Prokurori/policia online vs qeverisë individuale
Televizioni personal i kryeministrit Edi Rama, ERTV, ka përcjellë së fundmi një tjetër rast sesi sipas tij, platform shqiperiaqeduam.al zgjidh hallet e qytetarëve.
Mark Gjon Koja, nga një fshat në Zadrimë, konstatoi se ishte mbifaturuar kur i erdhi fatura e energjisë elektrike 400 mijë lekë të vjetra. Ankimimi në OSHEE-në e Shkodrës nuk ia zgjidhi problemin, e ai iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes “Shqiperiaqeduam.al”
raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Në vend se ky epsiod të vërë në lëvizje institucionet, ai kapitalizohet me ngazëllim si shembull ilustrues për promovimin e platformës së bashkëqeverisjes. E cila inkurajon ndoshta qytetarët që të trokasin në derën dixhitale të kryeministrit, duke asgjësuar kështu vlerën e ankimit zyrtar dhe detyrimin e organeve që prodhojnë padrejtësi për të korrigjuar vendimet e tyre, por sidomos për të mos lejuar që një qytetar të shndërrohet në qytetarin dixhital të Sali Berishës.
Kjo sjellje nuk ka ndonjë gjë të përbashkët me shtetin dhe mekanizmat e tij, përkundrazi, ajo favorizon arbitraritetin përderisa tanimë çdo zyrtar mund të jetë i qetë se e drejta e qytetarit ka një shkallë efektive apelimi: te kryeministri. Vetë ky raport dëshmon për dështimin në luftën ndaj korrupsionit, nëse ajo ka ekzizstuar ndonjëherë, paaftësisë dhe abuzimit. Ajo dëshmon për degradimin e raportit qytetar-shërbim publik, pavarësisht zhurmës që është bërë.
Nuk është çudi që edhe kallëzimet penale të bëhen në shqiperiaqeduam.al, meqenese policia jo rrallë herë nuk i regjistron ato, apo edhe i fsheh. Ky është fundi i një shteti, edhe për shkak se ne paguajmë taksa që shteti të funksionojë, jo që ai të mos funksionojë pse paralel me të qeveris zyra dixhitale e ankesave. Qoftë te z. Rama, qoftë te z. Berisha, i pari sot si qeveri individuale, i dyti si prokurori dhe polici online.
Add new comment