Një protestë e domosdoshme
Opozita ka protestuar sot pasdite dhe deri në mbrëmje përpara Parlamentit të Shqipërisë. Siç është transmetuar tashmë nga mediat, protesta ka patur incidente, përdorim të ekzagjeruar të gazit lotsjellës dhe aplikimin e taktikës së një policie reaktive, pra që vepron brenda perimetrit të institucionit që mbron. Ka shumë komente dhe analiza se çfarë përfaqëson protesta. Por ajo mund të shihet nga dy drejtime: së pari nga ata që protestojnë e që nuk duhen paragjykuar dhe nga ata që vëzhgojnë. Në dinamikën e ngjarjeve qytetarët e përfshirë në të flasin më lirshëm sesa para kamerave.
Duhet të hynim brenda. Ky është Diktator. Nuk ka patur në ’90-ën kështu. Kishte nga ato me ujë dhe kaq
thotë një protestues në mes shumë të tjerëve gati të asfiksuar nga gazi lotsjellës.
Kjo është e vërtetë, policia ka vepruar me policim në distancë dhe parandalues. Disa bomba dhe vala e protestuesve përhapej dhe rioganizohej. Nga brenda protestës mund të rrokësh edhe aspektin civil të saj, atë që media të shumta nuk duan fare ta vënë në dukje. Në baret dhe lokalet e shumta pranë parlamentit të kthyera në vendstrehime spontane për qytetarë që rendnin nga tymi dhe gazi, mund të shikoje edhe punonjës policie që shkëputeshin nga kordoni për të pirë një kafe. Asnjë tension mes njerëzve që politika i vendos në dy anë të një barrikade, por që në fakt janë në të njëjtin hall: në hallin e përditmërisë.
Kjo është ndoshta nga të parat protesta ku akti i dhunës, agresioni verbal dhe sulmi fizik, animozitet janë të përqendruara drejt pushtetit, duke mos ngatërruar në këtë mesele nëpunësit e shtetit. Ky është mesazhi më qytetar i protestës e cila duket se do të vazhdojë.
Qeveria i hapi luftë qytetarëve, tha z. Basha.
Në të vërtetë z. Rama po i ikën luftës dhe po shmang konfrontimin, sepse ai e di shumë mirë që rruga ka vetëm një Sovran. Pavarësisht se deklarimet pro qeverisë së tij nuk kanë të sosur. Rruga ka Sovran njerëzit që kanë të drejtë të protestojnë, të kundërvihen, të sulmojnë dhe të diktojnë një zgjidhje politike e cila nuk ka të bëjë me pushtetin në tavolinë, në momentin kur Kushtetuta është bërë një bashkësi paragrafësh që përdoren si shkop gome ndaj më të dobtëve.
Do të ketë shumë fjalë dhe analiza për dhunën, aktet e sulmit, gomat e djegura etj.. Janë firo të bizantinizmit që ka pushtuar mekanizmat e pushtetit që fshihen pas fjalëve të bukura dhe të mëdha. Apo pas deklaratave bajate anglisht të miqve të shqetësuar ndërkombëtarë.
Protesta pati dhunë dhe agresivitet, por ajo nuk ishte e dhunshme. Opozitës duhet t’ia njohim këtë meritë në organizim. Kush u dhunua?
Ajo evidentoi krizën dhe ishte e vetmja ngjarje me mesazhe politike sot. “Kongresi socialist” i Lushnjes që u drejtua Edi Rama dhe Erjon Braçe i ngjan një lloj mjekësie popullore prej sharlatanësh. Sepse përpjekja për të dërguar mesazhin e normalitetit është një ndër sjelljet më tinzare të një pushteti që po na thotë: ne vetëm lekë po marrim, nuk ju vrasim si Saliu. Nuk është çudi që ky pushtet të kalojë në përdorim dhune policore në momentin që protesta do të humbasë tempin dhe nervin.
Ta pranosh këtë si kusht për normalitetin, do të thotë të mos jesh normal psikikisht.
Duhet të mos e ngatërrojmë gjithësesi protestën me përkatësinë partiake. Mund të ketë sot me mendje edhe socialistë në të, të cilët ndoshta edhe do të duhet të dilnin aty pa hequr dorë nga mendimi për të votuar partinë e tyre. Mund të ketë edhe shumë qytetarë të tjerë që nuk do ta votonin dot PD-në e sotme, apo nga ata që u kanë ardhur zorrët në grykë nga teatri i tre mandateve për Vangjush Dakon dhe Qazim Sejdinin që u tentua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sot protesta mund dhe është heterogjene dhe të tillë e bën atë domosdoshmëria për të larguar Edi Ramën dhe enturazhin e tij nga pushteti i cili në fakt identifikohet për këtë kastë në vetëm një gjë: Paranë Publike.
Add new comment