Anglishtja e çuditshme e Tiranës
Opozita parlamentare e Shqipërisë është vënë në një zjarr të kryqëzuar politik pas të cilit qëndron vetëm një gjë: karriera e Edi Ramës. Në sulm janë hedhur të gjithë duke predikuar për shoqërinë se vendit po i bëhet gjëma. Janë po ata që deri më dje e cilësonin opozitën si të paaftë, denigruese, që qelb parlamentin, që njollos vendin. Sot e duan me çdo kusht në Parlament. Mburoja e kësaj loje janë bërë selitë diplomatike në Tiranë, që kanë kohë tashmë që nuk flasin, por me gjithë respektin, dërdëllisin pro qeverisë.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka dalë sot në një intervistë për Top-Channel për të thënë atë që dihej edhe pa e thënë: opozita po gabon. Ajo po bllokon reformat dhe hapjen e negociatave.
Ison e ka vazhduar ambasada pa ambasador e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që në një postim në Facebook, vë theksin te nevoja për prezencën e opozitës.
Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme. Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë
thuhet ndër të tjera në deklaratën e ambasadës amerikane.
Do të duhej një sqarim i posaçëm për shqiptarët e thjeshtë që të kuptojnë sesi largimi nga Parlamenti i opozitës saboton përparimin e vendit. Dhe do të duhej ky sqarim edhe sepse është thuajse e pakapshme për shumëkënd për të kuptuar se ku qëndron përparimi, sidomos në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme. Ne jemi qytetarë të Shqipërisë dhe kemi përvojën tonë e cila nuk negociohet me asnjë raport apo vlerësim nga jashtë. Është shumë e vështirë, ngjan madje si skenar fantastiko-shkencor i Hollywood, që të konstatohet gjëkundi qeverisje e përgjegjshme në vendin tonë. Ne jemi qytetarë të Shqipërisë që të vërtetën nuk e presim nga ambasadat, e vërtetë që kundërshtohet p.sh edhe nga Zëri i Amerikës, që është në fakt media e Departamentit Amerikan të Shtetit. Ne po ashtu pamë sesi inati i ambasadorit amerikan në Kosovë, Kosnett, që kërcënonte për heqjen e taksës, u tret si kripa në ujë sapo presidenti Trump foli për njohjen e Kosovës nga Serbia.
Duhet të mbajmë mirë parasysh të gjithë se miqtë duhen dëgjuar. Dhe me vëmendje madje. Por të dëgjosh miqtë është njëra gjë, të impresionohesh nga deklarata për shtyp është krejt tjetër. Shqipëria që kundërmonte era hashash, pa të kalonin këtej ambasadorë që nuk e shihnin kulturën bujqësore në fjalë të harlisej ngado, sepse ky është zanati i diplomatëve në fakt: të thonë atë që nuk shohin dhe të shohin atë që nuk thonë.
Ambasada amerikane ecën më tej, bashkë me Luigi Sorecan që në tuiter u bën like thuajse të gjitha postimeve të zyrtarëve shqiptarë, kur thotë se bojkoti i opozitës dhe djegia e mandateve përbën bllokim të reformës në drejtësi.
Po le të na përgiigjen zotërinjtë: pse vallë prezenca e opozitës në Parlament e hap rrugën e reformës në drejtësi? Nëse kjo reformë do të duhet të ishte produkt i debatit, çfarë sigurie ka atëherë se ajo do të përparonte? Nuk i shqetëson këta zotërinj fakti që Prokuroria heton atë që do z. Rama, që DSIK kalon dhe rrëzon ata kandidatë të rivlerësimit që dëshiron z. Rama? Apo që Autoriteti i Dosjeve vuan nga një autizëm kronik, i lexueshëm vetëm majtas? A nuk e kanë parë këta zotërinj se opozita ka refuzuar shumicën e manovrave të shumicës?
Dhe përmbi të gjitha: kur vallë ndonjë nismë ligjvënëse në këto pesë vite u ndryshua, rrëzua apo korrigjua pse bëri vërejtje opozita? Ky vend nuk ka patur opozitë sepse z. Rama nuk ka dashur kështu. Z. Rama është ai kryeministër që edhe dekretet e presidentit për rishikim ligji, apo auditet e Kontrollit të Lartë të Shtetit i konsideron ose gjoba, ose çoroditje kazani.
Zotërinjtë anglishfolës dhe italishfolës në Tiranë i dinë mirë të gjithë këto. Dinë ndoshta edhe më shumë sesa kaq. Ndaj është e qartë se apeli që bëhet sot pas eufemizmit të demokracisë është vetëm shantazh, jo këshillë, as sugjerim. Është po ai shantazh i pastër që u aplikua nga z. Donald Lu kur me sms kërcënonte deputetët se duhet të votonin një draft të reformës që sot prodhoi kaos. Nëse ky është modeli që po na kërkohet nga këta miq, atëherë duhet t’i themi të gjithë: Jo, falemnderit shumë! Ta gëzoni Edi Ramën! Bëjini me të reformat që ekzistojnë kudo, veç në Shqipëri jo.
Ka ende dyshime se z. Basha do të veprojë deri në fund me lënien e mandateve. Dhe këtu synon edhe ky presion. Por z. Basha mund të dënojë me vdekje forcën e vet politike, ose të zgjedhë të mbrojë si parimor vendimin që shpalli. Cilido qoftë presioni ndërkombëtar një gjë është e qartë: zotërinjtë që flasin anglisht apo italisht në Tiranë po mbrojnë sot një kryeministër që është në rënie. Jo në ikje. Për shkakun që ata na e kanë thënë: demokraci hibride, korrupsion në të gjithë degët e qeverisjes.
Falemnderit për ndihmën. Na lini të ecim vetë për rotacionin se e dimë që aty do jeni kushdo që të vijë në pushtet.
Add new comment