Rimbursimi i TVSH-së dhe klima politike, faktorë pengues për bizneset vendase dhe investimet e huaja
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, thotë se klasa politike duhet të tregojë kujdes me bizneset e huaja që janë në vend, pasi kanë rol thelbësor për investimet e reja. Në një intervistë në studion e Tema TV, krahas ngjarjeve të fundit kriminale, të cilat dëmtojnë imazhin e vendit, Malaj renditi edhe një sërë faktorësh të tjerë që frenojnë investitorët e huaj.
“Investimet e huaja direkte, kërkojnë këtë ambientin e përgjithshëm të funksionimit, e drejta e pronësisë, pushteti i pavarur gjyqësor, administrata publike, dhe rruga më e mirë për ta promovuar ekonominë shqiptare, përveç takimeve që bëjnë qeveritarët tanë, është biznesi aktual i huaj në vendin tonë”, tha ai.
Duke u ndaluar te biznesi vendas, Malaj u shpreh se rimbursimi i TVSH-së mbetet zgjidhje emergjente për t’i mbajtur bizneset shqiptare në vend.
“Rimbursimi i TVSH-së për këto biznese është një gangrenë, për të cilën realisht nëse qeveria nuk reagon, disa prej tyre janë duke menduar edhe të rialokojnë bizneset e tyre në Maqedoni apo Serbi, ku incentivat fiskale janë të jashtëzakonshme”, tha ai.
Malaj po ashtu ka komentuar edhe qasjen e bankave që ndjekin politika të shtrënguara për kreditimin e biznesit, duke e argumentuar me faktin se risqet e rritjes së kredisë me probleme janë tepër prezente, dhe kreditimi në masë i biznesit e rrit më tepër këtë mundësi.
Add new comment