Procesi i fasadizimit sipas soc-Rilindjes
Këmbëngulja e Ramës për të prishur Teatrin Kombëtar është shpjeguar kryesisht me makutërinë për të përfituar një mal me “mbi dyqind milionë euro” nga ndërtimi i kullave prej “Fushës”. Besoj se edhe kjo akuzë për korrupsion (si jo pak allishverishe të ngjashme, të kryera nën e mbi rrogoz (me PPP) nga të gjitha qeveritë, të llogaritura edhe nga KLSH-ja me disa qindra milionë euro të firuara), jo vetëm që do të jetë e vështirë të provohen, por mund të pohoj, pa frikën e rënies në qafë asnjë qeveritari, se edhe kullëzimi i territorit të Teatrit ka për të ikur “në drejtim të paditur”, i pandëshkuar e i paprovuar, pavarësisht nga fati i mëtutejmë i Vetingut.
Për sa më sipër, janë të bindur edhe autorët rilindarë të fabulës: “Na ishte njëherë një Teatër kombëtar”. Ndaj janë aq të qetë, hokatarë, krenarë e të vendosur.
* * *
Gjithsesi, “korrupsioni i narkoshtetit” nuk është e vetmja arsye e mosarsyes, që drejton veprimet dhe mosveprimet e socRilindjes. Kullëzimi, betonizimi, lejet e ndërtimit, braktisja e “ kthimit në identitet”, tenderat, koncesionet dhe PPP-të, investimet për pedonale, për vija të bardha dhe korsi biçikletash, sigurisht që janë produkt i shtysës delirante për të lënë shenjë në histori, për të ngurtësuar emrin me ngrehina “të paluajtshme”, të cilat më së pari synojnë në mos balsamosjen, lodhjen e mpirjen e opinionit publik.
Lyerja e fasadave të Tiranës ishte “prova e parë gjenerale”, jo vetëm estetike, por edhe politike, për të kryer manipulim të shpejtë mediatik se,- më në fund!- Shqipëria dhe shoqëria po ndryshojnë përnjëmend. Kur palmat e rrugës Rinas-Tiranë u thanë, Veliaj, shpejt e shpejt, “me procedurë të përshpejtuar”, miratoi fondin bajagi të shtrenjtë për zëvendësimin e tyre me pisha. Kritikave për shpërdorim të fondeve ai iu përgjigj me “sinqeritetin” që e karakterizon, afërsisht kështu: Si thoni ju, rrugën nga aeroporti në kryeqytet, prej nga vijnë delegacione, udhëheqës botërorë, ta lemë të ngjajë për faqe të zezë? Sipas kësaj logjike, është perceptimi që i jep formë dhe kuptim realitetit dhe jo e kundërta. Pra, nuk është realiteti ai që i imponohet perceptimit me ngjyrat, formën, volumin, përbërjen dhe përmbajtjen.
Më shqip: A ka ndryshuar ndërkohë, përveç fasadave e pedonaleve, struktura e shoqërisë, cilësia e jetës, mirëqenia, mirëkuptimi, niveli i jetesës, qasja e shqiptarit ndaj BE-së, mjedisit, ndërveprimi në komunitetit, raporti i zgjedhur-zgjedhës, administratë- qytetar, trajtimi i pronës së përbashkët falë fasadizimit? Në “filozofinë” e soc-Rilindjes, për rrugën Rinas- Tiranë mbizotëron meraku: si do ta hamendësonin “Shqipërinë që duam” të deleguarit e lartë të Europës dhe SHBA, po qe se rruga e vetme në të cilën ata do të kalojnë, Rinas- Kryeministri, do të dukej “Kandahar”, e ngjashme me të gjitha rrugët urbane dhe rurale të Shqipërisë, me pemë të thara, me qese e shishe plastike, me gropa e lopë, me asfalt të gërryer, pa dritat e kuqe dhe ato sferat prej betoni shumëngjyrëshe anash?
Kësisoj, nuk mund të gjykohet objektivisht dhe realisht po qe se nuk kihet parasysh se në botëkuptimin e kryerilindasit dhe sozive të tij politikë (velinave e veliajve, lagjeve e lenkave) nuk zotëron formalizmi (në kuptimin që kësaj fjale i jep estetika), por fasadizimi, si metodë dhe jo si ideologji, si pragmatizëm, jo si teori, si bojë, por jo si frymë, si një “kinse” e kuruar formalisht dhe jo si një deja vu, pra si një mjet politik, që shërben për të kapur në befasi e kollajllëk qëllimin, pushtetin, votuesit, bashkë me ndërkombëtarët. Fasadizimi nuk është e nuk shërben si ide, as si platformë e qeverisje e re, por si mënyra e vetme dhe e sigurt e politikëbërjes për të ndikuar, xhongleruar, tjetërsuar e tërhequr për hunde opinionin publik.
