Shumicat dixhitale të kryetarit të Bashkisë
10 000 njerëz votuan që festimet e 14 marsit të zhvendosen më 17 mars. Këtë na e njofton në tuiter , kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj. Sipas tij kjo është një shumicë që ka vendosur dhe sondime të tilla që i zhvendosin festimet zyrtare në varësi të motit duhen bërë më shpesh.
Prototipi zakonisht vëzhgohet, nuk kritikohet, sepse përbën teorikisht risi. Z. Veliaj është prototipi i shejtan budallallëkut në politikë, që bashkon në vetvete maninë e dukjes me mungesën totale të respektit për çdo normë, mjafton që edhe hija e pemëve të ketë vlerë marketingu politik. Ndaj duhet edhe admiruar për këtë evoluim drejt një modeli jovertebror në politikë.
Zoti Veliaj nuk ka respekt as për veten pasi sasia e budallallëqeve që thotë është e tillë që vetëm nëse injoron veten mund të emetohen nga goja që në këtë rast kryen funksione të kundërta me ato presupozohet se ka në përgjithësi. P.sh mikrofoni është zgjatim i gojës njësoj si veglat e zakonshme janë zgjatime të aftësive të tjera të njeriut. Te z. Veliaj goja është zgjatim i mikrofonit apo fytyra është funksion i rrjeteve sociale. Nuk është ofezë, thjesht konstatim se një specie e re ka lindur në politikë. Specie ndaj së cilës nuk duhet të kërkojmë të analizojmë mbi premisa morale apo karakteriale, por duke mësuar diçka mbi mënyrën sesi funksionon algoritmi I tuiterit dhe Facebook brenda të cilit befas një subjekt është vetëobjektivizuar.
Janë 10 mijë votues Shumica? Nëse kanë qenë vërtetë kaq. Tirana ka 608 mijë zgjedhës në listë, Erjon Veliaj ka marrë 160 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2015. Ku vlerësohet si shumicë numri 10 mijë? Dhe mbi cilin tagër festimet zyrtare zhvendosen sipas motit? Është e qartë se z. Veliaj nuk i intereson, madje duket se ai nuk e kupton dot rëndësinë e simboleve përderisa e ka kaq të relaksuar mendjen për datat dhe interesohet për ahengun. Ai i ngjan një kuzhinieri skollastik që do të dijë me çdo kusht nëse gjella e tij është pëlqyer nga të gjithë, pavarësisht se dikujt i hahet apo jo.
Vështirë se mund të gjendet karagjoz i këtillë që të ketë qenë në krye të punëve. Një gjallesë e papërkufizueshme njerëzore e cila poshtërimin publik dhe shumpërdorimin nga shefi i vet e shikon jo si sfidë, por si gjimnastikë për të eliminuar edhe grimcat e fundit të moralit njerëzor duke shndërruar konsumizmin në formë zyrtare argëtimi, vendos sot për Tiranën. Me tuiter dhe Facebook, një videolojë qeveris kryeqytetin, bën dhe zhbën kulla, godina të vjetra dhe të reja, duke e keqkuptuar Qytetin me të gjitha përfaqësimet e veta me një maket që mbahët në vitrinë ndërkohë që miletit I hidhen bombonet e festimeve si këto të 17 marsit.
Comments
ok e keni qare
ok e keni qare
Add new comment