Të kërkosh shpëtim te Xhelali

Postuar në 03 Dhjetor, 2017 10:34

Atë që deri dje e konsideronin politikë të stekës së ulët, socialistët tashmë po e përdorin në funksion të imazhit të tyre në një situatë ku baltosja nga permbytjet duket se mbart përgjegjësi penale për segmente të strukturave shtetërore dhe projekte që kanë qenë edhe publikisht nën kujdesin e kryeministrit. 

Rasti më flagrant është natyrisht përmbytja e segmentit hyrës të autostradës Tiranë-Durrës në zonën e Kasharit. Pas punimeve për rikonstruksionin e saj dhe mbjelljen e Palmave ky segment është përmbytur dy herë dhe kjo nuk ka të bëjë me sasinë e reshjeve por me mosfunksionimin e sistemit të kullimit. 

Si të mos mjaftonte kjo, shërbimet e zjarrëfikseve dhe policisë gjetën si zgjidhje hapjen e trafikndarëseve për të largua ujin. Efekti digë që u shkaktua ishte katastrofik për bizneset që panë ujin të vërshojë në biznese. 

Ashtu siç kishte paralajmëruar Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet mbi përmbytjen e autostradës Tirtanë-Durrës, ku mbetën të dëmtuar dhjetra biznese dhe makina, si pasojë e vërshimit të ujit. Lapsi. al raporton se hetimet e prokurorisë do të përqëndrohen në shkaqet e shkaktimit të përmbytjes, ndërsa organi i akuzës do të mirëpresë çdo denoncim në lidhje me dëmin e shkaktuar.

Burimet bëjnë me dijë se hetimet do të përfshijnë jo vetëm ndërtimet e kryera në anë të rrugës, pra nëse janë respektuar parametrat e distancave, por edhe palmat e mbjella, si dhe mënyra sesi mirëmbahet ky aks rrugor.
Deri më tani PD dhe kryetari i saj nuk kanë folur për përgjegjësi në përmbytjen e autostradës, veç zërave sporadikë si kryetari i bashkisë së Vorës apo ndonjë deputet, të cilët gjithsesi nuk e kanë vijuar denoncimin.

Teksa çështja i ka kaluar Prokurorisë, kryeministri nuk nguroi të dalë krah për krah me kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu duke përcjellë idenë se permbytjet janë hall i përbashkët dhe kësisoj çdo sulm politik shkon kundër klimës së solidaritetit. Të dyja palët kanë nevojë për ndihmën e njëra-tjetrës dhe koordinimi mesa duket ka tejkaluar kollaj dhe ndasitë për çështjet e drogës. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.