Sigurisht, bashkë me “kazanin” mediatik, i cili, duke u poshtëruar e përsëndyer, defaktorizohet dhe vihet lehtësisht nën hyqëm. Edhe pse dihet që pa mediat, pa kamerat dhe mikrofonat, pa ekranet, pa edicionet me kaseta të gatshme të lajmeve, pa tubimet nëpër katunde të thella, të stilizuara “fasadërisht” me regji, skenar, karrige, tapete dhe podiume të sjella kasten nga Tirana, për të dëshmuar qytetari, ndryshim, elegancë, fasadizimi i opinionit publik do të ishte i vdekur, media shqiptare vazhdon të vuajë nga sindroma e Stokholmit, kur viktima bie në dashuri me atë që e torturon. Edhe Tramp sulmon dhe fyen mediat, por ai nuk hakatet të fasadizojë propagandën. Madje, ai anuloi edhe paradën ushtarake, për të kursyer disa milionë dollarë. Kurse te ne, në vendin më të varfër të Europës, që nuk ka pare as për të ndërtuar një Teatër Kombëtar, harxhohen mbi 40 milionë dollarë për zyra e makina të administratës, për fasadizim.
* * *
Duke bërë efekt me çdo kusht e me çdo mjet, herë duke u shfaqur me atlete të bardha nëpër protokolle ndërkombëtare, herë duke tërhequr klerikët fetarë në ceremoninë e Parisit për tragjedinë e Charli Hebdo-së, rëndom duke sulmuar me batuta asgjësonjëse e poshtëronjëse kundërshtarët politikë e mediatikë nëpër foltore, para kamerave, Rama del jo vetëm i fituar, por ngjan edhe tejet i zgjuar, i mençur, i paparë, i papërballueshëm, i pakonkurrueshëm, i pazëvendësueshëm etj., etj…
Rama e ka provuar me sukses të plotë se forma dhe jo përmbajtja, ajo që thua dhe jo ajo që bën, ajo që duket dhe frapullon si fishekzjarr mbi kasollen e psikën e fakirfukarait është trysni çudibërëse për trushpëlarje. Lyerja e fasadës së një pallati, vizatimi mbi mure i ca shigjetave që drejtohen për në kuturu, krijon iluzionin optik që varfëria dhe mjerimi i banorëve që jetojnë nëpër pallate-kazerma të mos duket, ashtu si ambalazhi i bukur që fsheh ushqimin e skaduar. E ç’rëndësi ka që minimumi jetik është më i ulëti në Ballkan, që Shqipëria po firon dita-ditës nga ikjet masive, nga ulja e lindjeve, nga divorcet, nga braktisja flagrante e bankave të shkollës, nga papunësia dhe mungesa e thiktë e shpresës, nga rritja galopante e injorancës, vanitetit kolektiv, dhunës dhe krimit, nga diferencat mes të kamurve e skamnorëve?
Edhe pse konfliktualiteti social hëpërhë ka hyrë brenda familjes e nuk ka dalë në rrugë, si në Rumani, soc-Rilindja beson se pas fasadës dhe pedonaleve, të gjitha sa më sipër mund të maskohen e fshihen përkohësisht, paçka se një ditë ato do të ngjajnë si tatuazhi, pudra dhe buzëkuqi i sforcuar në fytyrën një plake të dëshpëruar, që fëmijët emigrantë e kanë çuar, prej hallit, në azil! Vënia e vetes në epiqendër të vëmendjes, duke personalizuar lajmin, duke privatizuar çdo veprimtari të qeverisë a Bashkisë, fasadizimi shërben si mjeti më efikas për të trullosur miletin, për të mposhtur kundërshtarët, për të nënshtruar, hutuar e verbuar militantët dhe vartësit (deri aty sa publikisht ta quajnë Skënderbej!), për të bindur madje dhe ndërkombëtarët se, më në fund, Shqipëria po del nga tranzicioni, nga rrëmuja e nga rrëmeti, d.m.th “po bëhet me shtet” falë përkushtimit të filanit… E megjithatë, vjen një ditë kur ambalazhit dhe fasadës iu del boja, kur klienti, edhe ai që është mësuar të hajë bar, e kupton se ushqimi i servirur prej tyre është “një kafshatë që nuk kapërdihet dot”… Vetëm se “kjo ditë” e lume, fatkeqësisht dhe historikisht, ne shqiptarëve na ka mirëseardhur me vonesë, pasi kemi vuajtur e paguar një kosto të shtrenjtë…
* * *
Sipas arsyes së mosarsyes të sendërtimit të propagandës me fasadizëm të kësollojtë, nuk ka rrugë tjetër, më të lehtë, për të ardhur e për të mbetur sa më gjatë në pushtet. Për të përforcuar e pasur nën kontroll të plotë mjetet e propagandës fasadiste, Rama e ka kthyer selinë e qeverisë në një galeri vetjake e më pas edhe në një studio televizive, ashtu si “partizani i vogël” Veliaj e ka bërë pikë montazhi Bashkinë, duke mbirë si fara e egjërit në televizor…
A mund të përfytyrohet dot sikur nesër, pas shumë vitesh, të bëhet kryeministër një veteriner, a ka të drejtë ai që pas këtij “precedenti” të pashembullt, muret e Kryeministrisë ai “t’i dekorojë” me fotografi kuajsh, gomarësh e lopësh? Trampi, Makron dhe Merkel as nuk e shkojnë nëpër mend që nëpër muret e selive të tyre të varin portretet e familjarëve. Besoj se as emiri i Kuvajtit. Katapulti i Ramës në PS dhe më pas i Veliajt nuk mund të shpjegohen ndryshe, pra nuk mund të ndodhte si risi që në një parti dogmatike (ish komuniste) të zinin bashin e vendit po të mos dinin të përdornin mjeshtërisht, si prestigjiatorë, magjinë e fasadizimit, autoreklamën agresive.
