Çmim tavan për tregtimin e ujit të pijshëm

Postuar në 24 Shtator, 2017 12:03
Zija Lika

Për sa kohë qytetarëve nuk iu sigurohet uji i pijshëm në banesat e tyre, është e nevojshme që autoriteti kompetent vendimmarrës (qeveria), të vendosë çmim tavan të detyrueshëm për t’u aplikuar, deri në këtë nivel, por jo më shumë, në tregtimin e tij nga çdo njësi tregtare (mini, super, hipermarket, qendër tregtare, dyqan artikujsh ushqimorë etj.), përjashto ato me objekt aktiviteti ekonomik si: bare, restorante, hoteleri, diskoteka, qendra argëtimi e të tjera.

Kjo praktikë është e njohur dhe e lejueshme ndërkombëtarisht dhe përbën një nga rastet më tipike të ndërhyrjes dhe kontrollit qeveritar të çmimeve në ekonomi në mbrojtje të konsumatorëve, pasi kostot dhe pasojat negative që kanë disa qindra mijë konsumatorë në kushtet e mosndërhyrjes qeveritare, janë shumë më të larta, se ato që do të kishin disa dhjetëra apo qindra firma biznesi, në kushtet e kësaj ndërhyrjeje.

Tregtia e ujit të pijshëm për nga çmimi, pa përmendur rastet e abuzimeve me cilësinë (të denoncuara më parë edhe nga emisionet televizive investigative si “Fiks Fare”, “Stop” “Bum”, etj.), është tregtia më spekulative (ndër të gjithë artikujt e tjerë të lejueshëm për tregtim nga ana ligjore), e cila krahasuar me normën mesatare të fitimit ndaj vlerës totale të shitjeve, të rezultuar në aktivitete të tjera të biznesit, mesatarisht e mbitrefishon këtë tregues për llogari të firmave dhe kompanive përkatëse, në dëm të qytetarëve të cilëve iu duhet ta blejnë patjetër atë, për vetë rëndësinë jetike që ai ka, si element i dytë pas oksigjenit që mundëson vazhdimësinë e jetesës.

Kërkesa e tregut

Bazuar në njohuritë përkatëse shkencore ekonomike, kërkesa e tregut për të vlerësohet të jetë plotësisht joelastike (kur përveç tregut nuk ekzistojnë alternativa të tjera furnizimi), apo jo elastike, në marrëdhënie të drejtë me mundësinë gjithnjë e më të paktë të sigurimit të këtyre alternativave jashtë tregut. Kushtet dhe rrethanat që analizojmë, të mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve nga ana e ndërmarrjeve përkatëse të ujësjellësit, të shoqëruara me pamundësinë apo mundësinë gjithnjë e më të pakët, të furnizimit të tyre jashtë tregut me këtë artikull, nxitin në vazhdimësi prirjet e firmave përkatëse sipërmarrëse që operojnë në këtë treg për të rritur çmimin, pasi menaxherët e tyre janë të bindur se pakësimi në përqindje i sasisë së shitur, do të jetë gjithmonë më i vogël se rritja në përqindje e çmimit, gjë e cila do të sjellë si pasojë rritjen e vazhdueshme të madhësisë së fitimit në favor të këtyre firmave.

Në ndryshim pothuajse nga të gjitha produktet e tjera që tregtohen, uji është prodhim tipik i natyrës i pakushtëzuar nga investimi njerëzor në këtë drejtim dhe, përveçse në shumicën e rasteve, mund të konsumohet direkt nga njerëzit (kur analizat përkatëse laboratorike e justifikojnë një gjë të tillë) pranë vendburimeve ose kudo tjetër ku ai sillet nëpërmjet investimeve kapitale dhe njerëzore, uji i pijshëm tregtohet në volume shumë të mëdha nga firmat sipërmarrëse të ushtrimit të këtij aktiviteti, të cilat më parë përmes investimeve përkatëse të tyre me afate relativisht të gjata përdorimi, realizojnë operacionet e nevojshme që lidhen me filtrimin, përpunimin, ambalazhimin, etiketimin dhe transportin e tij deri te njësitë respektive tregtuese, që finalizojnë shitjen te klienti.

Vlerësime për çmimet

Nisur nga sa më sipër dhe nga të dhëna të tjera statistikore, që lidhen me çmimet e tregtimit në vendin tonë të këtij artikulli, të markuar përmes emërtesave të ndryshme, përllogaritet në mënyrë ekstrakontabile (nëse paguhen konform legjislacionit detyrimet fiskale), që treguesi “kosto + detyrime fiskale” për një litër uji të pijshëm dhe të tregtueshëm, të jetë mesatarisht të paktën 3.5 herë më pak se çmimi i tregtimit të tij për litër te konsumatori, ndërkohë që ky i fundit në njësi tregtare të tilla si: mini, super, hipermarkete, apo qendra tregtare, është më i lartë krahasuar me çmimin respektiv në po këto njësi, që zhvillojnë aktivitet ekonomik në shumë vende të tjera të rajonit, duke përfshirë edhe fqinjin tonë jugor Greqinë, si vend i Bashkimit Europian, i cili në mbrojtje të interesave të konsumatorëve për këtë artikull jetik, ndonëse nuk ka problematika të furnizimit me ujë të pijshëm të popullatës, vetëm për shkak të deformimeve të vërejtura në këtë treg, që lidhen me konkurrencën e pamjaftueshme midis firmave përkatëse, aplikon çmim tavan në njësitë tregtare të sipërpërmendura.

