Intervista/Veliaj për epideminë e parazitëve në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës: Ja si të qëndroni të pastër!

Postuar në 29 Mars, 2018 03:04
Intervistoi: Shaptilografisti

Në koshtet dhe çerdhet e Tiranës ka që nga muaji nëntor që ka rënë epidemi parazitësh. Ose siç thuhet rëndom: ka rënë morri.

Ja nuk ju ha koka tani që lexuat  këtë?

Ky fakt raportohet për redaksinë e “Të Kripura” nga disa prindër sipas të cilëve një ndër shkaqet për këtë epidemi është mungesa e dezinfektimit. Problemi ka shkuar deri në Bashkinë e Tiranës, por ai është censuruar me urdhër të kryebashkikut Erjon Veliaj. Po kështu, disa prindër e kanë shtruar edhe në mbledhjen e Organizatës Bazë të PS-së, por siç bëhet e ditur Lali Eri nuk ka dëgjuar as nga ai krah.

Cila është arsyeja e kësaj sjelljeje?

Kjo është një pyetje që lind natyrshëm pasi parazitët janë një problem jo i vogël.

Ka njerëz që thonë se Lali nuk do të pranojë se në qytetin që ai administron të mund të bjerë morri. Për Lalin, Tirana e pemëve dhe zhvillimit nuk mund të molepset nga probleme të tilla irrituese. Ka të tjerë që thonë se Lali dyshon se kemi të bëjmë me një sabotim nga Xhelal Mziu që vetë nuk raporton kurrë se çfarë bëhet në Kamëz. Intriga shkon shumë larg, kur thuhet se Mziu bashkë me një grup demokratësh po mendojnë që të përhapin lajmin në rrjetet sociale e me këtë rast t’i propozojnë z. Veliaj që ndonjërës prej rrugëve të Tiranës t’i vërë emrin e tmerrshëm: Morri. Spekullime të cilave “Të Kripura” mendoi t’u jepte fund me një intervistë me Lalin, i cili për çudi u tregua i gatshëm.

Përshëndetje z. Veliaj! Jeni në dijeni të epidemisë në fjalë? Asaj të parazitëve në kopshte dhe çerdhe?

Mos rendni pas dashakeqësisë. Ne po bëjmë kaq shumë për Tiranën. Ju lutem më shumë dashuri për këtë qytet.

Padyshim që po. Por po pyesim për një çështje që sipas të dhënave ekziston.

Edhe njëherë. Se unë nuk kam problem me mediat, por me gazetarinë joetike. Kur themi epidemi parazitësh, kjo nuk bie në Tiranë apo në Vorë, por te njerëzit. Në këtë rast te fëmijët. Dhe si mund të thuhet që epidemia ka rënë në kopshte dhe çerdhe? Ja, t’ju jap çelësat e çdo kopshti dhe çerdheje, shkoni shikoni pasi të kenë ikur fëmijët dhe më thoni nëse do të keni gjetur apo jo parazitë.

Po e drejtë. Por gjithësesi, pse kjo epidemi sipas Jush?

Unë mendoj se nuk është çështje higjene. Familjet e Tiranës janë të mrekullueshme. Por besoj ngaqë fëmijët rrinë bashkë me njëri-tjetrin pa bërë asnjë punë.

Po thoni që fëmijët duhet të punojnë?

Jo, po them se aktiviteti të mban larg problemeve të tilla. Ja p.sh pse të rriturit nuk preken nga parazitët? Sepse ata nuk rrinë, por punojnë.

Më falni, z. Kryetar se këtu hyni edhe Ju. Por me sa kemi parë Juve nuk ju zë as gripi, pasi punoni çdo ditë të vitit. Po këtë si e shpjegoni?

Unë kam një teori timen. Unë personalisht e lidh me imunitetin që kam nga konsumi i lartë i fiqve kur isha i vogël. Një frut që më ndryshoi jetën. Meqë u kujtova…

Renato, o Renato!

Po shef!

Shiko lal. Bëj një lajm që dieta e kopshteve dhe çerdheve do të përfshijë edhe fiqtë.

Po kush e bën këtë lajm shef?

Hidhe në Facebook në fillim, pastaj e merr TiranaPost, meqë ajo është media që mbulon Tiranën.

Ok

Ah më fal. Kemi krijuar Ne shoqatën e fëmijëve të kopshteve dhe të çerdheve?

Jo, më the ta lëmë për zgjedhjet lokale.

Mirë ok. Thashë ta bënim aktivitet me shoqatën.

***

Më falni! Pra siç thashë fiku është sekreti.

Dakord. Meqë na e sollët në vëmendje, pse nuk keni mbjellë asnjë fik gjatë fushatës suaj për mbjelljen e pemëve?

Thjesht zgjedhje verdurash. Asgjë më shumë.

Ka njerëz që thonë se Ju keni frikë se mos kryeministri ju merr inat pasi me mbjellejn e fiqve do të nisë të krijohet referenca në Tiranë, Fiku i Lalit.

No comment. Pastaj nuk ka asnjë Fik të Lalit. Fiku do jetë i Tiranës. Unë nuk arrij ta besoj si mund të ketë ende njerëz që besojnë se Fiku mund të jetë i Lalit. Nuk e kuptoj si vazhdon ky mentalitet!

Falemnderit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.