Edhe Merilin Monro nuk është filmuar e nuk e ka parë në pasqyrë veten aq kohë televizive sa Rama e Veliaj “kanë ngrënë” nëpër ekrane. Ata dalin në ekrane, ose në “Facebook”, edhe kur nuk kanë asgjë për të thënë. Përsëritja e vetes me zë e figurë, natë e ditë, nëpër ekrane e podiume nuk qenka nëna e mërzisë, por e sigurisë, eliksir i pushtetit që të deh me vetveten, ku e ku më shumë se droga dhe alkooli. Para disa ditësh, Veliaj u shfaq teksa iu mbante fjalim kalamajve të kopshteve, duke iu shpjeguar se ç’është filozofia e fitores dhe si duhet pranuar humbja. Kurse Rama, në pushime, doli të na bënte me dije se….se po i mësonte notin dhe pikturën Zahos…
Mjaftuan lyerjet e fasadave të ministrive që njerëzit të besonin se pas bojatisjes të mureve të jashtme do të ndryshonte dhe qeverisja, edhe administrata brenda zyrave; se pas shembjes së kioskave buzë Lanës dhe atyre në parkun ‘Rinia’ do të përfundonte kaosi social berishian, ku qeni nuk e njihte të zonë; shpresohet se edhe pas shembjes së Teatrit Kombëtar, ndërtuar me “pupulit kanceroz”, do të ngrihet një teatër super modern, të cilin nuk e ka Europa dhe se, njëkohësisht me ndërtesën, edhe arti skenik, edhe dramaturgjia, edhe regjia do të kapin majat e Europës…
Dhe pas kësaj, zhurma për mosprishjen do të jetë fashitur, duke u arkivuar, bashkë me aferat e tjera, (si mbikalimi i Zogut të Zi, stadiumi “Qemal Stafa”, parku i lodrave te Liqeni etj), në dosjen me titull: “shumë zhurmë për asgjë”. Jo, jo, nuk është pushtimi dhe privatizimi i ekraneve nëna e mërzisë, babai i bezdisë, halla e mashtrimit, sepse publiku, me sa duket, duke u bombarduar kësisoj, vjen një ditë dhe dorëzohet…Sepse, me sa duket, në shoqëritë postdiktatoriale dhe sidomos mbi njerëzit e kufizuar kulturalisht, perceptimi viziv është parësor, pasi syri i njeriut, më shumë se veshi dhe hunda, fut informacion të shpejtë e të kollajtë mbi trurin.
Ndaj bombardimi mediatik, i përditshëm, intensiv e agresiv, sipas stilit Rama-Veliaj, është provuar tashmë se ka ndikim absolut, të menjëhershëm mbi intelektin, arsyen, madje edhe mbi instinktin, bindjet dhe veprimet e shumicës. Rrjedhimisht edhe mbi votën. Kësisoj, po të shpërfaqet dukja përditë, pa u lodhur e pa u tutur, si blic, “si punë dhe jo si gjumë”, si diçka e paparë dhe e padëgjuar që do të transformojë Shqipërinë në epiqendër të Ballkanit e më gjerë, kurse Tiranën në metropol me kulla më moderne se ato të Nju Jorkut, mund të parashikohet që sot se zgjedhjet do të bëhen vetëm formalisht.
Ndaj, Veliaj i del suksesit të vet përpara që tani. Ndaj, si rilindar e vizionar i palodhur, iu mban fjalim kalamajve të kopshteve se si do të pranojë ai fitoren dhe sa qetë e me gëzim lipset të pranojnë kundërshtarët e tij humbjen e sigurt…. Hë pra, kur kalamajtë e puthin çdo ditë lali Erin, e duartrokasin, e adhurojnë, e duan, e mirëkuptojnë, ç’duhet të bëjmë ne të rriturit, prindërit dhe gjyshërit e tyre?
Panorama
Add new comment