Një tirons allasoj...

Postuar në 13 Nëntor, 2018 21:15

Është gabim që protesta e banorëve të Unazës së Madhe në Tiranë të shndërrohet në betejë personale të kryebashkiakut Erion Veliaj. Sepse ajo nuk është e tij, as e Bashkisë së Tiranës. Është betejë e një ideje për zhvillimin me tranzicionin, një përballje e detyrueshme për qeverinë dhe mandej edhe për Bashkinë.

Por zotëria donte një përballje, sepse ka kaluar në periferi dhe e ka mbushur kohën televizive me lajme për lyerje dhe viza të bardha. Për këtë arsye sot, kryebashkiaku Veliaj kaloi në sulmin e vet të preferuar: përdori tinzarisht termin “shpellarë” për të karakterizuar protestuesit. Sipas tij ata që nuk kanë “rrënjë në këtë qytet” nuk mund të dalin kundër zhvillimit. Zoti Veliaj nuk është tirons i zgjut sa për të përdorur një terminologji të tijën. Ai i ngjan më shumë një skuthi të nomenklaturës, sepse një tirons i zgjut e gjen gjuhën. Zoti Veliaj ndoshta nuk është as gen i fëlliqur siç shprehej sot deputeti Strazimiri pasi me siguri që ai nuk e meriton kaq shumë urrejtje, edhe pse është me të vërtetë një rast patologjik i atij çerrit polifunksional. Lan enët, tund kokën, bën çdo punë, ble paketën etj..

Këtij provokimi, protestuesit sot iu kundërpërgjigjën me mesazhin: Nuk jemi shpellarë, jemi qytetarë.

Në fakt as kjo nuk është e vërtetë. Sepe vërtet shpellarë nuk janë, pasi po protestojnë për shtëpinë e tyre, të cilën dikur ky shtet ua la ta ndërtonin, por po kërkojnë dëmshpërblim për banesa mes të cilave ka që nuk po legalizohen prej dekadash.

Por nuk janë as qytetarë. Sepse të tillë në Shqipëri nuk ka dhe ata janë aty për një shkelje të ligjit.

Zgjidhja e këtij problemi është juridike, ndonëse PD-ja po kërkon ta instrumentalizojë. Dhe duke qenë e tillë ajo kërkon bashkëpunim mes të dëmtuarve edhe për të mos lejuar njerëz si ky Erjon Veliaj, që nuk e ka për gjë të shkelë në pronën e tjetrit pa ligj, të kapitalizojë një betejë që nuk është e tija. Një padi ndaj veprimeve të Bashkisë, nëse ka të tilla, do ta bënte zotërinë me shumë më tepër dhimbje koke se ky ballafaqim verbal i kotë që do ta deformonte debatin.

Ne pamë sesi në diskutimin për Teatrin, po ky njeri njëherë takonte ca aktorë dhe dilte në fotografi, pastaj kërcënonte në emër të zhvillimit, shpërndante lajme për cilësinë e arkitektit për të dalë te teza e tij e preferuar: shumica dëshiron…Gjithnjë në përpjekje për të deligjitimuar palën tjetër. E humbi në fakt përballjen e argumenteve. I ka mbetur vetëm rruspa, dhuna e saj dhe akti kriminal të cilin nuk e delegon dot.

Është ajo shumicë në emër të së cilës zoti Veliaj foli edhe sot. Një shumicë të cilën ai e ngatërron qëllimisht me inercinë e të heshtjes, indiferencës,  përçues të së cilës jemi nga pak të gjithë. Këtë zotëria e quan Qytetari, por në fakt nuk të bën qytetar respektimi i semaforit, përpara mbrojtjes së të drejtave. Zoti Veliaj, njësoj si zoti Rama këta lloj “qytetarësh” preferon, kërkon, nxit apo edhe shpërblen. Sepse mbi këtë ai mund të bëjë virtuozin e Babagjyshit që sjell si dhuratë zhvillimin.

E megjithatë, ndonëse me dallime të mëdha, të dyja protestat, ajo për teatrin dhe kjo e tanishmja, një gjë duket ta kenë sqaruar: janë pakicat ato që nisin kundërshtimin. Jo shumicat. E di zotëria fare mirë këtë sepse është ndër ata që mburret se ka rrëzuar qeverinë me të ashtuquajturën lëvizje “Mjaft” e cila mori diku te 0 pikë ca përqind në zgjedhje.  Por janë protesta që nuk bëhen kundër tij. Nuk vlen Erion Veliaj kaq. Janë protesta kundër qeverisjes në përgjithësi, ndaj z. Rama, e ku z.Veliaj preferon të bëjë rrefepritësin me budallallëkun e vet politik, me sjelljen, gjestet, teknikën e manipulimit, mimikën, me çdo qelizë që përgjigjet për PR-in e këtij individi. Le ta bëjë. Le ta provojë veten në guidën e liderit. Ajo që ka rëndësi është që protesta edhe në qoftë politike të drejtohet aty ku duhet. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

I late njerezit te ngrinin shtepia ku deshen! Ua legalizuat dhe vazhdoni t'ua legalizoni! Tani doni te beni rruget, qe vertet jane te domosdoshme. Por nen hunden e kujt u bei gjithe kjo rremuje? Nen hunden e Sali Berishes, Fatos Nanos, Edi Rames dhe disa me te vegjelve. Keta duhet te pergjigjen perpara gjyqit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.