Partneritet strategjik apo Protektorat?

Postuar në 05 Gusht, 2018 15:17
Skerdilajd Zaimi

Cila duhet të jetë marrëdhënia  e Shqipërisë me Turqinë? Ja një pyetje e cila pavarësisht se në realitetin diplomatik, politik, ekonomik dhe ushtarak të shekullit të 20-të, gjen kryesisht përgjigje pozitive, sfidohet nga narrativat historike që përbëjnë bazën e asaj që mund të quhet ngrehina ideologjike e shtetit shqiptar.

Shqipëria dhe Turqia sot janë partnerë strategjikë, apo më saktë, kështu e quajnë njëra-tjetrën në dokumentet zyrtare. Dy drejtuesit kryesorë politikë, Edi Rama në Tiranë dhe Erdogan në Ankara kanë një miqësi personale shumë të ngushtë, por arsyet e së cilës nuk mund të shpjegohen vetëm me “dashurinë me shikim të parë” pasi kemi të bëjmë me marrëdhënie shtetërore. E megjithatë raportet mes të dyja vendeve përherë provokojnë diskutime dhe debate. Ato tematizohen për shkak të historisë sonë dhe të asaj çfarë përfaqëson Turqia e Erdoganit, një vend që ka ideologji Islamin Politik. Është naive të mendosh se ambiciet ideologjike të Erdogan nuk projektohen në politikën e tij të Jashtme dhe kushdo që në Shqipëri synon të neglizhojë analizën e strukturës së pushtetit të sotshëm turk, në të vërtetë ose është i njëanshëm, ose ofron një panoramë të pjesshme.

Turqia zyrtare kërkon në të vërtetë diçka që shqiptarët nuk mund ta japin pa lëshuar më parë instruksionet ideologjike të Rilindjes së tyre Kombëtare. Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ndër të tjera thotë:

Populli turk ka qenë së bashku me vëllezërit shqiptarë në shekuj. Rrënjët e miqësisë sonë me Shqipërinë dhe shqiptarët zgjaten deri në shekullin e 14-të, madje edhe më herët. Për shembull gjysmëlegjendari Sarë Salltëk Baba, i cili e kishte vendbanimin në një shpellë në një pozicion mbizotërues në Krujë dhe për të cilin shqiptarët kanë ushqyer respekt dhe dashuri, ishte një turk selçuk që ka jetuar në shekullin e 13-të. Ne jemi dy popuj që kemi ecur së bashku në shekuj. Stambolli ku banon një popullsi e rëndësishme shqiptare dhe ku sot dy lagje e kanë emrin Arnavutkëj, për pesë shekuj ka qenë kryeqyteti ynë i përbashkët. Gjatë këtyre pesë shekujve 35 sadrazamë, domethënë kryeministra të kohës së sotme, kanë qenë me origjinë shqiptare. Numri i shqiptarëve në Turqi është më i madh se popullsia e Shqipërisë. Shumë themelues të shtetit shqiptar kanë qenë personalitete me detyra të rëndësishme në periudhën osmane. Për shembull, Ismail Qemali ka qenë një figurë e rëndësishme e burokracisë dhe politikës osmane. Ai ka qenë guvernator, anëtar i Këshillit të Shtetit, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, këshilltar i lartë shtetëror dhe dy herë deputet i Beratit. Themeluesi i Republikës së Turqisë dhe biri i kësaj treve gjeografike Mustafa Kemal Ataturku i njihte shumë mirë shqiptarët që në vitet e shkollës në Selanik dhe në Manastir. Ai e ka përmbledhur shumë bukur duke thënë : “Ne e duam popullin shqiptar, e konsiderojmë vëlla, nuk e shohim larg nesh. Ne dëshirojmë seriozisht që ai si shtet dhe popull të fuqizohet dhe të përparojë, të zërë vendin e merituar në Ballkan