Aktualisht në këto njësi tregtare, një koli me ujë të pijshëm (të përbërë nga 6 shishe plastike me 1.5 litër secila) kushton mesatarisht, në Greqi për të gjitha markat greke (1.4 euro = 185 lekë), ndërsa në vendin tonë për të gjitha markat shqiptare (240 lekë = 1.8 euro), ndërkohë që kjo gjë vërehet edhe nga krahasimi i çmimeve përkatëse të këtij artikulli, të tregtuar prej njësive në fjalë në volumet (0.5; 1; 2 dhe 5 litra), në të dyja këto vende.

Madje kjo situatë ekziston edhe nëse krahasojmë të njëjtit tregues si më sipër, duke iu referuar rastit të shitjes brenda vendit tonë në këto njësi tregtare, të markave të ndryshme greke të ujit të pijshëm (Bikos, Loutraki, e të tjera), të importuara nga Greqia prej firmave shqiptare të biznesit, ku çmimi i një kolie të sipërcituar është mesatarisht rreth 220 lekë, nga 240 lekë që është ai respektiv i markave shqiptare të këtij artikulli, të tregtuara në po këto njësi të tregut vendas, ndërkohë që në rastin importit përveçse paguhet detyrimi përkatës doganor, fitimi shpërndahet në tre hallka të zinxhirit tregtar (firma eksportuese greke, firma importuese shqiptare dhe njësia përkatëse tregtare që finalizon shitjen), nga vetëm në dy hallka të këtij zinxhiri që ai shpërndahet në rastin tjetër.

Ajo çka konstatojmë më sipër, lidhet edhe me faktin se kemi të bëjmë me një model të përafërt me atë “oligopol” të strukturës së tregut të furnizimit me ujë të pijshëm në vendin tonë, ku një numër relativisht i vogël firmash të mëdha duke zotëruar pjesën më të madhe të këtij tregu, furnizojnë me këtë artikull të markuar përmes emërtesave të ndryshme (në varësi me vendburimet, e tjera) një numër të madh njësish biznesi, të cilat e tregtojnë atë te hallka e fundit e zinxhirit tregtar, që është konsumatori final.

Janë pikërisht këto firma të mëdha, që pothuajse diktojnë çmimin e tregut, përmes ndërvarësisë reciproke në kontrollin e tij, apo formave të fshehta të kartelit ose “çmimit lidership”, pasi njësitë e tjera finalizuese të tregtimit (mini, super dhe hipermarkete e të tjera), duke qenë një numër i madh dhe duke tregtuar të njëjtin produkt, të standardizuar e markuar sipas emërtesave përkatëse me shkallë të lartë zëvendësimi në konsum, përveçse marrin një normë përgjithësisht fikse fitimi, kanë një hapësirë shumë të kufizuar të diferencimit të çmimit përfundimtar, që paguhet prej konsumatorit.

Megjithatë, gjykoj se duhet të bëhet shumë kujdes dhe të përdoret ekspertiza e duhur profesionale dhe korrekte, në përcaktimin e vlerës përkatëse të çmimit tavan të tregtimit të ujit të pijshëm, duke marrë në konsideratë elementë të tillë si: (kostoja + detyrime fiskale) për njësi, norma e fitimit të biznesit, cilësia e tjera, në mënyrë të tillë që në njërën anë të mbrohen interesat e konsumatorëve nga spekulimi dhe abuzimi me çmimin dhe nga ana tjetër, të mos dëmtohet ndjeshëm interesi i firmave përkatëse të biznesit në një masë të tillë, që ato të demotivohen dhe dekurajohen, duke hequr dorë nga vazhdimi i ushtrimit të këtij aktiviteti ekonomik.

Ekuilibri

Nëse në këto rrethana të sipërpërmendura veprohet në këtë mënyrë, atëherë do të arrihet të vendoset një ekuilibër disi më i pranueshëm i tregut midis palëve përkatëse bashkëvepruese (konsumatorë dhe firma), krahasuar me më parë dhe aktualisht, ku fuqia tregtare e firmave të mëdha përmes diktimit të çmimit të tregtimit të këtij artikulli, ka shkaktuar dhe shkakton fenomenin e “dështimit” të këtij tregu, ndërkohë që korrigjimi i këtij dështimi, kërkon veçanërisht angazhimin dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore nga ana e autoriteteve përkatëse shtetërore, në lidhje me zbatimin e politikave antitrust dhe të ligjit 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar.

