"Dashi" përçor i krizës
Kryeministri ka rimarrë sot rolin e politikanit naiv që rend pa fjalë pas kërkesave të selive diplomatike perëndimore. Përmes një statusi në tuiter, Edi Rama ka ftuar opozitën që ka dorëzuar mandatet që të bëhet pjesë e reformës zgjedhore me të drejta të barabarta. Sepse këtë, siç thotë ai, e kërkon edhe BE-ja. Dhe një kryeministër shqiptar nuk ka të drejtë të ketë mendjen e vet për këto punë.
Megjithëse opozita është sovrane në vendimmarrjen e vet, dy fjalë mund t’I themi. Pjesëmarrja e saj në komisionin e reformës zgjedhore siç kërkon z. Rama do të digjte përfundimisht besueshmërinë e saj për lëvizjen e djegies së mandateve. Është e vërtetë se ka një presion shumë të madh për të mos lejuar në asnjë mënyrë që çdo rrugëdalje nga kriza aktuale të lidhet me një pasojë të djegies së mandateve sepse ekziston frika e precedentit, por kjo as që mund të fshihet. Askush nuk mund të fshijë atë që ka ndodhur për të vijuar me një normë legjitimiteti të rremë.
Zoti Rama pranon përditë betimin e deputetëve të rinj. Ai ka në Kuvend më shumë se 20 deputetë të betuar që nuk janë të besueshëm se i përkasin opozitës së tanishme ndonëse vijnë nga listat e saj. Kështu që rikthimi në Parlament i PD-së dhe LSI-së do të shënonte asgjësimin e tyre dhe legjitimimin e një situate artificiale në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryeministrin do ta shohim të bëjë gjithfarë ofertash tani e tutje. Sepse me përfundimin e mandatit të Parlamentit Europian më 16 prill, pakkush do të ketë nge të merret me Shqipërinë. Dhe këta që sot bëjnë presione me kredenciale diplomatike do të kenë pendët të rëna.
Por problemi nuk qëndron edhe aq këtu. Ai rrjedh nga vesi i pandreqshëm i z. Rama për të mos kërkuar zgjidhje, por për të takticizuar me çdo kusht avatntazhet e veta. Pa kuptuar se kështu, me shtimin e dozës së ofertës, me lëshime dhe hipokrizi, ai thjesht sa konfirmon se është personi kyç i kësaj krize. Bartësi dhe përçuesi i saj.
Add new comment