1.2 miliardë eurot e kanabisit dhe vrulli në sektorin e ndërtimeve
Vlera e drogës së kultivuar në vitin 2016 i kalon 1.2 miliardë eurot, e konvertuar si vlerë e mbetur në ekonominë vendase. Vlerësimi është bërë nga revista Monitor e cila pranon se është vështirë të gjesh të dhëna se sa është paraja që ka hyrë në ekonomi nga kultivimi dhe shitja e hashashit për periudhën 2016-2017. Kalkulimet, për 2 milionë rrënje, me një ardhur mesatare në anën shqiptare prej 800-900 euro/kg sugjerojnë se vlera e 2 milionë rrënjëve që i kanë shpëtuar asgjësimit është 1.2-1.35 miliardë euro.
Të ardhurat e vlerësuara nga droga llogariten në rreth 10 për qind të PBB se së 2016 (1.5 trilionë lekë). Kjo shumë është katër herë më e lartë sesa vlerësimi që ka bërë UNODC (Zyra e Kombeve të bashkuara për Drogën dhe Krimin), për vitin 2014, ku fitimet vjetore nga tregtia e paligjshme e drogave në Shqipëri janë sa 2.6% e prodhimit të brendshëm bruto (ajo që prodhon ekonomia në një vit), apo rreth 300 milionë USD për vitin 2014.
Megjithatë, kjo shumë nuk ka hyrë menjëherë në ekonomi. Një pjesë e sasisë së mbjellë ka mbetur ende stok për shkak të mbiprodhimit, një pjesë mbahet e fshehur në dyshekë e kasaforta dhe një pjesë mund të jetë transferuar jashtë vendit.
Në Shqipëri, dy treguesit indirekte më të dukshëm për rritjen e sasisë së valutës në qarkullim nga ekonomia kriminale janë ecuria e kursit dhe vala e ndërtimeve. Pa arsye të dukshme, dhe në tendencë të kundërt me tregjet ndërkombëtare, euro është zhvlerësuar ndjeshëm këtë vit, duke u luhatur ende afër nivelit më të ulët të 9 viteve të fundit.
Lidhja më e dukshme ishte kur në datën 27 qershor, dy ditë pas zgjedhjeve euro u këmbye me 131.98 lekë, më e ulëta që nga gushti i vitit 2009, nga 134.87 lekë që këmbehej në 19 maj, kur filloi zyrtarisht fushata. Më pas euro është rritur dhe nuk ka arritur më në nivelet e pas zgjedhjeve. (LEXO EDHE http://ëëë.monitor.al/si-u-fundos-euro-per-zgjedhje-dhe-pse-po-rritet-tani/) Më herët Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se transaksionet ditore me kursin në Shqipëri janë rreth 20 milionë euro, pra nevojiten miliona euro për të dhënë një ndikim kaq të madh tek kursi në një afat të shkurtër kohor.
Treguesi i dytë është ai i ndërtimeve që janë rikthyer sërish me vrull në gjithë vendin. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në 6-mujorin e parë të 2017-s shënoi një rritje vjetore me 82%, duke arritur në 298. Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për periudhën janar- gusht, teksa kredia e re për ndërtimin, ndonëse u rrit me 46% në 17 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlera e dhënë mbetet e njëjtë si në vitin 2012 kur ishin dhënë vetëm 37 leje! Kjo tregon se një pjesë e madhe e financimit ka ardhur nga jashtë kanaleve bankare. http://www.monitor.al/vala-e-re-e-ndertimeve-nga-po-vijne-parate/
Add new comment