Marrëzia e bashkëqeverisjes me popullin!
Shumica e fjalëve, gjesteve dhe akteve politike të skuadrës qeveritare dhe skuadërkomandantit të saj janë si një munzë arratie për qindra mijëra shqiptarë që duan të ikin një orë e më parë nga ky vend. Ka edhe zëra opozitarë që kontribuojnë në këtë shporrje, por ata të qeverisë janë në krye. Dhe kanë përgjegjësinë më të madhem edhe po të mos ishin në krye.
Të gjitha llojet e sondazheve tregojnë se fjala më përbashkuese që i përgjigjet dëshirës më përbashkuese të shqiptarëve pa dallime feje, krahinë dhe ideje është fjala “ikje”. Rreth pesëdhjetë për qind duan të ikin. Praktikisht e gjithë fasha e të aftëve për punë. Nuk janë vetëm nevojat dhe vështirësitë ekonomike (që janë të mëdha dhe në vend të parë sigurisht), por ka edhe plot arsye të tjera që i shtyjnë shqiptarët të ikin. Janë edhe shijet e tyre, të bombarduara njëzet e katër orë non-stop, nga banaliteti dhe marrëzitë e përditshme politike të drejtuesve politikë; është zemërimi, është përçmimi, është të ta shpifë demagogjia, populizmi, niveli i ulët, rrugaçëria, alogjizmi, standardi i injorancës që dikton dhe reflekton një rënie mendore të përgjithshme. Në botën e lirë, sjellja politike reflektohet në bursë.
Në Shqipëri sjellja politike reflektohet në kuotat e larta të dëshpërimit dhe ikjes së banorëve nga vendi i tyre. Po të kishte një instrument që ta maste këtë lidhje, kam përshtypjen se rezultatet do të ishin spektakolare. Do të rezultonte, ma merr mendja, se sa herë çahen ekranet nga shpikjet e shpifura populiste, impulset e ikjes në radhët e shqiptarëve kapin majat. Një shpikje e tillë, më e fundit e Kryeministrit Rama, është ashtuquajtura “bashkëqeverisje me popullin”.
Që nga mënyra si shtrohet e si po zbatohet, është një gjë krejt tjetër nga ajo që quhet demokraci pjesëmarrëse, si një nevojë për t’u konsultuar me qytetarët dhe me grupet e interesit jo vetëm në zgjedhje, por edhe nga zgjedhjet në zgjedhje, përmes anketimeve apo edhe referendumeve për çështje të ndryshme. “Bashkëqeverisja me popullin” që në titull nuk ka këtë kuptim.
“Bashkëqeverisja me popullin” më duket e pakuptimtë. Mjaft prej atyre që punojnë me Kryeministrin dhe pranë tij e dinë se kjo ngjan me marrëzitë tipike të Hugo Çavezit të ndjerë të Venezuelës. Megjithatë, tamam si në ato pallatet ku deliri i udhëheqësit ka marrë peng logjikën elementare, vartësit e Ramës vetëm miratojnë pa barë zë shpikjen e shefit. Pak ditë më parë doli edhe lajmi: “Hapen aplikimet”. Për këdo që dëshiron të regjistrohet në bashkëqeverisje me qeverinë Rama! Tronditëse! Po çfarë është demokracia? Është pushteti i popullit, apo jo? Ky është kuptimi i parë dhe i fundit. Në origjinë të fjalës dhe në zbatimin shekullor e të përditshëm.
Demokracia është një sistem ku sovraniteti i popullit identifikohet me një bashkësi qytetarësh që votojnë qeverinë e tyre, qeverinë e popullit. Kjo qeveri është e gjithë qytetarëve, pra edhe e pakicës që nuk e ka votuar. Ajo qeveris me gjithë qytetarët dhe për gjithë qytetarët në princip. Pa aplikime, pa formularë. Ku ka aplikime? Ku ka formularë? Ka votë të fshehtë. Ajo prodhon qeveri. Vetëm ajo. Këto koncepte janë elementare.
