Vuçiç, në pozita më të forta nga Rama pas protestave opozitare

Aleksandër Vuçiç ngjan të mos jetë prekur elektoralisht nga protestat e gjata që opozita serbe ka zhvilluar këto kohë. Agjencia serbe e lajmeve, B92, raporton për një sondazh të kryer së fundmi, sipas të cilit, nëse zgjedhjet do të zhvillohen të djelën, partia në pushtet do të fitonte 55% të votave, koalicioni opozitar 11.8%, SPS, një parti që bën pjesë në qeveri, do të fitonte 10.1%. Kështu Vuçiç do të rikonfirmohej me 65% të votave duke i dhënë fund protestave.
Sondazhi nxjerr një element që ka rëndësi të posaçme sepse shpjegon krizën si të tillë dhe shpjegon pafuqinë e opozitës. Në Serbi vetëm 47% e zgjedhësve do të votonin duke dëshmuar se pakënaqësia e madhe në vend se të ushqente protestën ka sjellë dorëzimin e një pjese të shoqërisë.
Në krahasim me Edi Ramën në Tiranë, presidenti serb ka pozita më konsoliduara nëse do të referojmë sondazhin e fundit të kryer për spektrin politik shqiptar.
Duke marrë parasysh se akuzat janë të njëjta një interpretim i thjeshtë është se zoti Rama ka pësuar erozion më të madh. Nga ana tjetër askush nuk ka hetuar efektin e marrëveshjes së 17 majit 2017 që është një gabim strategjik që e vendos sistemin politik shqiptar në kushtet e fiktivizimit të opozitës.
Add new comment