Biznesmenët e protestave
Opozita parlamentare po bën çmos ta paresë ditën e nesërme, pra 18 dhjetorin, si ditën e qametit dhe revolucionit. Shkëndijën do ta japë një protestë e orës 09:30 para Parlamentit, ku opozita, pra PD-LSI dhe partitë e tjera do të kundërshtojnë zgjedhjen e një prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm.
Sigurisht, që as palët në këtë ngjarje të fryrë, as kauza nuk flasin për ndonjë revolucion. Për qytetarët shqiptarë të zakonshëm, për ata të cilët opozita flet përditë, ikja e Adriatik Llallës dhe ardhja e një tjetri, qoftë ky edhe me synim mbylljen e disa dosjeve, nuk përbën asnjë shqetësim. Ka kohë tashmë që njerëzit janë mësuar të mos marrin seriozisht këto ngjarje që i shohin nga pak çdo të enjte parlamentare.
Por çështja në fjalë nuk ka as rëndësi kaq të madhe në planin politik të ngushtë. Veprimtaria e Prokurorit të ri mund të monitorohet dhe opozita mund të shtojë presionin për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që do të zgjedhë mandej Prokurorin e Përgjithshëm dhe organet e tjera. Pse atëherë opozita është kapur në kurthin e ulërimave të veta?
Ka një arsye vetëm: opozita do të ruajë kontrollin mbi organin e akuzës dhe këtë e arrin vetëm duke krijuar këtë pështjellim juridiko-politik. Sigurisht që ajo ka të drejtë kur thotë se duhet zbatuar Kushtetuta, por nuk u bë e gjallë për muaj të tërë për KLP-në për të ardhur tashmë bashkë me socialistët në një “përplasje” që thjesht gjeneron alibi bllokuese për të dyja palët.
Personi më i pabesueshëm në këtë situatë është z. Basha, kryetar i PD-së. Zoti Basha vjen në këtë përballje të re pas një dështimi spektakolar në zgjedhjet parlamentare të verës, pas një marrëveshjeje me Edi Ramën që e gatoi fshehurazi, pas një përpjekjeje për të bashkëqeverisur dhe në kontekstin e një flirtimi të vazhdueshëm me sektorë të ndryshëm të qeverisjes.
Zoti Basha po ashtu është një politikan i akuzuar për manipulim të zgjedhjeve në parti, që nisi fushatë të posaçme ndaj LSI-së së Ilir Metës dhe që sot është në aleancë të detyruar me të.
Si vallë mund të konsiderohet një i tillë njeri i përmbysjeve dhe revolucioneve? Kush do të investonte një grimë besimi te një politikan i tillë, që arriti suksesin e madh të bojkotit të zgjedhjeve nga rreth 200 mijë votues të PD-së?
Lexoni edhe fjalët që përdor zotëria për të kuptuar se angazhimi i tij politik konsiston në një regjistër retorik që sa vjen edhe zvjerdhet.
Shqiptarët kanë të vetmen zgjedhje që mund të ketë çdo popull i civilizuar kur kushtetuta dhunohet. Prandaj duhet të bashkohemi për të treguar se ky popull ka opozitën.Nëse nesër Rama do të çojë pucin e tij Kushtetues, duhet ta dijë se do të përballet me një kosto shumë të rëndë. Ai nuk mund të kapë reformën në Drejtësi.Nesër bashkohemi për këto qëllime të mëdha, për të mbrojtur kushtetutën, për të mbrojtur reformën në drejtësi. Reagimi i qytetarëve është i jashtëzakonshëm, ndaj dua ti ftoj të gjithë ata që duan reformën në Drejtësi, të gjithë të bashkohemi para parlamentit ku do të nisë protesta popullore jashtë Kuvendit dhe protesta popullore brenda Kuvendit
Në fakt ky popull nuk ka opozitë dhe për këtë u kujdes z. Basha, një njeri i pushtetit dhe një njeri ndaj të cilit sot bëhen thirrje për pakte. Krahas tij në këtë revolucion për Drejtësi gjendet Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, një aradhë që ata qytetarë që informohen mbi politikën i njohin mirë.
Nesër proteston ish-pushteti që duket se ka disa halle për të mbyllur. Protestojnë disa njerëz që kanë qenë për një kohë të gjatë në kolltuk dhe kanë mjelë mirë pasurinë publike. Vështirë të mendohet se kanë lënë rehatinë e zyrave për hallin tonë. Kjo e nesërmja, me gjithë skenarët e panjohur që mund të jenë në veprim, është një qitje e re energjie, në një politikë që tani i përket vetëm një rrethi të ngushtë. Me prokuror apo jo, çështjet dhe kauzat e saj janë interes i pak njerëzve, të cilët në mënyrë harbute duan të flasin në emër të të gjithë shqiptarëve. Dhe që qëllimisht po ndihmojnë kështu edhe Edi Ramën në pushtet.
Add new comment