Në fillim kontratat, po u ankua njeri shohim e bëjmë
Pak javë më parë, ministrja e re e Infrastrukturës që zëvendësoi Damian Gjiknurin, doli me një vendim për pezullimin e kontratave të HEC-ve që nuk ishin bërë ende funksionale. Por nuk kaluan disa ditë dhe ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, shfaqet me një interpretim hibrid mbi atë çfarë do të ndodhë. Në takimin me disa banorë të Labinotit ai tha tekstualisht:
"Ne duam të kuptojmë nga biseda me ju, nëse vendimmarrja që është marrë deri tashmë përsa i përket HEC-it a është e drejtë apo e gabuar. Ne duam të kuptojmë nëpërmjet bisedës me ju sesa vlera ka që ne të gjejmë raportin e drejtë ku kemi mundësi për të zhvilluar industrinë dhe për të prodhuar energji të gjelbër, ku kemi mundësi që të mbrojmë mjedisin, natyrën dhe të dëgjojmë komunitetin”.
Janë disa pyetje që ngrihen pas këtij parashtrimi. Pse nuk u bënë këto dëgjesa para se të firmoseshin kontratat? Çfarë vlere juridike ka në këtë fazë opinioni i banorëve për të zhbërë disa kontrata që kanë kaluar vlerësimin teknik dhe mjedisor?
Në të njëjtën logjikë edhe kryeministri lajmëroi të hënën rishikimin e vendimit për ndalimin e importit të makinave të prodhuara para vitit 2008 me këtë argument:
"Javën e fundit kam patur në what's up një mori mesazhesh nga subjekte të tregëtisë së makinave që shprehin shqetësim lidhur me efektet e normës së re të përcaktimit të një kohe të përdorimit të makinave për të lejuar tregëtimin edhe në Republikën e Shqipërisë. I kam ndjekur me shumë vëmendje këto ankesa dhe ua kam përcjellë autoriteteve, ministres së Infrastrukturës dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Transporteve dhe u kam kërkuar të organizojnë sa më parë një dëgjesë publike, pasi në ankesat e tyre ka shqetësim, por ka edhe mjaft sugjerime racionale dhe në vazhdën e një tradite që duam ta konsolidojmë të dëgjimit të njerëzve, të grupeve të interesit ia vlen që me këto subjekte të bëhet një ballafaqim ku të fitojnë të dyja palët".
Këtë vendim të ministrit Klosi për ndalimin e importit të makinave të vjetra, Respublica e ka trajtuar qëkurse u njoftua, nisur nga dyshimet e forta se mund të ishte nxitur nga konçesionarët e makinave. Por mesa duket edhe kryeministri ka reflektuar për arsye që ai thotë se i ka në celularin e tij. Sërish vlen e njëjta pyetje, pse nuk u bënë më parë degjesat me grupet e interesit? Vetëm Klosi mund të ketë një përgjigje për këtë sipas logjikës që shfaqi në Labinot në krah të ministres Balluku.
Add new comment