Ish-presidenti: Jemi të gjithë në rrezik nga droga
Ish – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shprehet se siguria kombëtare është në rrezik nga trafiku i drogës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, z. Nishani interpreton rastin e kapjes së 613 kg kokainë në Durrës si tregues se Shqipëria është shndërruar në trampolinë të droga e të rënda.
Ata që e kanë studiuar me kujdes fizionominë e MAFIA-s e dinë mirë se një ngarkesë qindramilionëshe nuk lëviz kurrë pa garanci të forta me pushtet absolut për të siguruar suksesin e transaksionit.
Një ngarkesë qindramilionëshe nuk lëviz kurrë pa u provuar suksesi i përsëritur i sasive më të pakta që rriten në progresivitet kalim pas kalimi. Përse këtë vend po lejojmë të na e shkatërrojnë në këtë “far-féje”, duke na kthyer të gjithëve në maskën e bosëve narkos ?
Shqipërinë po na e kthejnë nga HAMBARI evropian i kanabisit në TRAMPOLINEN mesdhetare të kokainës ! Shumë mirë që kontenieri që u plas në mes të sheshit të Portit u kap. Duartrokitje ! Por 28 shkurti është ngulur si gozhdë tani.Rrogëtarët e kokainës do përpiqen ta lyejnë me bojrat e ylberit të bardhën vrastare të kokainës. Por ne, qytetarët nuk duhet të kompleksohemi nga ky lloj agresioni i trushplarjes. Sot Siguria Kombëtare e Shqipërisë është në rrezik! Rrezik që vjen i komanduar nga miliardat e parave të zeza të së bardhës zezonë kokainë.
Miliarda që lehtësisht blejnë të gjitha llojet e pushteteve në një vend që quhet formalisht demokratik. Miliarda të pista që blejnë votat dhe pushtetin politik. Pastaj me të, zotërojnë pushtetin ekonomik. E pastaj me të, kontrollojnë pushtetin mediatik. E më tej me të, nënshtrojnë pushtetin e drejtësisë.
Përfundimisht gjithshka e blerë! E blerë me kokainë tashmë. Ndaj siguria jonë është në rrezik! Kur siguria e qytetarëve të një vendi është në mënyrë masive në rrezik, Siguria Kombëtare është e tëra në rrezik
shkruan Nishani.
Një ditë më parë edhe presidenti aktual, Ilir Meta shprehu të njëjtën gjë. Z. Meta u përcaktua me këtë ide që në kohën e bashkëqeverisjes me PS-në, kur ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë për luftën kundër kanabisit. Por gjithçka mbeti në kudër të fjalëve pa u shtyrë më tutje.
Add new comment