Këto mendime bien ndesh me atë që historiografia shqiptare edhe sot e kësaj dite u mëson fëmijëve shqiptarë. Është pak e vështirë të kuptohet apo imagjinohet një miqësi shqiptaro-turke që në shekullin e 14-të, kohë kur principatat e Arbërisë u bënë pjesë e sulmeve osmane për t’u asgjësuar krejtësisht një shekull më vonë. Zoti ambassador anashkalon figurën ndarëse të historisë sonë të përbashkët siç e quan ai, të Skëndërbeut, duke  rekomanduar në vend të saj vetëm karrierat e shqiptarëve të tjerë si Ismal Qemali. Në të vërtetë deklarata e Pavarësisë se firmosur nga po ata zyrtarë osmanë ishte në përmbajtje dhe në frymë, distancim strategjik i Shqipërisë nga bota osmane dhe në këtë sens ecën edhe pedagogjia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e cila në fakt edhe pse mori fill nga kërkesat për reformim të Perandorisë, përfundoi me nevojën e një orientimi të ri për shqiptarët.

Sigurisht që Shqipëria nuk e ka luksin, as interesin të armiqësohet me Turqinë, as edhe të bëjë teza të politikës së jashtme të vetën rolin e Skënderbeut në histori. Por diplomatit në fjalë dhe kolegëve të tij, u duhet treguar se narrativa jonë historike duhet respektuar ashtu siç narrativa turke kërkon të respektohet. Shqiptarët dhe turqit padyshim që kanë qenë bashkë për 500 vjet nën një shtet, por është shumë e vështirë të kuptohet kjo si vëllazëri, siç kërkon diplomati në fjalë të quhet.

Në një botë interesash dhe kur interesi predominon mbi afeksionet e së shkuarës, nuk ka nevojë për leksione historie nga miqtë e akredituar në Tiranë, që e bëjnë jo rrallë një gjë të tillë. Kjo mundet të jetë edhe koncesion i qeverisë aktuale shqiptare, që teksa rend me galop drejt Europës dhe europianizimit të Shqipërisë, lë një derë hapur për insinuata të tilla për arsye që nuk kuptohen.

Partneriteti strategjik mes të dy vendeve është tanimë një realitet diplomatik dhe poilitik, por Shqipëria pretendon se ka partneritet të tillë edhe me Italinë, Greqinë, Gjermaninë, Francën dhe SHBA-në. Në asnjë rast nuk është evokuar apo kërkuar vëllazëria si argument emocional apo si tezë për ta thelluar këtë partneritet drejt një marrëdhëieje të posaçme apo të veçantë. Ky akord luhet vetëm në raport me Turqinë. Dhe luhet duke artikuluar domosdoshmërinë e aleancës shqiptaro-turke në një kontekst të imagjinuar armiqësor për shqiptarët në Ballkan. Kësaj qasjeje i mungon qoftë objektiviteti, ashtu edhe dëshira për të parë nga e ardhmja jo vetëm me syzet e historisë. Sado e fortë të jetë aleanca turko-shqiptare, Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund t’ja lejojnë vetes që të formulojnë politika në vijimësi duke konsideruar vetëm rrethimin nga popuj armiq. Kjo do të ishte shumë e dëmshme dhe joproduktive.

Nga ana tjetër pse të mos pyesim: Cila është arsyeja e kësaj dashurie të pakufishme që na sugjerohet se Turqia ka për ne? Një partneritet strategjik që nuk mbështetet në shifra ekonomike por vetëm në evokimin historik dhe gjeostrategjik, nuk është çudi të nënkuptojë edhe proteksionizëm.

Një nga rajonet ku kjo vëllazëri dhe kjo aleancë konsiderohet tezë mbi tezat është Maqedonia, ku një pjesë e shqiptarëve të atyshëm nuk e fshehin lidhjen afektive dhe njerëzore që kanë me Turqinë. Por ideologët e saj nuk mungojnë edhe nga Tirana. Ish-diplomati dhe publicisti, Shaban Murati, shkruan në një opinion të gjatë, publikuar në revistën “Shenja” se

Turqia është aleati strategjik më optimal i Shqipërisë, i Kosovës dhe i shqiptarëve në Ballkanin kontinental

Sipas tij, kundërshtarët e kësaj ideje janë vetëm dy kategori:

Grupi i parë është i atyre qarqeve dhe individëve të sponsorizuar nga institucionet e specializuara të shteteve, si Serbia dhe Greqia, të cilat kanë interesa strategjike të mbajnë të izoluar, të dobësuar dhe pa miq si Shqipërinë e Kosovën, ashtu dhe krejt faktorin shqiptar në Ballkan.

