Telefonatë mes Borissov dhe Edi Ramës për njohjen e minoritetit bullgar në Shqipëri
Agjencia Bullgare e Lajmeve raporton sot se kryeministri i vendit, Boyko Borissov, ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, përmes të cilës ka kërkuar respektimin e të drejtave të minoritetit kombëtar bullgar në Shqipëri, sipas standardeve ligjore ndërkombëtare.
“Biseda mori shtysë nga një ligj që synon mbrojtjen e të drejtave të pakicave që u hartua nga qeveria shqiptare. Borissov tha se ai priste që legjislacioni të përfshinte parashikimin për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit bullgar”, raporton agjencia shtetërore bullgare.
Sipas të njëjtit informacion, thuhet se:
Edi Rama siguroi kryeministrin bullgar se ligji është ende duke u përgatitur dhe u zotua se vendi i tij nuk do të shkelte interesat e minoritetit bullgar. Ai deklaroi se komunikimi me Bullgarinë do të vazhdonte dhe se interesat bullgare në Shqipëri do të mbroheshin.
Ky zotim i kryeministrit shqiptar bie ndesh me draftin e propozuar dhe që u paraqit në Komisionin përkatës Parlamentar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Në draft nuk njihet ndonjë minoritet kombëtar bullgar në Shqipëri dhe garancitë e z. Rama, ose janë sa për të kaluar telefonatën, ose paralajmërojnë shtimin e listës me një minoritet të ri në Shqipëri.
Çështja duket se nuk është kaq e thjeshtë. Agjencia njofton se ka lëvizje aktorësh politikë në Bullgari që kërkojnë të drejtat për bullgarët e Shqipërisë. Madje citohet se një deputet bullgar, Anton Donchev, ka kërkuar në një seancë parlamentare që çështja e bullgarëve të Shqipërisë të bëhet çështje kryesore shtetërore dhe prioritet i presidencës bullgare të BE-së gjatë fillimit të vitit 2018. Sipas këtij deputeti, numri i bullgarëve në Shqipëri arrin nga 50 000- 100 000.
http://www.bta.bg/en/c/DF/id/1660601
Ndërkohë një tjetër agjenci bullgare, “Novinite” shkruan se për këtë temë ka edhe një angazhim nga Parlamenti Europian. Sipas saj, disa europarlamentarë po përgatisin një letër të posaçme për Parlamentin e Shqipërisë, përmes së cilës do t’I kërkojnë vendit tonë të njohë minoritetin kombëtar bullgar. Në këtë letër do të vihet në dukje se për këtë çëshhtje ka një raport të PE-së që kërkon të mbrohen të drejtat e bullgarëve etnikë në zonat e Prespës, Golo Bardo dhe Gorës.
http://www.novinite.com/articles/183672/MEPs+From+Different+Countries+Ur...
Add new comment