A mund të edukohen kështu fëmijët?
Kujt nuk i ka rastisur të dëgjojë fëmijë të vegjël, të moshës 3-4 vjeç që të këndojë apo përpqiet të këndojë këngën: Xhamadani vija - vija? Me siguri të paktë janë.
Kjo këngë ka depërtuar në shqisat kulturore të përfaqësuesve të sistemit tonë arsimor duke nisur që nga kopështi e deri më lart. Në kryeinstitucionin edukues të nacionalizimit shqiptar: Stadiumin.
Mjafton kjo e dhënë empirike për të kuptuar se fëmijët tanë mëkohen me gjënjeshtra që në fillim, nacionalizmi histerik është abc-ja e edukimit të tyre që lë pas shumë edukimin si qytetarë. Ky i fundit kërkon shumë punë, do kohë, mund dhe ç’është më kryesorja: e ka të domosdoshme qytetarinë. Por kjo mugon ndër ne shqiptarëve që e zëvendësojmë atë me supën e nacionalizmit rapsodik të tipi xhamdani vija – vija. Rapsodik pasi ne jemi dëshmitarë të pafuqisë sonë për të bërë diçka reale për vendin, për të mos lejuar gremisjen e vendit. Ndaj edhe ja marrim këngës, i këndojmë Shqipërisë që nuk e patëm kurrë. Dhe mbathim opingat dhe ikim.
Kanë kaluar 100 e ca vjet nga ajo që njihet si Dita e Pavarësisë dhe njerëzia e ka për detyrë të bëjë një analizë, një bilanc e të shtrojë një pyetje: e kujt është kjo datë? Kujt i përket kjo festë? Kthehemi pas në kohë e sjellim në mend ditët e shkëputjes nga Perandoria Osmane, kur shumica e shqiptarëve as që po kuptonin çfarë po ndodhte. Thjesht ajo datë ishte akti i ndërmarrë nga një elitë e cila nuk pa rrugë tjetër për veten. Jeta e shqiptarëve të thjeshtë ndryshoi që nga ajo kohë, padyshim, por për mirë apo për keq? Këtë duhet ta gjejnë historianët që deri më sot na kanë ngopur me përrallën nacionaliste, me arritjet e popullit shqiptar e të tjera si këto. 28 nëntori është në fakt celebrimi i një pushteti që riprodhon veten, por pak mund të konsiderohet ajo sot – në kuptimin emotiv – një datë e përbashkët e të gjithë shqiptarëve. Sigurisht që shumëkush mund të dalë e të bërtasë duke thënë se e folura në këtë mënyrë është te të shiturit, por le t’i bëjnë pyetje vetes: sa i përfaqëson ky shtet shqiptarët? Të gjithë e mbajmë mend dënimet në emër të popullit që dekretonte Enver Hoxha. Por nuk jemi në gjendje të themi sesa populli ishte aty.
Sot kryhen akte të pashembullta në dëm të shoqërisë, edhe konçesionet jepen Në emër të Republikës. Por ato i shërbejnë vetëm një grupi njerëzish.
Edukimi nacionalist është ndoshta gënjeshtra më e madhe që u është bërë shqiptarëve. Shikoni këtë reportazh të Report TV në një prej kopshteve të Tiranës. Fëmijë që pa kuptuar asgjë bëjnë shqiponjën me gishta, këndojnë këngë për flamurin, idealin dhe Shqipërinë, ndërkohë që bota e tyre është shumë më e bukur dhe e ndërlikuar sesa kjo paçavure ku ata luajnë pa kuptuar. Cili fëmijë do zgjidhte flamurin për të luajtur? Askush.
E gjitha kjo ka shumë zero. Sepse ne e shohim edhe sot sesi të rinj që këndojnë edhe ata Xhamadanin, që të bëjnë njërën në kafene për Shqipërinë, duan vetëm të ikin, të emigrojnë. Sesi të gjithë presin që dikush ta bëjë këtë vend dhe me mënyrën e tyre nuk bëjnë gjë tjetër veçse ja lënë Edi Ramës dhe edramave të radhës. Këndojnë këngën, emocionohen nga flamuri pa kuptuar se ulërima e tyre është në fakt pasojë e kamomilit të elitave që gajasen me miletin më të mirë në botë që mund t’u binte hisesh.
Add new comment