Pse futja e gjuhës shqipe në Universitet nuk është zgjidhja

Postuar në 01 Prill, 2019 14:19
Bahri Beci

 

Shqetësimi se formimi gjuhësor i brezit të ri nuk është në nivelin e duhur është i drejtë dhe përpjekja për ta zgjidhur e lavdërueshme. Po futja e mësimit të gjuhës amtare në universitete nuk është zgjidhja.

Mësimi i gjuhës amtare është objekt dhe detyrë ekskluzive e arsimit parauniversitar. Janë këshilltarë të këqij ata që kërkojnë ta spostojnë problemin në arsimin universitar. Është provuar edhe nga të tjerë, po nuk kanë pasur sukses dhe kjo është e kuptueshme, nuk mundet arsimi universitar të bëjë atë që është detyrë e arsimit parauniversitar.

Problemi shtrohet se pse arsimi parauniversitar nuk arrin të përmbushë një nga detyrat themelore të tij, aftësimin e nxënësve për të folur dhe shkruar gjuhën amtare. Dhe hallkat e zinxhirit që nuk arrijnë ta zgjidhin problemin janë në radhë të parë shkollat e arsimit të lartë që përgatisin mësues, programet, tekstet dhe metodat e mësimdhënies.

Pyetje e parë që shtrohet është sa dhe si përgatiten mësuesit e gjuhës amtare në shkollat tona të larta.

Dhe e çuditshmja është se zakonisht janë pedagogët e arsimit universitar që ankohen dhe kërkojnë ta transferojnë problemin nga arsimi parauniversitar në atë universitar. Po përsëris se janë këshilltarë të këqij.

Problemi  është shumë kompleks; tradicionalisht nuk është zgjidhur nga asnjë Ministri Arsimi për shkak të vetë natyrës së problemit që nuk është thjeshtë administrativ dhe, për pasojë, nuk mund të zgjidhet nga organet administrative. Problemi është fillimisht shkencor dhe pastaj administrativ.

Kështu që sugjeroj të mos ngutemi, po të ndalemi seriozisht në shqyrtimin e shkaqeve të vërteta të mospërvetësimit të gjuhës amtare në sistemin parauniversitar.

Po këtë nuk mund ta bëjnë ata që në të vërtetë janë pjesë e kësaj përgjegjësie.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.