politik ku do të duhet të shkojë sa më shpejt edhe pse nëse do të ketë drejtësi nuk do të duhet ta lërë gjatë aty.

28 vjet pluralizëm mësojnë se marrëveshjet politike, për emra, poste dhe kapje institucionesh,  e kanë dëmtuar vendin në planin afatgjatë, pasi kanë krijuar dhe zgjeruar pushtetin e pak njerëzve në vend se t’i linin kohë rregullave dhe institucioneve të korrigjonin dhe zgjidhnin problemet e shumta. Por vetëm me z. Rama politika ndjen se shkon vetë në prag asgjësimi për shkak të mënyrës amorale me të cilën ai menaxhon kapitalin politik të PS-së dhe për mënyrën sesi korrupton çdo gjë. Nuk ka nevojë për shumë intuitë pra të kuptohet se nëse deri më dje marrëveshjet ishin problem kronik për shoqërinë që u mashtrua apo u detyrua të luajë lojën e llogoreve, sot vetë politika dhe një pjesë e saj ndodhet në buzë të greminës dhe asgjësimit prej një njeriu të vetëm. Vetë PS-ja po armiqësohet me një pjesë të madhe të njerëzve, po keqkuptohet nga një pjesë tjetër dhe po durohet nga një pjesë tjetër deri në një pikë moskthimi. Një individ i vetëm ka segreguar mendërisht një komunitet politik vetëm e vetëm se nuk e kupton dot se i ka ardhur koha të ikë. Më keq akoma: si një njeri që vetëm ka improvizuar dhe ka luajtur me djallëzi, z. Rama  nuk ka mesa duket një plan tërheqjeje pasi që ai të dalë e të pranojë humbjen si Meta, Nano e Berisha as që mund të imagjinohet. Por shpresojmë shumë që koha të na përgënjeshtrojë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.