Ndryshimet në qeveri, Presidenti nuk dekreton ende “kandidatët e ardhur nga rruga”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar sot një pjesë të ndryshimeve në qeveri duke firmosur të gjitha shkarkimet nga detyra të ministrave që Kryeministri zgjodhi për të lënë detyrën. Meta nuk ka firmosur megjithatë dekretet për emërimin në detyrë të të gjithë kandidatëve të rinj për ministër.
Konkretisht Presidenti ka firmosur shkarkimin nga detyra të zv. Kryeministres Senida Mesi, ministrit të Ekonomisë dhe Finanncave, Arben Ahmetaj, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato.
Ndërkohë kreu i shtetit ka pranuar deri më tani për përfshirje në qeveri vetëm këto propozime të kryeministrit Edi Rama:
Erjon Braçe, zv.kryeministër, Bledi Çuçi, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Eduard Shalsi, ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Elisa Spiropali, ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Presidenti nuk ka firmosur shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër i Jashtëm, ndërkohë që nuk ka firmosur ende kandidaturat e kryeministrit, Anila Denaj si zëvendësuese e Ahmetajt, Margaritin si zëvendësuese e Kumbaros, Besa Shahinin si zëvendësuese e Nikollës, Belinda Ballukun si zëvendësuese e Damian Gjiknurit dhe Gent Cakajn si pasues të Bushatit. Ky i fundit i vetmi i mbetur në detyrë. Presidenti ka ende kohë për të zgjidhur këtë çështje, por duhet thënë se qeverisë i ka mbetur sërish sharra në gozhdë për disa ministra.
Add new comment