Alo Edi...Pip, pip, pip. Nuk të lë Ilir Zela
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka urdhëruar sot paradite bllokimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse nga aparatet celularë të paktën në zonën pranë protestës së opozitës. Po kështu u bllokua edhe komunikimi në internet në një akt të pakuptueshëm që cenon interesin e konsumatorit që këtu konsiderohet i njëjtësuar me protestuesin.
Ligji për Komunikimet Elektronike i jep të drejtë AKEP – në nenin 8 – të tij – që ndër të tjera të:
marrë masat, që sipërmarrësit e rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike të zbatojnë detyrimet, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të vendit, të sigurisë publike edhe në rast lufte apo gjendje të jashtëzakonshme
Nga gjithë dispozitat e ligjit, ky është neni dhe pika që i afrohet më së shumti – por ndoshta na ka shpëtuar ndonjë – që i afrohet vendimit të AKEP për të bërë bllokimin zonal të komunikimeve. Po ku janë këto situata? Le të na e shpjegojë z. Ilir Zela.
Ne provuam në këtë moment – në zonën e Televizionit Shqiptar – të komunikonim me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, për të kërkuar prononcimin e tij për situatën, për të marrë siguri se Shqipëria është e sigurtë, se ajo po qeveriset akoma. Na lejoheshin vetëm thirrjet e urgjencës. Në fakt në këtë vend çdo thirrje është praktikisht thirrje urgjence...por këtu çështja është edhe diku tjetër.
AKEP vepron me vendime kolegjiale, jo me urdhëra personal të drejtuesve të saj. Do të duhet pak punë që ky autoritet të justifikojë këto që po bën, ndonëse nuk është hera e parë. Sjellje të tilla të pabazuar në ligj bëri AKEP me publikimin e faqeve online që nuk kishin publikuar NIPT-in, ndërkohë që autoriteti administron vetëm domainin. NIPT-i është i regjistruar pranë QKB-së dhe aksesohet nga qeveria që nuk ka pse bën ekzibicione të këtilla dhe totalisht në një hapësirë të dyshimtë ligjore.
Është po ky autoritet që urdhëroi heqjen e reklamave të kompanive të lojërave të fatit, një muaj para hyrjes së ligjit në fuqi, duke dëshmuar se bashkë me agjenci të tjera janë vetëm shtojca të tekave të kryeministrit që e vlerëson sigurinë sipas midesë.
Kjo sjellje shtron problemin edhe të kompanive celulare të cilat kanë kontrata me klientët përpara se të veprojnë qorrazi në ndërprerjen e komunikimeve. Komunikimi është më shumë sesa dispozitë tregëtare, është e drejtë dhe ndoshta këtë duhet ta kenë parasysh edhe zotërinjtë diplomatë që nuk lënë gjë pa thënë e aktivitet pa marrë pjesë, e që harrojnë shpejt shkeljet e qeverisë.
Add new comment