Akrobacitë me ligjin e pronës, qeveria ndryshon formulën
Pas kërkesës së bërë nga Këshilli i Evropës për të përditësuar aktet nënligjore, në fuqi në Republikën e Shqipërisë, lidhur me kompensimin e ish-pronarëve, deri në fund të dhjetorit 2017, dje Këshilli i Ministrave ka miratuar, në mungesë të kryeministrit Edi Rama, dy Vendime, që mendohet se pasqyrojnë ndryshimet e bëra nga ligji i ri i trajtimit të pronës. Sipas qeverisë, ky ligj parashikon të zgjidhë një herë e mirë problemet e pronave në Shq ipëri, në përputhje me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke hapur rrugën për investitorët e huaj, që stepen përballë paqartësisë së pronësisë mbi tokën.
Dosjet e ish-pronarëve në Shqipëri janë të bllokuara, duke pritur një projekt të ri pilot, që të zëvendsojë atë “Manushaqe Puto etj. vs Albania”, që ishte përdorur në zbatim të ligjit të mëparshëm mbi pronat, por që rrezikonte të falimentonte shtetin shqiptar, raporton shqiptarja.com
Sipas formulës së re, kur subjekti i shpronësuar nuk përfiton kompensim fizik dhe ka një vendim përfundimtar nga shteti (Agjencia e Pronave), të vlerësuar financiarisht, ai do të përfitojë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit deri në 20% të vlerës totale të kompensimit financiar.
Por përfitimi financiar nuk mund të jetë më i lartë se 10 milionë lekë të reja. Pjesa tjetër, 80 për qind, nga vlerësimi i vendimit përfundimtar do të kompensohet fizikisht nga fondi i tokës. Deri tani, parashikohej që edhe 100% e dëmshpërblimit për një tokë të shpronësuar në bregdet mund të sigurohej me pyje në Gramsh apo Mokër.
Add new comment