Meta sqaron lidhjet me Adriatik Llallën
Ilir Meta është përfolur si mentori i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe si të thuash dirigjent i presioneve apo shantazheve politike që formatoheshin në zyrat e Prokurorisë në shërbim të LSI-së.
Një lidhje që vazhdon të qarkullojë në mjegullën që la pas ikja e palavdishme e Adriatik Llallës, të cilin ambasadori amerikan e damkosi përfundimisht kur tha se ishte personi që kishte refuzuar të hetonte politikanë të lartë. Ndonëse ajo që do kujtohet nga zoti Llalla ishte shtatori i arrestimeve që nuk erdhi kurrë.
I ftuar në Opinion Ilir Meta u distancua nga zërat që e shihnin Adriatik Llallën si vegël të tij.
Për aq kohë sa unë kam drejtuar LSI-në, nuk ka patur asnjë rol asnjëherë për emërimin e asnjë prokurori, jo vetëm të përgjithshëm, por edhe në nivele të tjera, dhe të asnjë gjyqtari. Kështu që të gjitha përpjekjet për të personalizuar reformën duke u mbështetur në problemet që mund të ketë një institucion apo një tjetër, duke e lidhur me një emër të caktuar, për mua janë banale dhe unë si President mund të them vetëm një gjë: reforma do të ecë përpara dhe do të prodhojë ato rezultate të cilat dëshirojnë qytetarët shqiptarë vetëm mbi bazë të shinave kushtetuese dhe veneciane. Çdo devijim nga shinat kushtetuese dhe veneciane do të prodhojë politizim, personalizim, banalizim dhe thjeshtë do t’i shërbejë acarimit të luftës politike
deklaroi Meta.
I pyetur për mosdekretimin e Helidon Bendos në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, presidenti tha se do të marrë një vendim kur të jetë i bindur se ky institucion do të jetë i pavarur.
Ndërsa sqaroi se letra që ai i dërgoi presidentit Trump ku i kërkonte ndjesë për votimin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nuk ishte kundërvënie ndaj kryeministrit, por një pozicionim i tij në raport me Shtetet e Bashkuara dhe shqiptarët. Ai tha se nga presideneca nuk ka patur asnjëherë një rekomandim apo udhëzim që ambasadori ynë të dënonte një veprim sovran të Shteteve të Bashkuara.
Add new comment