Një betejë që duhet fituar për shumë arsye
Përballja qeveri – artistë ka edhe një dimension komunikimi përveç përmbajtjes dhe argumentit. Nga njëra anë një grup njerëzish të irrituar dhe të kapur në befasi me projektligjin e ri për artin përfshirë edhe dëshirën për të rrafshuar godinën e teatrit kombëtar, nga ana tjetër një ministre, ministri dhe kryeministri.
Një ministre që po provon se është levë e tjetërkujt edhe pse ja ka marrë dorën rolit të atij që qesh dhe kërkon të imponojë epërsinë në argumente. Një ministri që nuk di të mbrojë synimet e veta, që fsheh nismat dhe mezi pranon të japë një çikërrimë informacion dhe disa artistë që reagojnë kur u vënë lakun në fyt.
Përmbi këta të gjithë qëndron kryeministri që bëhet gjallë me statuse dhe komente në Facebook, por që njësoj si në kohën kur nisi karrierën politike dhe kur luante rolin e Dorian Greit, me (auto)portretin e vetes, atë të vërtetin të lënë në shtëpi, vijon të vërtitet në kufijtë e gjithkujt me deliret e veta.
Termi delir nuk është i ekzagjeruar sa kohë që z. kryeministër dhe ata që përdoren prej tij edhe sot e kësaj dite nuk dinë të tregojnë një projekt konkret për teatrin, por sigurojnë se teatri i ri është më i mirë se i vjetri. Nuk është sekret që kjo e z. Rama është ambicie e vjetër, nuk është as çudi që ai ta ketë personalizuar këtë përballje, të cilën do ta kurorëzojë me një fitore prej kullash njësoj si me stadiumin apo kinematë e dikurshme të Tiranës.
Por ky kryeministër ka një avantazh të madh që duhet t’ja njohim. Dhe ky avantazh është se ai përballet me njerëz dhe grupe që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të bërtasin. Ose të ulin kokën apo kurrizin. A ka vallë shfaqje më poshtëruese sesa ajo e kryeministrit në Akademinë e Shkencave apo me pedagogët e universitetit? Ulërima dhe epitetete, hakërrime dhe kërcënime që kalojnë pa asnjë reagim, e që në fund të fundit i japin të drejtën prej ciniku Edi Ramës që duket sikur na thotë: Këta janë. Çfarë po mbroni?
Z. Rama sot po i shkon për shtat ajo ironia e Andreotit që tha dikur se “vetë jam mesatar por nuk shoh gjigandë vërdallë”. Z. Rama është edhe shumë i gjatë kështu që e ka shumë të vështirë të gjejë rivalë. E në këtë situatë ku e drejta nuk dihet ku qëndron, është e dobishme që të diskutohet hapur dhe të shpalosen projektet për atë që janë. Është e vetmja rrugë që publiku i interesuar të kuptojë se çfarë po bëhet realisht, edhe pse interesi i tij, sado teorik qoftë, është i pambrojtur nga artistë, akademikë apo profesorë si këta që shohim ekraneve.
Nuk është çudi që kryeministri të nisë e të flasë për Kazanin Akademik dhe atë Artistik, por në fund fare kjo do ishte tepër. Nuk mundet që arroganca dhe padurimi i dikujt të kalojnë për sistem matjejeje dhe vizion për ndryshim. Do të ishte një keqkuptim i madh, faturën e të cilit do ta paguajë herët apo vonë edhe z.Rama me ministren e tij që e ka keqpërdorur shumë herë. Sepse edhe pushteti paguan dhe nuk e mbron dot veten deri në fund.
Intuita na thotë se me teatrin po luhet teatër i pisët. Dhe kjo intuitë është arma më e fortë sot për ata që nuk duan të gëlltisin pordhën e radhës të Rilindjes, me litani të tilla dixhitale si “Dhe me këtë foto ku më parë më parë ishte një godinë…ju përshëndes”.
Comments
Nuk eshte e domosdoshme po
Nuk eshte e domosdoshme po nje "bravo" nuk kam perse e kursej per kete shkrim qe ne pak rreshta zberthen nje situate komplekse. Problematika e kesaj situate po perhapet si nje njolle vaji ne te gjitha sferat e shoqerise shqiptare. Nje kryeminister qe erdhi ne pushtet sepse u paraqit si alternativa e nje paraardhesi qe nuk kishte lene gje pa bere per te mos fituar dot me. Dhe po ky kryeminister ka avantazhin te livadhis me nje sheshpamje dhe sheshqitje te palimit, sepse nuk ka asnje alternative minimale domethenese ndaj tij, por vetem ulerites te paformuar mire as si ulerites dhe qe kompleksohen shume shpejte nga te qeshurat imponuese te nje ministreje. Nuk besoj te kete egzistuar ndonje kryeminister ne historine boterore qe ta kete pasur kaq te thjeshte te "qeverise" edhe ne kushte kaq dramatike per vendin ne te gjitha sferat e jetes. Nje u jep mend fshatareve per te mbjelle patate a molle, diten tjeter kerkon tu mbushe mendjen akademikeve qe te mos ankohen jo vetem per mungesen e shkumesave, po as per vonesat e rrogave. Dhe diten tjeter akoma, merret me teatrin ... do prishet ...nuk do prishet. Ne kohen e lire, tall edhe bythen fejsbuqeve.
Add new comment