Dossier/Kriza sovjeto-jugosllave e vitit 1971 dhe një rol i Shqipërisë

Postuar në 04 Janar, 2018 14:49

Është shkruar disa herë se përmirësimi i marrëdhënieve me Jugosllavinë në fillim të viteve ’70 lidhej me kërcënimin rus që u lexua si shumë iminent sidomos pas ngjarjeve të Çekosllovakisë në vitin 1968. Në një përmbledhje publikuar në datën 4 dhjetor 2017 në faqen online të Wilson Center, kjo gjë konfirmohet tanimë nga burime diplomatike jugosllave të kohës së krizës së vitit 1971.

Roli i Shqipërisë në këto zhvillime del tërthorazi dhe regjimi i Enver Hoxhës duket se ka përfituar asokohe duke ndjekur ritmin e manovrave jugosllave që sipas shkrimit në fjalë ia dolën të neutralizojnë politikën e jashtme sovjetike në rajon. Çka më shumë rëndësi, nuk është pa bazë të hipotetizohet se disa veprime të Hoxhës pas kësaj kohe edhe në skenën e brendshme të Shqipërisë, të jenë frymëzuar nga modeli jugosllav i trajtimit të tyre.

Burimi kryesor dokumentar për të vlerësuar nëse ndërhyrja ushtarake sovetike në Jugosllavi ishte apo jo reale në vitin 1971, janë raportimet diplomatike dhe kujtimet e ish-ambasadorit jugosllav në Moskë, Veljko Mićunović. Ky i fundit raporton për një bisedë telefonike mes liderit sovjetik, Leonid Brezhnjev dhe kreut jugosllav Josip Broz Tito të zhvilluar në prill të vitit 1971. Përmbedhja e përmbajtjes së telefonatës iu dërgua ambasadës jugosllave në Moskë, me urdhër të Titos, me synim informimin e ambasadorit për zhvillimet e fundit. Nga kjo telefonatë, por edhe nga një memorandum i takimit të  Mićunović me Brezhnjev në gusht të atij viti rezulton se sovjektikët synonin të ndërhyrin në politikën e brendshme jugosllave, edhe pse ndoshta jo direkt dhe me forcë ushtarake.

Por si nisi ky tension?

Ishte vizita e Titos në Pragë, në datat 9-10 gusht 1968 që ushqeu bindjen e liderëve sovjetikë se Çekosllovakia mund të ndiqte rrugën e Jugosllavisë të një socializmi jashtë bllokut. Duhet thënë se vetë doktrina e sovranitetit të kufizuar të Brezhnjevit kishte prodhuar ankth te satelitët sovjetikë në Lindjen e Europës, por nga ana tjetër ajo legjitimonte aksionin sovjetik në drejtim të mbylljes së problemeve me shtetet vartëse. Në çdo rast raportet sovjeto-jugosllave u acaruan sërish në vitet 1970-1971, pas një qetësie që prodhoi vizita në Beograd në vitin 1969, e Andrey Gromikos.

Në këtë kohë në Jugosllavi ndodhin disa ngjarje që u lexuan si momente të një krize të brendshme. Konkretisht, në prill të vitit 197, disa student kroatë të paparti morën kontrollin e organizatës studentore të Zagrebit. Ndërkohë një grup emigrantësh kroatë vranë në Stokholm ambasadorin jugosllav dhe nisën të shfaqeshin disa evidenca të dyshimta për lidhje mes komunistëve kroatë, organizatave kroate në emigracion, që po kërkonin ndihmën sovjetike. Po kështu, përfaqësuesit diplomatikë sovjetikë në Jugosllavi, nisën të marrin kontakte me zyrtarët komunistë rajonalë në Jugosllavi. Për të trajtuar këto çështje, Tito thirri në Brioni më 28 prill një takim urgjent të Presidiumit të Lidhjes Komuniste Jugosllave dhe në ditën e tretë të tij, më 30 prill, vjen edhe telefonata e Brezhnjevit.

Telefonata i dërgohet si përmbledhje ambasadorit Mićunović, i cili ishte informuar për të nga një anëtar i Byrosë Politike sovjetike dhe aty renditet biseda e bërë mes dy drejtuesve. Brezhnjev e cilëson situatën e brendshme të Jugosllavisë si “shumë të rëndësishme”.