Grupi i dytë është ai i individëve nga pakicat fetare dhe etnike në hapësirat shqiptare, të cilët – duke keqpërdorur shenjat fetare të preferuara për organizatat europiane si BE, ku Shqipëria dhe Kosova aspirojnë të anëtarësohen – atakojnë aleancën strategjike të të dyja shteteve shqiptare me Turqinë mbi baza fetare, duke synuar të përfitojnë shkallë pushteti mbi shumicën dërrmuese të popullsisë në Shqipëri, në Kosovë, në popullin shqiptar të Maqedonisë etj.

Këtu harrohet, apo nuk thuhet, se bota shqiptare nuk është njëpolare sa i përket perceptimit të raporteve strategjike me vende apo popuj të tjerë. Gjeopolika e brendshme e popullsisë shqiptare, si dhe zhvillimet e ndryshme të cilave i janë nënshtruar pjesë të saj, duhet të përcaktojnë edhe strukturën e analizës dhe ideve që kanë të bëjnë me çështje të tilla. Ndikimi fetar islam në shqiptarët e Maqedonisë dhe një pjese të Kosovës është më i fortë sesa te shqiptarët e Shqipërisë, të cilët në dy dekadat e fundit emigruan drejt Perëndimit. Narrativa e Rilindjes Kombëtare, siç e distiloi atë regjimi i Enver Hoxhës, e zhveshur nga çdo konotacion fetar dhe e “laicizuar” në kulm, ka ndikim të thellë në Shqipërinë e sotme, një pjesë e shoqërisë të së cilës në mënyrë spontane dhe “të vetvetishme”, e asocion Turqinë me kujtime të hidhura historike, me prapambetjen, antieuropianizmin, madje me një armiqësi të thellë që ndëmjetësohet nga skalitja e figurës së Skënderbeut.

E vërteta është se ndonëse Turqia është një shtet që në modelin e sotshëm të sajin, atë të Islamit Politik të z. Erdogan, është i vetmi vend që sfidon një raport që shqiptarët – të paktën ata të Shqipërisë –kanë me historinë e tyre, por edhe me simbolet kombëtare. 

Nëse Turqia e z. Erdogan kërkon të riciklojë lavdinë e Perandorisë Osmane, ajo është e lirë ta bëjë këtë edhe duke u ngritur monumente sadrazemëve shqiptarë që nuk i mohojmë për asnjë cast. Por kjo nuk ka pse të pranohet si pjesë e konsensusit të paqenë politik për rishikimin e shtyllave të identitetit politilk shqiptar.  Ky proces rishikimi do të kishte shumë vlerë nëse do të iniciohej nga vetë shqiptarët, intelektualët dhe historianët e këtij vendi, përpara se të jetë kërkesë e miqve tanë shekullorë. Por ky rishikim është një operacion shumë më i thellë sesa rishikimi i teksteve në pjesët ku flitet për Greqinë, apo Serbinë nesër, vende që nuk kanë fatin e flirtimit me Shqipërinë. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mire e ke ti, por tashme eshte vone per identifikime te tilla, pasi Turqia e Erdoganit e ka tashme Shqiperine ne xhepin e vogel te saj dhe as qe behet me fjale per thenie te vertetash, as per kundershtim. Jo vetem ne lidhje me Turqine, por tashme pergjithsisht Shqiperia nuk ka me pamvarsi. Thjesht eshte nje rrembythje, te cilen e shkerdhen cdokush qe i jep nje kacidhe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.