Telecom Albania del në shitje. Albtelecom blerësi më i mundshëm
Revista ekonomike “Monitor” shkruan sot se kompania e telefonisë së lëvizshme, Telecom Albania, pjesë e Deutsche Telecom do të shitet. Sipas revistës në lojë për ta blerë janë kompanitë Vivacom, Globul Telenor dhe manjati grek, Vardis Vardinogiannis. Lajmi ka rrjedhur nga mediat bullgare, ndërkohë që dalja nga tregu e gjermanëve duket se është për arsye mirëfilli financiare. Revista referon të ardhurat për vitin 2017 të Telecom, të cilat kanë qenë shumë të ulëta. Në fakt kompania ka patur 36 milionë euro humbje, çka është me të vërtetë shumë.
Kjo është thuajse një anomali në tregun shqiptar, nisur nga fakti se Deutsche Telecom hyri në tregun shqiptar duke blerë një nga kompanitë kryesore.
Në çdo rast, ngjan se operacioni mund të mbyllet brenda për brenda operatorëve që tanimë veprojnë në Shqipëri. Burime thanë për ResPublica se blerësi më I mundshëm është AlbTelecom, një kompani që kontrollohet nga turqit dhe ka nën pronësi edhe kompaninë celulare Eagle.
Ky është një zhvillim me rëndësi në treg, por edhe I vështirë për t’u lexuar. Qoftë edhe duke u nisur nga të dhëna “sipërfaqësore” siç është financimi I fushatave publicitare dhe marketingut. Nëse të ardhurat e Telecom kanë rënë me 14% për vitin 2017, kjo nuk shpjegohet me shpenzime si ato për marketing, pasi Telecom Albania ka operuar me aktorë të tillë si Ogilvy, por me buxhete shumë modeste.
Në krahasim me dy rivalët e vet, Vodafone dhe AlbTelecom, Telecom qëndron shumë poshtë në këtë drejtim. Vodafone shpenzon bashkë me AlbTelecom miliona euro buxhet marketing duke ndërvepruar me agjentë si McCann apo ndonjë kompani tjetër që qëndron shumë afër një televizion shqiptar. Të dyja këto kompania kanë një prezencë të shtuar dhe të kudogjindshme edhe në media, që shpjegohet me investimet masive në marketing, të cilat nga një pikëpamje operative do të kërkonin ndërmjetësim nga aktorë të tretë në treg, nisur nga praktika e punës në këto vite. Por se cili është efekti real mes parave të hedhura, prezencës së shtuar dhe rritjes së klientelës, kjo mbetet ende për t’u vlerësuar. Një gjë është e qartë: praktika strikte gjermane e operimit në një treg hibrid si ky shqiptar, ndoshta nuk ka funksionuar. Janë metodat hibride ato që sigurojnë avantazhe, e që në fund të fundit hedhin dritë më mirë mbi ndikimin që ka kjo shpërndarje të ardhurash në rritjen e trafikut të influencës. Pranë pushteti dhe medias.
Add new comment