Publikimet online, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani: Mungon ligji për ruajtjen e tyre

Postuar në 11 Mars, 2019 16:17

Ruajtja e publikimeve online të formave të ndryshme, krahas ruajtjes dhe konservimit të botimeve të shtypura është një synim i Bibliotekës Kombëtare, por që ende nuk dihet se kur do të gjejë zbatim. Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, shpjegon se në Shqipëri mungon një ligj që do të rregullonte diçka të tillë, ndërsa edhe procesi për ruajtjen e faqeve online është i vështirë dhe kërkon teknologji dhe njerëz.

Kemi filluar ta mendojmë prej kohësh sepse jemi shumë të qartë për situatën, jo vetëm gazetat apo uebsajte të ndryshme që funksionojnë përmes përcjelljes së informacionit, por edhe blogje të ndryshme të cilat kanë një destinacion specifik siç është rasti i blogjeve mbi letërsinë, mbi artin apo mbi udhëtimin, të cilat funksionojnë për disa vjet pastaj mbyllen.

Mendojmë se janë një pasuri, jo vetëm informacion, por një gjurmë kulturore, e cila nuk do të duhet të lihet të kalojë kaq lehtë përmes një fikjeje programi, por do të duhet të ishte edhe ajo e konservuar dhe e ruajtur.

Vështirësitë në të cilat jemi gjendur për momentin janë dy: e para është vështirësia ligjore. Puna në bibliotekë është e bazuar mbi ligje specifike dhe do të duhej që edhe kuadri ligjor të evolojë dhe të ecë me ritme pak më të shpejta duke respektuar ritmet e teknologjisë nga njëra anë, por nga ana tjetër duhen edhe impementime teknologjike, për të cilat Biblioteka Kombëtare nuk është ende e përgatitur.

Pra, e kemi të qartë domosdoshmërinë për ta zhvilluar dhe unë mendoj që në një moment do të merren vendimet e duhura dhe implementimet e duhura, edhe teknologjike, për ta lejuar një gjë të tillë. Në dijeninë time janë procese shumë të ndërlikuara që kërkojnë dhe shumë burime njerëzore, mesa jemi konsultuar. Nuk është kaq e lehtë sa ç'duket, nga mënyra sesi ne punojmë apo informojmë nëpërmjet një uebsajti”, thotë Asllani.

Ndërkohë që duhet të presim në një kohë të pacaktuar për ruajtjen në Bibliotekë edhe të publikimeve online, në këtë institucion ka filluar dhe vazhdon ndërkohë dixhitalizimi i periodikëve të shtypit të shkruar ndër vite.

TvTema

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Online!!! Aty nuk funksionon as libri fizik, e jo me ai elektronik!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.