Alkimia e ministres Gjonaj/Qeveria gjermane do ndihmojë të korruptuarit të luftojnë korrupsionin

Postuar në 09 Prill, 2019 13:46

Qeveria gjermane do të vazhdoj të mbështesë Shqipërinë në luftën kundër korruspionit. Këto ishin fjalët e z. Stefan Mayer, Sekretarit Parlamentar të Shtetit, në Ministrinë e Brendëshme Federale, të cilin pata kënaqësinë ta takoja gjatë vizitës në Gjermani

Kështu njofton në tuiter ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një paragraf që ka brenda kundërthënie. Apo nuk kuptohet mirë. Qeveria gjermane do ndihmojë Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit që e bën Qeveria ku zonja Gjonaj është pjesë. Po si mund të ndodhë kjo? Flasim konkretisht.

Kjo të kujton ndihmat që jepte dikur Perëndimi për Shqipërinë. Ato vidheshin nga vetë marrësit e tyre që mandej kërkonin ndihma të tjera. Si mundet të të ndihmojë dikush që të lësh vjedhjen kur ti atë e ke mënyrë të jetuari? Një mënyrë është të ndalosh financimin, ta kushtëzosh atë shumë, ta kalosh menaxhimin e tij në duart të të tretëve. Por si mundet që të ndihmosh një qeveri të zhytur në korrupsion masiv që të luftojë korrupsionin e vet?

Dekadat po ikin e ndërsa Shqipëria bëhet më perëndimore, ajo shfaqet përherë e më shumë me tipologjinë e hajdutit. Perëndimi ka deklaruar se po asiston vendin tonë në realizimin e reformës në drejtësi e cila deri më tani ka prodhuar vetëm spastrime në burimet njerëzore dhe asgjë më tepër.

Si vallë do ndihmojë qeveria gjermane një qeveri që nuk ka denoncuar asnjë zyrtar të vetin për korrupsion? Që ka bërë shkarkime spektakolare drejtorësh të riintegruar më pas në detyra të tjera? Kjo është një enigmë që ndoshta zonja Gjonaj e zbardh me të mbërritur në Shqipëri, sepse sa për deklarime të kësaj natyre, ato janë amballazhi i njohur i një malli që nuk shitet më.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.