Ushtria e ISIS u mund, por metastazat e frikës ekzistojnë
2017 ishte viti i fitores mbi Shtetin Islamik, i cili ka humbur pothuajse të gjithë territoret e "kalifatit" në Siri dhe Irak, megjithatë, ekspertët thonë se organizata mbetet ende një kërcënim. Në orët e para të vitit 2017 një i ri Uzbek, i cili u deklarua si "ushtar i kalifatit", hapi zjarr me një kallashnikov në një klub nate në Stamboll, duke vrarë 39 persona. Ose duke armatosur direkt xhihadistët, ose duke i frymëzuar ata në sajë të propagandës shumë efektive, Shteti Islamik ka kryer dhjetëra sulme të përgjakshme, kryesisht në gjysmën e parë të vitit, në Pakistan, Irak, Siri, Afganistan, Egjipt, Somali dhe Britani.
Më 22 maj, Salman Abed, një anglez i ri me origjinë nga Libia, vrau 22 persona kur u vetëshpërthye pas një koncerti në Mançester. Sulmet me makina ndaj këmbësorëve shkaktuan shumë viktima në Jeruzalem, Berlin, Londër, Stokholm dhe Barcelonë. Këto sulme u shtrinë në disa vende pavarësisht çmontimit pothuajse të plotë të organizatës në Irak dhe Siri, pas një operacioni të koordinuar që filloi në vjeshtën e vitit 2016.
Shteti Islamik kishte ngritur një degë për menaxhimin e rrjeteve jashtë vendit, rekrutimin e luftëtarëve, financimin dhe dirigjimin e veprimeve të tyre. ISIS u eleminua, megjithatë nuk i ndali sulmet. "Shteti Islamik është definitivisht i mposhtur ushtarakisht"-thotë Yves Trotignon analist kundër terrorizmit në DGSE. Sipas tij, ka ende rreth 3.000 luftëtarë në Siri dhe Irak. Ndërkohë, lista e gjatë e sulmeve të sulmeve terroriste gjatë vitit 2017 tregon se lëvizja globale xhihadiste, që vazhdon të mbështetet nga Al Kaeda është e fortë.
"Operacioni kirurgjikal në Irak dhe Siri u krye, por, siç ka ndodhur në Afganistan me al Kaedën, kanceri shfaqi metastasat duke sjellë ndryshimin e zonave xhihadiste. Shteti Islamik u mund, por kërcënimi terrorist nuk është zhdukur. Ka evoluar në metodologji”-shton Trotignon. Studiuesit amerikanë vlerësojnë se efekti do të zgjasë për shumë breza.
Add new comment