Cilën Shqipëri kanë ndërmend këta zotërinj?
Ministria e Jashtme e Shqipërisë, që në këtë mandat të dytë qeveriës, i ka shtuar vetes edhe llagapin “për Evropën”, ka shpërndarë në këto momente një njoftim mbi një letër që drejtuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri i dërgojnë kancelares gjermane Merkel dhe presidentit francez Macron për hapjen e negociatave për me Shqipërinë.
Në letër përfaqësuesit e këtyre komuniteteve bëjnë thirrje që Europa të hapë rrugën për anëtarësimin e vendit tonë, duke theksuar edhe njëherë se Europa është e ardhmja për kombin tonë.
Në këtë moment të një rëndësie të madhe, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë atë që kemi shprehur kohët e fundit në deklaratën tonë të përbashkët të datës 21 prill 2018: ne shqiptarët jemi pjesë e Evropës. Ne jemi pjesë e një historie që shtrihet në origjinën e Evropës. Është një histori që ka rrënjë mijëra vjeçare. Rrënjë të përbashkëta kulturore dhe sociale na lidhin. Jemi të bindur se rruga drejt Bashkimit Evropian përfaqëson dëshirën e kahershme të njerëzve tanë, si edhe vlerat e një shoqërie të lirë ku çdokush mund të ushtrojë të drejtat e tij e ndër to, e drejta e lirisë dhe besimit fetar është thelbësore. Rruga drejt Bashkimit Evropian është veçanërisht kritike për rininë tonë. Të rinjtë shqiptarë renditen mes euro-entuziastëve më të fuqishëm, e megjithatë ata ndjehen më të frustruar, sepse edhe pse jetojnë pranë shokëve të tyre evropianë, janë të përjashtuar nga të njëjtat mundësi. Mbështetja juaj për Shqipërinë në procesin e pranimit, më këtë moment kritik, kur vlerat e tolerancës, solidaritetit dhe të drejtave të njeriut kërcënohen nga radikalizmi, fanatizmi dhe ideologji të tjera si këto. ju bëjmë thirrje të pranoni dëshirën e sinqertë të të gjithë shqiptarëve, dhe të na mbështesni në angazhimin tonë të pakthyeshëm për një Shqipëri si pjesë e Evropës. Me lutje të zjarrtë, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të mbetur mbështetës të palëkundur të vlerave evropiane të një shoqërie me liri, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë
thuhet ndër të tjera në letrën që I është dorëzuar ministrit të Jashtëm Bushati.
Siç mund të shihet komunitetet, apo më mirë përfaqësuesit e tyre vihen në shërbim të një politike që nuk është domosdoshmërisht më e mira për vendin tonë. Integrimi në Europë, siç paraqitet në letër, nuk është çështje historie, as përkatësie ekskluzive në qytetërimin europian, të cilin ne shqiptarët e njohim shumë pak, por çështje vlerash dhe standardesh, si dhe përcaktimi. Në të trija këto kategori ne përmbushim vetëm të fundit, ndaj edhe kërkesa e komuniteteve këtu bie ndesh me misionin e tyre dhe nevojën për të shëruar një shoqëri të tërë nga sëmundjet për të cilat është përgjegjëse ajo politikë të cilën ata sot e mbështesin.
Nuk është aspak turp, as faj, por përgjegjësi, të kërkosh sot ndalimin e çdo hapi në favor të negociatave sa kohë që ato konvertohen në certifikatë besueshmërie për këtë qeveri që ka fajin historik të kriminalizimit të rinisë. Të asaj rinie për të cilin flasin komunitetet, që po humbasin edhe ato terren në zgripin moral të një shoqërie që po dorëzohet te konsumizmi dhe krimi e korrupsioni.
Cilën Shqipëri do pranojë Europa sot? Atë historike, Ilirikumin, Arbërinë, apo Shqipërinë e bërë copash dhe kthyer në një principatë të krimit? Atë Shqipëri ku një arritje historike si kjo e afrimit në Europë mund të grabitet si fitore e një qeverie me të cilën këta zotërinj pranojnë të ndajnë firmën?
Dëgjojmë jo rrallë nga komunitetet apelin kundër drogës dhe dhunës. Si mund të kenë vlerë ato në dritën e një deklarimi që duket hapur se është kërkesë e qeverisë shqiptare? Si mund të besohen këta klerikë të lartë që i shërbyen në Paris kryeministrit aktual si dekor i një propaganda që nuk ka asgjë të vërtetë?
Kemi parë z. Rama të shtrojë iftare e të citojë Kuranin, të gatuajë fjalime sensacionalë me thënie e fraza kumbuese, e kemi parë atë të presë Papën e ta shndërrojë Tiranën në kryeqytet të katolicizmit, të flasë për tolerancën e të entuziazmohet deri edhe nga ashureja. Por këto janë sjellje oportuniste që nuk respektojnë një hierarki historike, apo edhe demografike të fesë në Shqipëri; mes tyre dimë të gjithë të dallojmë të përkëdhelurit dhe ata që mbahen afër nga droja. Ky nuk është respekt, as vlerësim, por pragmatizëm.
Por nëse kjo është e kuptueshme te një politikan, cila është arsyeja dhe vlera e një pragmatizmi të klerikëve në raport me pushtetin? Cilën Shqipëri po certifikojnë këta barinj të së mirës në një vend në shpërbërje të plotë morale? Kush ka nevojë për mesazhet e tyre politike, veç z. Rama, që me këtë lëvizje vetëm sa na konfirmon se nuk ka asgjë në vijë për negociatat? Se Jo-ja është tashmë vendim zyrtar.
Askush. Sot mund të duket antikonformist, apo keqdashës qëndrimi i dikujt që mendons se “më mirë jo për negociatat, sesa një po që krediton me imazh të ri këtë qeveri”, sesa ky sherbeti i duartrokitjeve “pa dallim feje,krahine dhe ideje” që kërkon fajtor dhe tradhëtar ngado.
Shprehje e këtij masturbimi reciprok që mbulon një politikë dështimi është edhe mesazhi kordial i ministrit Bushati:
Ju keni dhënë shembullin më kuptimplotë që ne jemi evropianë dhe tani është momenti i duhur për secilin prej nesh të ndjekim shembullim tuaj
është drejtuar ai përfaqësuesve të klerit.
Add new comment