Ambasada e Rusisë në Tiranë: SHBA duan t’i heqin Kosovës “Trepçën” dhe Ujmanin
Ambasada ruse në Tiranë ka publikuar sot në faqen e vet në Facebook, një reagim ndaj një shkrimi të publikuar në gazetën “Koha Jonë”. Shkrimi në fjalë i atribuon Rusisë autorësinë e planeve për rishikim kufijsh në Ballkan, pra edhe mes Kosovës dhe Serbisë. Në reagimin e vet, ambasada ruse tërheq vëmendjen në keqleximin e qëllimshëm që gazeta në fjalë i bën intervistës së senatorit Ron Johnson, që interpretohet si një akuzë për Rusinë dhe thirrje për ndryshim kufijsh.
…zoti S.P. e interpreton atë në mënyrë origjinale për të paraqitur tashmë akuzat të tij të rënda kundër Rusisë duke arritur deri aty sa të pretendojë se Moska gjoja dëshiron të përdorë “precedentin ballkanik” për rishikimin e kufijve të republikave ish-sovjetike. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një manipulim i hapur i opinionit publik dhe mosrespekt ndaj lexuesve të gazetës.
Ju kujtojmë se në fund të gushtit të këtij viti këshilltari i Presidentit të SHBA-së për sigurinë kombëtare John Bolton ka shpjeguar qëndrimin e Uashingtonit për dialogun aktual midis Beogradit dhe Prishtinës: “Politika e SHBA-së është e tillë që nëse të dyja palët gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre dhe arrijnë një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë edhe korrigjimet territoriale”. Shtrohet sërish një pyetje: përse pas deklaratës së John Bolton-it zoti S.P. nuk e pa të udhës të shkruante një editorial për faktin se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe duan t’i heqin Kosovës “Trepçën” dhe Ujmanin?
shkruan në reagimin e vet Ambasada. Siç shihet leximi i saj për deklaratat e Këshilltarit për Sigurinë, John Bolton është i thjeshtuar në një ide të qartë: SHBA është dakord që Kosovës t’i priten territoret e Trepçës, Mitrovicës dhe liqenit të Ujmanit(ambasada nuk përdor termin Gazivodë).
Ky përbën një theksim që duhet mbajtur parasysh qoftë edhe për ta kuptuar më mirë rrethanën koniunkturale që përdor presidenti Hashim Thaçi kur flet për “mbështetje amerikane”. Nga ana tjetër, Ambasada sqaron qëndrimin zyrtar të Rusisë, duke mohuar që ajo të ketë interes të drejtpërdrejtë në shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.
Përsa i përket qëndrimit zyrtar të Rusisë, që në dhjetor të vitit 2017 Presidenti Putin deklaroi qartë se Rusia është e gatshme të mbështesë “çfarëdolloj vendimi reciprokisht të pranueshëm që do të arrihet nga Beogradi dhe Prishtina”. Tërheqim vëmendjen tuaj te fakti se Presidenti rus nuk përmendi asnjë rishikim kufijsh
vijon sqarimin ambasada.
Rasti në fjalë është një ndër të rrallët kur qëndrimet posaçërisht kuturu të një medieje çfarëdo, shërbejnë për të vjelë një qëndrim dhe mendim nga një seli që akuzohet dhe dyshohet që bën pjesë në zbatimin e politikave jo dashamirëse ndaj interesave shqiptare.
Add new comment