Zhbllokohet Kosova, zhgënjehet ambasadori amerikan
Me minimumin e nevojshëm, prej 80 votash Kuvendi i Kosovës miratoi demarkacionin pas katër herë ndërprerjesh të seancës për shkak të gazit lotsjellës të hedhur në sallë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Partia e Albin Kurtit kundërshtoi edhe këtë radhë ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi me një mënyrë që nuk përputhet me praktikat e vendeve demokratike. Ndonëse përshëndeti miratimin, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delaëie, nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij për skenat në Kuvendin e Kosovës duke thënë se deputetët e Vetëvendosjes përdorën dhunën për të penguar demokracinë.
“Jam shumë i zhgënjyer që një parti po e shfrytëzon dhunën për ta penguar demokracinë. Shpresoj që deputetët të kthehen në Kuvend për të votuar po për votimin e demarkacionit. Do të doja të shihja këtu edhe deputetët e Listës Serbe që të votojnë për një marrëveshje që qartazi është në të mirë të tyre. Kosova duhet të bëjë përparim”-deklaroi Greg Delawie. Përplasjet politike në Kosovë për marrëveshjen e Demarkacionit zgjatën plot 3 vjet, duke penguar liberalizimin e vizave, që ishte kusht i vendosur nga BE.
Add new comment