Sipas liderit sovjetik ka patur informacione se trupat jugosllave po lëvizin drejt Beogradit, por Tito ia ka prerë shkurt se “kjo nuk është e vërtetë” dhe më e rëndësishmja se “ne kemi fuqi mjaftueshëm që të zgjidhim këto çështje vetë pa ndihmën e askujt”. Për të mos lejuar asnjë hamendësim, raportohet se Tito e mbylli telefonatën me një theksim të qartë për liderin sovjetik:

Është e mjaftueshme për Ju që të dini se ne do t’i zgjidhim shqetësimet tona vetë

http://digitalarchive.wilsoncenter.org/document/175844

Memorandumi i gushtit, sipërcituar, është hartuar nga ambasadori jugosllav dhe cilësohet Urgjent. Aty evidentohet klima e bisedës me Brezhjevin, bëhen komente mbi qëndrimet e tij dhe lexohet nënteskti i takimit. Aty Mićunović zbulon se telefonata e 30 prillit po bëhej ndërkohë që Byroja Politike sovjetike ishte mbledhur dhe po priste përfundimin e saj, çka provon se politika sovjetike ndaj Jugosllavisë në ato kohë ka patur në fokus shumë skenarë.

Ambasadori shkruan se Brezhnjevi e vlerëson situatën tonë të brendshme si shumë të dobët. Acarimi i liderit sovjetik lidhet me faktin se që nga ngjarjet e Zagrebit e deri në gusht, Bashkimi Sovjetik nuk e kishte zgjeruar prezencën në Jugosllavi, madje sipas ambasadroit në fjalë, “influenca ruse në Jugosllavi ishte dëmtuar”.

http://digitalarchive.wilsoncenter.org/document/175848

Po pse dështoi ndërhyrja sovjetike?

Sipas përmbledhjes së bërë nga Wilson Center, nuk ofrohen dokumente shtesë, por analizohet situata pas këtyre ngjarjeve që dalin në dritë tani.

Pikë së pari, Tito ndërmori disa veprime diplomatike që do të kishin shumë rrjedhime favorizuese për të. Së pari ishte përpjekja për rigjallërimin e Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara drejt Afrikës që solli edhe Samitin e Lusakës. Po kështu si faktorë renditet vendosja e kontakteve mes Beogradit dhe Pekinit, stabilizimi i raporteve me Shqipërinë dhe hartimi i planeve të përbashkëta të mbrojtjes mes Jugosllavisë dhe Rumanisë. Më tej akoma, Beogradi hodhi sytë edhe nga Washingtoni që kulmoi me vizitën e Titos në SHBA në vitin 1971.

Këto pjesë fragmentare ofrojnë një pikë të favorshme për të vëzhguar politikën e jashtme sovjetike në fillim të viteve ’70 dhe tregojnë kufijtë e Doktrinës Brezhnjev. Jugosllavia nuk ishte Çekosllovakia, por përgjigja e saj e shpejtë ndaj kërcënimit sovjetik dhe lidhjet e saj rajonale(Rumania dhe Shqipëria) dhe ato globale(Lëvizja e të Paangazhuarve, Kina dhe SHBA), e bënë ndërhyrjen sovjetike të pamundshme

përfundon autori, Milorad Lazić.

***

Duhet theksuar se këto zhvillime hedhin dritë mbi arsyet e vërteta të përmirësimit të raporteve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitet ’70, por ato janë arsye që duhen konsideruar edhe për hartimin e Kushtetutës së vitit 1974. Në material mund të shihet sesi Tito reagoi ndaj lëvizjes studentore të Zagrebit – që na kujton në formë lëvizjen studentore të dhjetorit në Tiranë – ndërkohë që jo pa rëndësi është fakti se “pas ngjarjeve të Çekosllovakisë Jugosllavia adoptoi një doktrinë të re ushtarake, të mbrojtjes totale popullore”.

https://www.wilsoncenter.org/blog-post/the-soviet-intervention-never-happened#_ftn1

Nuk është e vështirë të shikosh te këto lëvizje, një model që u ndoq më pas edhe në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Një nxënës shembullor që edhe në vitet ’70 ndjek shembullin e mësuesve jugosllavë. Po të heqim riorganizimet e bëra pas viti 1948 me ndarjen e funksioneve partiake, modeli politik jugosllav ndiqet në Shqipëri, ndonëse i përshtatur sipas gustove dhe nevojave të Enver Hoxhës. Doktrina e re e mbrojtjes e viteve ’70 ngjan me atë jugosllave, sikurse veprimi i shpejtë dhe i papritur i Hoxhës ndaj të ashtuquajturve liberalë, të kujton veprimin e Titos ndaj lëvizjeve në Kroaci.

Sigurisht që Shqipëria fitoi nga përballja sovjeto-jugosllave për herë të dytë që pas 1948-ës, ndonëse kësaj radhe si aktore në skakierën rajonale dhe duke mundësuar një frymëmarrje edhe për shqiptarët e Kosovës. Kjo për aq sa rezulton nga kjo e dhënë që sillet në këtë material. Në planin e brendshëm duket se Hoxha mësoi edhe më mirë se çfarë donte të thoshte lëshimi i zinxhirit dhe ky ishte një mësim që e asimiloi fare mirë sidomos edhe pas infarktit të vitit 1972. 

Përgatiti: ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.