Precedenti "Mogherini" për të kuptuar pasojat "Vlahutin", "Soreca", "Bregu"
Pak javë më parë në media qarkulloi një koment i ish-kryeministrit Italian, Matteo Renzi që shprehte pendesë për caktimin në krye të politikës së jashtme të BE-së të Federica Mogherinit. Vetë kjo e fundit, e pyetur për këto komente u shpreh se nuk mund të fliste për qëndrimet e një ish-kryeministri por do të reflektonte për punën e saj pas 1 nëntorit, pra pas përfundimit të mandatit.
Në Itali ky koment i Renzit nuk ka kaluar pa u analizuar. Pesë vjet më parë, kur në institucionet e BE-së nisi procesi i zgjedhjes së titullarëve, intrigat e korridoreve përcaktun edhe ngritjen e Mogherinit. Në fakt është po ky Renzi që bëri çmos të shmangte nga ngritja në funksionet e drejtimit në BE, të ish-kryeministrit Enrico Leta, i rekomanduar nga ish-presidenti i Këshillit të Europës, Van Rompuy. Por Leta u refuzua nga Renzi që zgjodhi Mogherinin. Por edhe kjo nuk kaloi pa kundërshti. Polonia dhe vendet baltike deklaruan qëndrimin kundër për shkak se Mogherini ishte filo ruse.
Sot Renzi është penduar, pasi siç thotë ai “ndikimi i Mogherinit në çështjet kryesore ka qenë afër zeros”.
Është po kjo zonjë që ka qenë në krye të lëvizjeve për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, duke dalë në krah të qëndrimeve të Vuçiç, Thaçit dhe Edi Ramës që bashkë me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, përkrahën shkëmbimin e territoreve.
Rasti i Mogherinit na tregon një anë pak të njohur në Shqipëri të BE-së. Emërimet e zyrtarëve drejtues janë thjesht një lodër e kancelarive që ndikojnë, lobojnë dhe presojnë njësoj si dikush lobon, preson, apo lutet për një detyrë drejtuese në Shqipëri. Rasti më i ngjashëm me Mogherinin, në miniaturën e vet, është Majlinda Bregu, zgjedhur në krye të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit. Ndonëse zonja kërkon t’i mbushë mendjen njerëzve se është aty falë cv-së së vet dhe cilësive të pakrahasueshme të veta, fakti është se Bregu u caktua aty sepse mesa duket një shqiptar duhet të ishte diku dhe sepse atë e kërkoi Edi Rama. I njëjti mekanizëm, e njëjta mënyrë, i njëjti korruptim zyrash.
Por pendesa e Renzit në fakt ka diçka parimore në fund të fundit. Ish-kryeministri po ankohet se Mogherini nuk qullosi gjë, jo se nuk i shërbeu atij. A mund të pritet pendesë nga kryeministri shqiptar? Jo vetëm për Bregun, por edhe për Spiropalët që emëron sipas qejfit? Sigurisht që jo, pasi z. Rama është profesionist i gënjeshtrës. Ai e çon atë deri në fund.
Nga ana tjetër, ky realitet për zonjën Mogherini shtron vetiu pyetje për mbrojtjen e paprecedentë që iu bë ish-ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin dhe mënyrën sesi vepron amabsadori i radhës, Lugi Soreca, të cilit i mungon vetëm tesera e Rilindjes. Është asgjë më shumë se një lojë pushteti banale, e zakonshme, miqsh dhe shokësh që si talent të vetëm kanë zejen e qeshjes dhe të tundurit të kokës, ndërkohë që në media shfaqen sikur në neuronet e tyre fshihet perspektiva dhe strategjia. Janë po këta të cilët e lënë veten të përdoren nga njerëz si Edi Rama që teksa ble falas qëndrime pro tij, del ditë pas dite për ta shitur një qëndrim krejtësisht personal sharlatanësh si qëndrim të Europës.
Ky lloj korruptimi priret të dëmtojë vetë Europën brenda saj, por edhe në Ballkan, por edhe mund të sjellë zhvillimin pozitiv të një realizmi tonin në raport me BE-në. Jo çdo fjalë e çdo të huaji peshon në kandar. Këtë na e thotë z. Renzi, por me Mogherinin do duhet ta kuptonin të gjithë se z. Rama e përdori për t’i rritur peshën fjalës së vet, e cila nuk vlen në këto anë pa pushtetin korruptues që ai zotëron.
Add new comment