Me qëllim që qytetarët shqiptarë, që e ndiejnë peshën e rëndë financiare të kësaj problematike, të lehtësohen disi prej kësaj tregtie spekulative për nga çmimi, duhet t’i kërkojnë kryeministrit Rama (përmes portaleve përkatëse komunikuese, dëgjesave publike e të tjera), vendosjen e çmimit tavan për këtë artikull, të detyrueshëm për t’u aplikuar jo më shumë se aq, në kushtet dhe rrethanat sikurse themi më sipër.

Është anormale kur dëgjojmë, që qytetarë të ndryshëm (ndonëse brenda të drejtave të tyre të ligjshme), protestojnë se ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve, kërkon të rritë me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit, tarifën e furnizimit për 1 ton ujë, për shembull me 10 lekë, (ndërkohë që tarifa e saj për ton, është rreth 500 herë më pak se ajo përkatëse e tregtimit të ujit prej njësive tregtare të sipërpërmendura) dhe nga ana tjetër, nuk i kërkojnë qeverisë vendosjen e çmimit tavan sikurse themi më sipër, në kuadrin e kontrollit qeveritar të cilësisë dhe çmimit tregtues të këtij artikulli të pazëvendësueshëm dhe me rëndësi jetike të padiskutueshme.

Bazuar në trajtimet, argumentimet dhe njohuritë përkatëse shkencore ekonomike të sipërcituara, mendoj se qeveria duhet ta marrë këtë vendim sa më shpejt të jetë e mundur dhe nuk duhet të kapet pas argumentit, se duke vendosur çmimin tavan në këtë artikull, ulet eficienca e funksionimit të tregut, pasi ky treg më parë dhe aktualisht, rezulton të jetë i dështuar, jo eficient e me prirje përkeqësimi dhe nga ana tjetër, nuk duhet të shqetësohet, se marrja e këtij vendimi do të shoqërohet ndoshta me rënien disi të të ardhurave buxhetore, rrjedhojë e efektit të mundshëm në rënie që do të kenë për këtë artikull, detyrimet fiskale të llogaritura me bazë vlerore, pasi përfitimi shtesë që do të ketë interesi publik i përbërë prej disa qindra mijëra konsumatorë që operojnë në këtë treg, do të jetë shumë më i madh sesa shuma e efekteve negative, që do të kenë disa dhjetëra apo qindra firma biznesi në madhësinë fitimeve financiare të tyre, së bashku me rënien e mundshme të të ardhurave buxhetore.

Me kalimin e kohës, kudo ku qytetarëve ju sigurohet ujë i pijshëm në banesat e tyre, shtohet dukshëm mundësia alternative e plotësimit të nevojave të tyre me këtë artikull jetik dhe tepër të domosdoshëm, ndërkohë që kërkesa e tregut për të bëhet elastike, ku koeficienti në rritje i elasticitetit të kësaj kërkese, është në marrëdhënie të drejtë me mundësinë gjithnjë në rritje, të sigurimit të alternativave të tjera furnizuese jashtë tregut.

Në këtë situatë, drejtimi menaxherial i firmave sipërmarrëse të këtij aktiviteti, në kushtet e mirëfunksionimit të ekonomisë së lirë të tregut, tregohet shumë i kujdesshëm me strategjinë e përcaktimit të çmimit, duke favorizuar indirekt konsumatorin, pasi shpeshherë priret për të ulur çmimin, në funksion të rritjes së të ardhurave totale të këtyre firmave dhe jo drejt veprimit të kundërt që mund t’i çojë ato në vetëndëshkim. Ja pra, është kjo një ndër arsyet më kryesore që shpjegon, nivelin më të ulët të çmimeve të tregtimit të ujit të pijshëm në njësitë përkatëse tregtare sikurse themi më sipër, në Greqi e vende të tjera të rajonit, në krahasim me vendin tonë.

Nisur nga sa më sipër, nëse qytetarëve në të ardhmen ju sigurohet furnizimi me ujë të pijshëm në banesat e tyre, qeverisë i rekomandohet të shfuqizojë aplikimin e çmimit tavan, të vendosur më parë në tregtimin e këtij artikulli në qytetet dhe rajonet përkatëse, veçanërisht kur ky treg, nuk shoqërohet, sikurse themi më sipër, me dështime e deformime të pajustifikueshme, duke e lënë çmimin të vendoset e vetërregullohet prej mekanizmit të bashkëveprimit të kërkesës dhe ofertës në treg, që në kuptimin figurativ dhe metaforik njihet si: “gërshëra e Marshallit”, apo “dora e fshehtë e Smithit”.

Duke vepruar në këtë mënyrë, do të tingëllojë i gjallë dhe mëse aktual përcaktimi më i famshëm që ka lidhje me ekonominë si shkencë, i dhënë nga Adam Smith (një prej ekonomistëve më të mëdhenj e gjanialë të historisë së njerëzimit) në veprën e tij madhore “Pasuria e kombeve”, ku sipas të cilit: Konsumatorët dhe firmat ndërveprojnë me njëri-tjetrin në treg , duke u udhëhequr nga një “dorë e padukshme”, që i çon ata në rezultatet e dëshiruara.

Marrë nga revista "Monitor"(http://www.monitor.al/cmim-tavan-per-tregtimin-e-ujit-te-pijshem-2/)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.