Zëdhënësit e një krize të cilën e mohojnë

Elisa Spiropali ka deklaruar sot se Lulzim Basha nk bëhet kurrë lider. Mund të ketë të drejtë. Madje shumë të drejtë. Por zonja në fjalë e di shumë mirë se ajo është lexuesja e një teksti të shkruar nga tjetërkush në këtë histori.
Ajo është kukulla e një qeverie që nuk ka zëdhënie për t’i vënë emrin e duhur kësaj që po ndodh. Kjo është një krizë politike, jo një situatë e rendit publik.
Mësynë bulevardin, Kryeministrinë dhe Parlamentin e Shqipërisë, si një trup pa kokë dhe pa sy, lëshuan piskamat e ngjirura nga fyti i liderit që lider kurrë nuk bëhet dhe e mbyllën me turp, duke dhunuar policinë dhe duke i vënë zjarrin pronës publike dhe private. Për disa orë rresht forcat e policisë u sulmuan me kapsolla, zjarri e benzinë dhe u plagosën pabesisht nga këta të çoroditur që vejevinin tek ura e tabakëve, në kërkim të sherrit, konfliktit, rrëmujës e hatasë që kanë në kokat e tyre boshe
është shprehur znj. Spiropali.
Duket dora, duket stili, duken edhe fjalët tipike, duken fjalitë e mbushura me epitetet e njohura të fjalamanit të Rilindjes. I cili ka gjetur së fundmi strehë te vota e 30 qershorit. E ka kthyer votën në limanin e fundit të shpresës së tij se çdo gjë që po bëhet është ilegjitime. Se ai është ligji dhe rendi, kushtetuta dhe shteti në një rrëmujë të paudhësh që nuk kanë as adresë, as din e as iman. Por këto të gjitha zotëria na i shet ne përmes deklaratave si kjo e zonjës që lexon sepse në fakt marrëveshja, bashkëqeverisja, kompromisi, integrimi, Europa, janë menuja e ofertës së këtij kryeministri që ndonëse pohon me të drejtë se Lulzim Basha nuk bëhet dot lider, ndodhet sot në presionin e këtij të fundit. Por ndoshta edhe të situatave me shumë të panjohura brenda vetë partisë së vet, që lufton të vetët me heshtje, me para, me klane, me informacione, me thashetheme, me të njëjta metoda që ky zotëri vur poshtë dikur ata që i dolën përpara.
Ndaj edhe në krizën e sotme politike do të shohim përherë e më shumë Spiropalin, Sandër Lleshajn, Taulant Ballën, Milva Ekonomin e të tjerë individë të cilëve u është mbushur mendja se janë politikanë.
Zoti Rama është njeriu nga i cili mund të presësh të thuhet çdo fjalë, sado e ulët dhe sado e pavend. Por zotëria është kryeministër, për fatin e keq të këtij vendi. Ndaj edhe këto tekste bajate që lëshohen përditë si leteratyra e mëmëdhetarëve të dërrmuar nga përballja me të ligën, e pëshkrojnë staturën e një kryeministri, por nuk janë të përshtatshme për t’u artikuluar prej tij.
Zoti Rama refuzoi ta trajtonte politikisht atë që ndodhi. Ai zgjodhi procedurën për herë të parë në jetën e tij politike, atëherë kur ajo nuk bënte punë. Ndaj për procedurë fjala e tij e vetme me vend dhe që nuk do të shprehë mungesë takti, do të jetë Dorëheqja.
Add new comment