“Bashkëqeverisja me popullin” i kthen përmbys këto koncepte. Në “bashkëqeverisjen me popullin” qeveria dhe populli janë dy gjëra të ndryshme, dy identitete të ndryshme. Populli është ky që është, qeveria duhet të jetë një gjë që ka rënë nga qielli. Që ka qëlluar me zemër të madhe kësaj radhe. Nuk i do të gjitha për vete, por ka vendosur të ndajë me qytetarët që aplikojnë! Kushdo e merr vesh se në kuptimin e demokracisë kjo është një vjedhje shoqëruar me një pseudobujari cinike. Në rastin më të mirë do të thotë të ndash me të vjedhurit, domethënë me qytetarët, gjënë e tyre.
Gjë që është edhe e pamundur, veç të tjerash. Nuk është rasti për t’u marrë këtu me pasojat e panumërta në rrafshin logjik të një aberracioni mendor, siç është “bashkëqeverisja me popullin”. Nuk e vë në dyshim se gjithë kjo është një flateri e madhe populiste, nga ato që ilustrojnë thënien e popullit “kur nuk ke punë tjetër, luaj derën”. Por është një flateri që tradhton.
Tradhton formimin antidemokratik të autorëve.
Tradhton injorancën e tyre, po kjo është gjëja me e vogël.
Tradhton inkoshientin e tyre se nuk janë një qeveri e zgjedhjeve të lira, por e votave të blera dhe të manipuluara.
Tradhton vetëdijen e të qenët një grup oligarkist, pa lidhje me popullin dhe me votën e tij, që për arsye propagandistike-demagogjike afrohet si palë me qytetarët për të ndarë qeverisjen me ta!
Tradhton vetminë e tyre politike.
Tradhton një tallje me qytetarët, duke qenë se pavarësisht padijes në thellësi, një gjë e dinë: pushteti mund të ushtrohet mirë ose keq për qytetarët, por nuk ka si ndahet me ta. Letrat nga populli, të cilat në kohën tonë të teknologjisë dixhitale janë zëvendësuar me format e larmishme të komunikimit me internet, por që janë e njëjta gjë në thelb, as kanë qenë as mund të jenë ndarje e pushtetit me popullin.
Tradhton mendimin që kanë për qytetarët sikur nuk duan gjë tjetër, nuk kanë pretendime të tjera, janë të kënaqur të jenë në pushtet duke regjistruar emrin. Kjo të kujton një anekdotë që tregohej në komunizëm për një sekretar partie dhe një punëtor të dalluar. Punëtori i dalluar besonte se do të merrte një televizor nga kontingjenti që jepej me listë në atë kohë. Kur mësoi se ia kishin dhënë njërit prej kuadrove të ndërmarrjes, shkoi të ankohej.
Sekretari i Partisë i tha: “Ti je klasë punëtore, mor burrë! Ti ke pushtetin, ke një gjë të madhe që s’ka krahasim me një aparat televizori”. Morali i fabulës në kohën tonë është se njerëzit nuk mund të gënjehen e nuk duhet të gënjehen me lugë të zbrazur, me formularë e me rubrika që vetëm u marrin kohën atyre që i marrin seriozisht. Punët në Shqipëri nuk kanë shkuar keq, ngaqë nuk është ditur e vërteta nga drejtuesit e vendit. Kjo ka qenë dhe është legjenda e demagogëve.
Punët kanë shkuar keq sepse drejtuesit kanë menduar më shumë për vete ose vetëm për vete dhe klanin e tyre. Qeveria ka për detyrë të mbajë premtimet e votuara, të krijojë zhvillim, të çelë perspektiva të reja, konkrete. Të tjerat janë të luash derën, t’u japësh rrugët qytetarëve të tu që, jo rastësisht, pikërisht në vlagën e aplikimeve për bashkëqeverisje, po ikin e duan të ikin edhe më shumë.
"Panorama"
Add new comment