Tripolariteti në PD
Partia Demokratike ka vendosur të nisë analizën e humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Nëse shohim ecurinë e zhvillimeve politike brenda saj që nga Marrëveshja e 18 majit, mund të thuhet se kjo parti është fraksionuar sot në tre pole: i pari është poli i kryetarit aktual Lulëzim Basha, që mund të konsiderohet se ka konsoliduar një klan të vetin dhe kontrollon pjesën më të madhe të struktuve të partisë.
Një pol i dytë, që është i tillë për shkak të historisë politike të protagonistëve dhe nyjëtimit të një mesazhi të posaçëm politik që rezonon brenda partisë, janë atë që mund të quhen Të Përjashtuarit nga PD me listën e mesnatës së Lulëzim Bashës. Duhet të pranojmë se këto dy pole janë realitete që ndahen qoftë te pëprjekja për të asgjësuar njëri -tjetrin, qoftë te qasja ndaj Marrëveshjes së 18 majit, por edhe te mënyra si duan të menaxhojnë asetet dhe historinë e PD-së.
Poli i tretë është Sali Berisha, ish-kryetar i partisë dhe ish-kryeministër, i cili prej katër vitesh aplikoi formën e vet të opozitarizmit përmes prezencës në rrjete sociale, media dhe Parlament.
Në një pikëpamje, deri më tani, PD ka shfaqur dy sjellje opozitare, të cilat u kondensuan te humbja e qershorit në divergjencë të re. Cilado qoftë analiza e PD për humbjen ajo do të duhet të pranojë se mes dy qasjeve në kundërshtimin e qeverisë së majtë PS LSI, ka patur gabime. Sot Lulëzim Basha fler për opozitë të fortë dhe pakompromis, diçka që në mandatin e parë u pa më shumë te Sali Berisha. Duhet thënë se në triblimet politiko koniunkturale të të dyve, Lulëzim Basha u dëmtua më shumë. Marrëveshja e tij e 18 majit ka cenuar rëndë besueshmërinë e tij, aftësinë për të përpunuar një mesazh të ri politik që të mund të amortizojë dëmin e madh të krijuar nga një pakt që shpërdoroi energjinë e të ashtuquajturës Çadër e Lirisë.
Paktet e heshtura të Berishës me LSI-në që vazhdojnë ende sot, nuk sollën ndonjë dëm për PD-në kuptimin e asaj që ndodhi me 18 majin, kur PD-ja fali pa të keq koordinatat e veta si opozitë e këtij vendi.
Këtij dualiteti i ka ardhur fundi në kuptimin se Të Përjashtuarit përbëjnë një pol të ri. Jo se protagonistët e këtij grupi nuk kanë përgjegjësi dhe mëkate, por teza e tyre kryesore për zgjedhjet dhe zhvillimet e brendshme, i përgjigjen më mirë standardeve normale të një demokracie funksionale.
Në këtë realitet dinamik, është e vështirë që Lulëzim Basha të aplikojë veton e tij me vulën që ka në xhep. Ndonëse autoriteti i Berishës është moral dhe ai po goditet përditë e më shumë, në eventualitetin e një lëvizjeje politike nga grupi i Të Përjashtuarve, z. Basha do të duhet të marrë në konsideratë çdo gjë.
Graviteti i pushtetit të PS-së ku sot orbitojnë shpresat e z. Basha është dobësi strategjike pasi ajo kërcënon me vakuum pjesën e opozitarizmit. Z. Basha nuk mund të jetë edhe opozitar, edhe bashkëpunëtor i z. Rama, edhe poterexhi kundër drogës dhe krimit, edhe shkelës profesionist syri në emër të integrimit dhe hapjes së negociatave. Retorika e tanishme e z. Basha përkufizon një situatë të jashtëzakonshme në të cilën një opozitë kaq parimore do të duhet të ndërpriste çdo bashkëpunim me pushtetin.
Problemi më i madh i z. Basha dhe që i jep zë kundërshtarëve është pasiguria dhe mungesa e transparencës në vendimmarrje, zbulimi i qëllimeve të tij për likujdime në politikë dhe në fund për rrjedhojë, përftimi i një modeli të ngjashëm me atë të Edi Ramës. Çdo fitore e grupit tjetër, pavarësisht se thjesht për interesa të tyret, është një ecuri korrigjuese e këtij modeli të papranueshëm. Dhe në kuadrin e analizës që po afron, kapja e posteve në struktura partiake - përmes një procesi realisht të hapur që ecën dora dorës me përgjegjësinë e vërtetë të kryetarit aktual të PD-së - do të duhet të jetë zgjidhje kompromisi. Përndryshe, vështirë se z. Basha do të mbajë të gjithë partinë për vete. Ai ndodhet në situatën kur i është nevojtar Sali Berishës, i duhet një dorë nga Edi Rama, ndërkohë që ka një opinion kundër. Dhe në këto kushte i duhet edhe të vijë në pushtet meqë këtë fabul ja detyron postit ku ka ngecur.
Add new comment